Lidhje

Shqipëri, opozita kërkon mbarimin e mandatit të deputetes Olta Xhaçka


Në Tiranë, këshilli parlamentar i mandateve diskutoi sot mocionin e një grupi deputetësh të opozitës për mbarimin e mandatit të deputetes Olta Xhaçka, njëkohësisht ministre e punëve të jashtme.

Ata kërkuan që Gjykata Kushtetuese të shqyrtojë një konflikt të mundshëm interesi midis mandatit të saj si deputete dhe investimeve të kompanisë së bashkëshortit të saj në bregdetin e jugut.

Shqipëri, opozita kërkon mbarimin e mandatit të deputetes Olta Xhaçka
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:49 0:00

Zonja Xhaçka i ka hedhur poshtë akuzat, duke theksuar se nuk ka përfituar asgjë nga pasuritë shtetëtore.

Ndërsa kryeministri Rama i pyetur sot për këtë çështje në një konferencë shtypi, i quajti akuzat e opozitës si një sulm politik.

Duke kërkuar mbarimin e mandatit të deputetes Olta Xhaçka, ligjvënësit opozitarë iu referuan nenit 70 të Kushtetutës, sipas të cilit, deputetët nuk mund të kryejnë asnjë veprimtari fitimprurëse, që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor dhe as të fitojnë pasuri të këtyre.

Ata cituan po ashtu nenin 35 të ligjit për konfliktin e interesave, sipas të cilit, kur aksionet apo pjesë të kapitali janë regjistruar në emrin e familjarit, ato vlerësohen njëlloj si të ishin regjistruara në emër të vetë zyrtarit”.

Sipas tyre, shoqëria e bashkëshortit të ministres, që ka marrë nga qeveria statusin e investitorit strategjik për të ndërtuar një hotel në bregdetin jugor, konsiderohet dhe në pronësi të vetë ministres dhe deputetes Olta Xhaçka.

“Ministrja Xhaçka fiton 50 për qind nga investimi i bashkëshortit të saj, për të cilin citova këtu dy vendime qeverie që lehtësojnë këtë punë, që në fakt është një konflikt interesi. Kushtetuta flet qartë për këtë, por ashtu edhe ligji për konfliktin e interesit” - tha në mbledhje deputeti i Partisë Demokratike të opozitës, Gazmend Bardhi.

Ministrja Xhaçka është njoftuar nga këshilli i Kuvendit për mandatet dhe imunitetet për të shprehur qëndrimet e saj lidhur me çështjen.

Deputetët e opozitës propozuan t’i bëhet një ftesë zonjës Xhaçka dhe t’i jepet mundësia për t’u dëgjuar nga kolegët e saj.

Deputetët socialistë e pranuan idenë, por theksuan që nëse ministrja vjen për të folur mendimet e saj, ajo mbledhje nuk mund të ishte një seancë dëgjimore klasike me pyetje përgjigje.

Gjatë një interpelance disa ditë më parë në Kuvend dhe sot gjatë një konference përkrah kryeministrit Rama, zonja Xhaçka përsëriti se nuk është në konflikt interesi, se nuk ka përfituar nga pasuria shtetërore asnjë monedhë e asnjë centimetër tokë, dhe se investimi është pjesë e biznesit të bashkëshortit të çelur qysh nga vitet 90.

Kryeministri Rama e mori në mbrojtje ministren e tij, duke theksuar se “nuk bëhej fjalë për konflikt interesi”, se “subjekti në fjalë ishte vetëm njëri nga mijëra subjekte të tjerë, që gëzojnë të drejtën të shfrytëzojnë bregdetin përpara pronës së tyre private”.

Ai ritheksoi se akuzat ndaj ministers Xhaçka ishin një furtunë në gotë, një cështje e paqenë, por përbënin një sulm politik nga ana e opozitës.

“Ka kaluar tashmë koha kur ne shpresonim që opozita të ndryshojë. Mirëpresim ndryshimin e këtyre opozitarëve, por mesa duket, ata nuk do të ndryshojnë asnjëherë. Kjo tërheqja zvarrë e çdo gjëje dhe kujtdo qoftë që del përpara për të bërë linçime dhe përbaltje publike është një praktikë, që mesa duket nuk do të ndryshojë” - tha zoti Rama.

Një vit më parë kompania në pronësi të Artan Gaçit, bashkëshort i ministres Xhaçka, mori statusin e investitorit strategjik për të ndërtuar një hotel me 5 yje në bregdetin e Dhërmiut në jug të vendit.

Një vendim i qeverisë në mars të këtij viti lejoi përdorimin afatgjatë të bregdetit dhe plazhit përballë hotelit.

Zoti Gaçi ka deklaruar për rrjetin investigativ BIRN se për të shmangur konfliktin e interesit, ai kishte gjetur një kompani amerikane me përvojë për të menaxhuar investimin dhe plazhin. Dhe kompania e re është në pronësi të partneres së vëllait të ministres Xhaçka.

XS
SM
MD
LG