Lidhje

Serbi, tetë të vrarë në sulmin e dytë me armë brenda dy ditësh


Mbrëmjen e së enjtes, Serbia u trondit nga një tjetër sulm me armë zjarri.

Tetë persona u vranë dhe 14 u plagosën pasi një person i armatosur hapi zjarr në tre fshatra afër Beogradit, thanë autoritetet.

Ministria e Shëndetësisë tha se të plagosurit janë në gjendje të qëndrueshme.

Ky sulm erdhi ndërsa vendi po mbante zi për viktimat e një sulmi tjetër, një ditë më parë. Sot policia arrestoi autorin e dyshuar për sulmin e djeshëm.

Pas një operacioni të gjerë, policia arrestoi 21 vjeçarin e dyshuar për sulmin me armë në fshatrat Dubonë, Malo Orasje dhe Sepsin, rreth 50 kilometra në jug të Beogradit.

Ky është sulmi i dyti në masë brenda dy ditësh në Serbi.

Presidenti serb Aleksandar Vuçic e cilësoi atë një “sulm terrorist”, ndërsa propozoi masa të reja të rrepta për kontrollin e armëve.

Televizioni shtetëror, RTS, tha se i dyshuari, ishte përfshirë në një sherr në oborrin e një shkolle.

Sipas mediumit ai ishte larguar, për t’u kthyer me një pushkë dhe revole, me të cilat hapi zjarr në drejtim të kalimtarëve nga një makinë në lëvizje.

“I dyshuari U.B. i lindur më 2002, është arrestuar në afërsi të qytetit të Kragujevcit. Ai dyshohet se ka vrarë tetë persona dhe ka plagosur 14 gjatë natës”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Brendshme të Serbisë.

Policia arrestoi edhe gjyshin dhe xhaxhain e të dyshuarit.

Të mërkurën, vendi ballkanik u trondit nga një tjetër sulm me armë.

Sipas autoriteteve një djalë 13 vjeçar vrau nëntë dhe plagosi shtatë të tjerë, në një shkollë në Beograd, para se të dorëzohej tek policia.

Serbia ndodhej në zi tre-ditore për ato viktima, kur doli lajmi për incidentin e dytë.

“Kjo është e tmerrshme për vendin tonë. Është humbje e madhe. Në dy ditë kaq shumë të vrarë”, thotë Ivani, banor i fsahtit të Dubonës.

Presidenti Vuçiç tha se personi i armatosur kishte veshur një bluzë me simbole neo-naziste. Ai nuk dha detaje të tjera për sulmin.

Zoti Vuçiç propozoi një moratorium për lejet e armëve, pa marrë paraysh llojin e armës, me qëllim të çarmatimit të popullsisë dhe shtimin e kontrolleve mjekësore dhe psikologjike të pronarëve të armëve.

Qeveria do të punësojë gjithashtu 1 mijë e 200 policë të rinj ,për të përmirësuar sigurinë në shkolla, tha presidenti serb.

”Do ta çarmatosim Serbinë dhe për ata që mbajnë armë jashtëligjshëm, gjobat do të jenë shumë të larta. Do t’i dyfishojmë”, tha ai.

Presidenti serb tha se kërkoi rikthimin e dënimit me vdekje, por qeveria ishte kundër një hapi të tillë.

Televizioni shtetëror serb tha se një polic që ishte jashtë orarit të punës dhe motra e tij janë në mesin e të vrarëve.

“Është e trishtueshme. Polici kishte moshën e vajzës sime, e lindur më 1998. Vajza ime po merr qetësues. Nuk kemi fjetur gjithë natën. Ata janë rritur bashkë”, thotë Danijela, banore e fshatit të Dubonës.

Fermeri 78 vjeçar, Zarko Knezeviç përshkruan sulmin në fshatin tjetër, Malo Orasje.

"Nuk e di se sa njerëz po iknin, kishte shumë të rinj. Mendoj se ishin pesë të vdekur nga ky fshat”, tha ai.

Serbia ka rregulla të ashpra të kontrollit të armëve. Armët automatike janë të paligjshme dhe ndër vite autoritetet kanë ofruar amnisti për ata që i dorëzojnë ato.

Serbia, sikur edhe disa vende tjera të Ballkanit Perëndimor, vazhdojnë të jenë të mbushura me armë dhe municione të nivelit ushtarak, që mbetën në duart e qytetarëve pas luftërave të viteve ‘90.

Megjithatë, sulmet me armë në Serbi janë të rralla.

Sulmi i fundit në masë, para atij në shkollën fillore në Beograd, ka ndodhur më 2013, kur një veteran lufte vrau 13 persona në një fshat serb.

XS
SM
MD
LG