Lidhje

Shqipëri, opozita kërkon heqjen e mandatit të deputetit për ministren Xhaçka


Olta Xhaçka, ministre e Jashtme
Olta Xhaçka, ministre e Jashtme

Në Shqipëri ministrja e Jashtme Olta Xhaçka rrezikon të përballet me Gjykatën Kushtetuese për një konflikt të mundshëm interesi me mandatin e saj si deputete e parlamentit shqiptar. Deputetë demokratë që mbështesin kryetarin e grupit të tyre parlamentar Enkelejd Alibeaj njoftuan sot se kanë firmosur dhe dorëzuar kërkesën për “ndjekjen e procedurave parlamentare për konstatimin e pavefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes Olta Xhaçka”. Sipas kësaj kërkese Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar se “në rast se Kuvendi i Shqipërisë, vihet në lëvizje me mocion të Kryetarit të Kuvendit ose një të dhjetës së anëtarëve të tij, në kuptim të pikës 3 të nenit 70 të Kushtetutës, ai duhet të vendosë dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese, e cila është organi i vetëm që ka kompetencën të shqyrtojë në themel çështjen dhe të vendosë mbi papajtueshmërinë e mandatit të deputetit”.

Gjithshka lidhet me një vendim të 29 marsit 2021, të Komitetit të investimeve strategjike, një strukturë qeveritare e drejtuar nga kryeministri, për t’i dhënë statusin e investitorit strategjik kompanisë “AG.TCC” shpk, në pronësi të bashkëshortit të zonjës Xhaçka, sipërmarrësit Artan Gaçi. Kompania e përfitoi statusin pasi paraqiti projektin për ndërtimin e një hoteli disa katësh, me 5 yje, në bregdetin e Dhërmiut, me një vlerë prej 5.5 milionë eurosh.

Tre muaj më vonë, më 25 qershor 2021 një shtetase amerikane Tawni Lin Grzych-Sutton, 31 vjeç, banuese në Tiranë krijon shoqërinë “AGTCC Hotel Management”, shpk, me objekt veprimtarie “shërbim hoteleri turizëm”. Ndërsa 5 ditë më vonë, kjo kompani lidh një marrëveshje bashkëpunimi me kompaninë e zotit Gaçi “AG.TCC” shpk, sipas së cilës administrimi i të gjitha përfitimeve nga statusi i investitorit strategjik, i kalon kompanisë së zonjës Sutton. Kjo marrëveshje, reflektohet më 15 korrik 2021 në një tjetër vendim të Komitetit të Investimeve strategjike, duke e konsideruar ndër të tjera shoqërinë “AGTCC Hotel Management”, shpk, si “brand ndërkombëtar”. Më 2 mars 2022, Qeveria miraton vendimin me anë të të cilit i njeh të drejtën e përdorimit të brigjeve dhe zonës përkatëse të plazhit përballë kompleksit të hotelit shoqërisë “AGTCC Hotel Management”, në emër të zonjës Sutton.

Sipas firmëtarëve të kërkesës për heqjen e mandatit të deputetes, ministres Xhaçka, kjo e fundit, ndodhet në kushtet e konfliktit të interesit. Ata citojnë nenin 70 të Kushtetutës, i cili ndër të tjera përcakton se “deputetët nuk mund të kryejnë asnjë veprimtari fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor dhe as të fitojnë pasuri të këtyre”. Ndërsa ligji “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, parashikon në nenin 35 se “në rast se aksionet apo pjesët në capital janë të rregjistruara në emrin e personit të lidhur (që sipas ligjit është bashkëshorti) ato vlerësohen njëlloj si të ishin të rregjistriara në emër të vetë zyrtarit”. Për pasojë, sipas deputetëve të PD-së, shoqëria “AG.TCC” shpk, konsiderohet dhe në pronësi të vetë ministres dhe deputetes Olta Xhaçka”, e kësisoj dhe “përfitimet nga pasuria e shtetit, që burojnë nga vandimi për “miratimin e statusit investitor strategjik”, janë përfitime të ministres dhe deputetes Olta Xhaçka”.

