Lidhje

Mandati i Xhaçkës, Kushtetuesja rrëzon vendimet e parlamentit dhe i jep të drejtë opozitës


Seanca e parlamentit për rastin e mandatit të zonjës Xhaçka me 17 nëntor 2022
Seanca e parlamentit për rastin e mandatit të zonjës Xhaçka me 17 nëntor 2022

Në Shqipëri Gjykata Kushtetuese i dha të hënën të drejtë opozitës, duke rrëzuar vendimet që parlamenti mori me vota e shumicës për të refuzuar dërgimin në këtë gjykatë të çështjes mbi papajtueshmërinë ose jo të mandatit të deputetes dhe ministres aktuale të Jashtme Olta Xhaçka. Në këtë mënyrë, parlamenti tanimë do të jetë i detyruar, që t’ja përcjellë rastin po Gjykatës, së cilës i takon të konstatojë nëse ndodhet përpara pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes.

Gjykata u vu në lëvizje nga dy kërkesa të bëra nga dy grupime të opozitës. Njëra kërkesë ishte paraqitur nga grupimi i deputetëve demokratë të drejtuar nga Enkelejd Alibeaj, dhe tjetra nga deputetët që mbështesin ish kryeministrin Sali Berisha në krye të Partisë Demokratike.

Të dyja kundërshtonin vendimin e parlamentit, duke mbështetur idenë se zonja Xhaçka nuk duhet të mbajë më mandatin si deputete, pasi sipas tyre, bashkëshorti i saj ka patur përfitime nga pasuri shtetërore. E gjitha ka të bëjë me një kompani të bashkëshortit të saj Artan Gaçi, dhe projektin për ndërtimin mbi një terren privat, të një hoteli në zonën e Dhërmiut. Kompania ka fituar statusin e investitorit strategjik e për pasojë edhe të drejtën e shfrytëzimit të një sipërfaqe plazhi në bregdetin e jugut. Demokratët shprehen se sipas ligjit, përfitimet e bashkëshortit, konsiderohen si përfitime dhe të vetë ministres.

Por gjatë seancës së zhvilluar javën e shkuar, përfaqësuesit ligjorë të zonjës Xhaçka deklaruan para Gjykatës se kërkesat e paraqitura nga opozita nuk plotësonin kriteret formale. Ata ju referuan po një interpretimi të Gjykatës Kushtetuese, kur u shprehën se që të vihet në diskutim mandati, shkelja e pretenduar duhet të ketë kryer nga vetë deputeti dhe jo personat e lidhur me të.

Gjykata publikoi të hënën vetëm vendimin, dhe jo argumentat mbi të cilat e ka mbështetur atë, të cilat pritet të bëhen publike në ditët në vijim. Por ajo bëri të ditur se dy vendimet e parlamentit, ai që rrëzoi raportin e opozitës dhe tjetri që miratoi raportin e shumicës “shfuqizohen”. Në një rast të ngjashëm, të para shumë viteve, me deputetin socialist Koço Kokëdhima, Gjykata, së cilës i ishte dashur të zgjidhte një situatë të njejtë me parlamentin që kishte refuzuar t’ja dërgonte asaj çështjen ishte shprehur se parlamentit i është “kufizuar hapësira e vlerësimit, duke ia njohur atë vetëm për verifikimin e kritereve juridiko-formale për inicimin e procesit” dhe se “për çdo shkelje të pikës 3 të nenit 70 të Kushtetutës, kur kërkohet konstatimi i papajtueshmërisë me mandatin e deputetit, Kuvendi është i detyruar ta dërgojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese, e cila është organi i vetëm që ka kompetencën ta shqyrtojë në themel çështjen”.

XS
SM
MD
LG