Në një deklaratë për BIRN-in, bashkëshorti i zonjës Xhaçka, ishte shprehur një ditë pas vendimit të Qeverisë se “unë jam investitor strategjik dhe po ndërtoj një hotel, nuk po ndërtoj vila siç bëjnë të tjerët,” kishte shpjeguar Gaçi për BIRN-in, duke shtuar se sipas ligjit, “më takon zona e plazhit përballë hotelit për të vënë shezlongët”. Sipas tij për të shmangur konfliktin e interesit, për shkak të pozicionit të bashkëshortes si anëtare e qeverisë “unë gjeta një kompani tjetër me përvojë në këtë fushë, e cila do të marrë në menaxhim hotelin dhe plazhin dhe unë jam thjesht investitori,” i tha Gaçi BIRN-it.

Ndërsa në muajin prill, gjatë debateve në parlament, duke ju përgjigjur akuzave të ish kryeministrit Sali Berisha, i cili ka rimarrë drejtimin e PD-së, vetë ministrja Xhaçka u shpreh se “bashkëshorti im s’ka përfituar asnjë cm2 tokë nga ky shtet. Bashkëshorti im është në pronën e tij, me investimin e vet privat. Dhe si për çdo biznesmen që punon me djersë e riskon në këtë vend, unë jam krenare për burrin tim”, u shpreh ajo.

Mbetet për të parë nëse përfshirja e kompanisë tjetër që merr përfitimet e investitorit strategjik, nga vendimi i qeverisë, do të konsiderohet ose jo si shmangie realisht nga konflikti i interesit. Sepse mbi zotëruesen e shoqërisë “AGTCC Hotel Management”, dyshimet janë të dukshme për një përdorim të mundshëm si një fasadë. Po BIRN, ka zbuluar se ajo nuk ka asnjë të kaluar apo eksperiencë në administrim të një aktiviteti të tillë të mëparshëm e për më tepër rezulton te jetë prej një kohe të gjatë bashkëjetuese e vëllait të ministres Xhaçka.

Kërkesa për t'i hequr mandatin e deputetes ministres Xhaçka, reagon Taulant Balla
please wait

No media source currently available

0:00 0:00:36 0:00

Njoftimi i deputetëve të opozitës për kërkesën e tyre lidhur me mandatin e zonjës Xhaçka erdhi pasi me herët gjatë ditës, Konferenca e kryetarëve, refuzoi për të disatën herë kërkesën e 35 deputetëve demokratë për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për investimet strategjike. Sipas kryetarit të grupit parlamentar socialist Taulant Balla, kërkesa kishte mospërputje me përcaktimet kushtetuese. “Pa hequr dhe pa i mohuar të drejtën e 35 deputetëve, e drejta e parlamentit nuk është e pakufizuar. Ajo duhet të përqaset me nevojën e identifikimit të indicieve dhe fakteve konkrete. Të kërkosh të hetosh të gjitha kontratat dhe hapësirën e zbatimit të ligjit nuk mund të jetë objekt i një komisioni hetimor”, tha zoti Balla.

Alibeaj justifikon kërkesën për t'i hequr mandatin e deputetes ministres Xhaçka
please wait

No media source currently available

0:00 0:01:01 0:00

Por kryetari i grupit parlamentar demokrat Enkelejd Alibeaj, u shpreh se shumica kishte nxjerrë arsyetime dhe justifikime “banale dhe qesharake”. Sipas tij, “me këtë akt, i disati në radhë, kjo shumicë ka vendosur asgjësimin total të njërit prej instrumentave të parlamentarizmit, që ka opozita, siç janë komisionet hetimore parlamentare. Edhe këtë herë është ndjekur e njejta strategji duke shkelur kushtetutën, ligjin, traditën por dhe interpretimet e Gjykatës kushtetuese”, u shpreh zoti Alibeaj, duke shtuar se “është një zvarritje për të penguar hetimin për një sferë shumë të rëndë korruptive të qeverisë. Ka motive të tjera se përse qeveria do të mbyllë fort, për të mos ja bërë me dije medias e publikut atë që ka gatuar me investimet strategjike. Eksponentë të lartë politikë, eksponentë të afërt me shumicën, të cilët në mënyrë korruptive, selective e në konflikt interesi përfitojnë investimet strategjike”, deklaroi zoti Alibeaj, duke u shprehur se në ditët e ardhshme, do të flisnin me raste konkrete.

Por vendimi për të bërë publike kërkesën për rastin e ministres Xhaçka, u përshpejtua, mesa duket, nga fakti se deputeti tjetër demokrat Agron Shehaj, i rreshtuar me përkrahësit e ish kryeministrit Berisha, doli sot në mesditë për të denoncuar pikërisht rastin e zonjës Xhaçka.

XS
SM
MD
LG