Lidhje

Mijëra besimtarë i japin lamtumirën e fundit Papa Benediktit


Mijëra besimtarë dhe udhëheqës politikë morën pjesë në varrimin e Papa Benediktit të XVI. Ceremonina e udhëhequr nga Papa Françesku është një tubim i rrallë lamtumire për një papë të vdekur, që drejtohet nga një papë i gjallë.

Mijëra besimtarë i japin lamtumirën e fundit Papa Benediktit
please wait

No media source currently available

0:00 0:01:55 0:00

Papa Benedikti do të mbahet mend si papa i parë në gjashtë shekuj që la drejtimin e Vatikanit para se të vdiste, pasi vendosi të dalë në pension në vitin 2013.

Në lutjen e tij gjatë ceremonisë së varrimit të mbajtur para mijëra besimtarëve, Papa Françesku e krahasoi paraardhësin e tij Papa Benediktin e XVI me Jezu Krishtin, ndërsa një numër pjesëmarrësish kërkuan shenjtërimin e tij.

Vdekja e Papa Benediktit i dha fund një dekade gjatë së cilës një papë i dorëhequr dhe papa aktual jetuan të dy në Vatikan.

Kjo është hera e parë në më shumë se 200 vjet që një papë drejton funeralin e paraardhësit të tij.

Vdekja e teologut gjerman shihet si një humbje e madhe për konservatorët që kërkonin kthimin tek një kishë më tradicionale, që ishte pjesë e doktrinës së Benediktit, i cili befasoi botën në vitin 2013, duke u bërë papa i parë në 600 vjet që jep dorëheqje.

Papa Françesku vlerësoi guximin e Papa Benediktit për t’u tërhequr, duke thënë se kjo “hap derën” që edhe udhëheqësit e tjerë fetarë të veprojnë njësoj.

Në fund të varrimit në sheshin e Shën Pjetrit, disa besimtarë kërkuan shenjtërimin e menjëhershëm të tij, thirrje të ngjashme me ato që ishin dëgjuar edhe në funeralin e Papa Gjon Palit të II-të në vitin 2005.

Ndërsa tre nga pesë krerët e fundit të Kishës Katolike janë shenjtëruar, në historinë 2 mijë vjeçare të Kishës vetëm rreth një e treta e të gjithë udhëheqësve të Vatikanit janë shpallur shenjtorë.

Në meshë morën pjesë 125 kardinalë, 200 peshkopë dhe rreth 3700 priftërinj. Papa Benedikti kishte kërkuar një ceremoni të thjeshtë, në të cilën morën pjesë rreth 50 mijë besimtarë, tha Vatikani.

"Është një ditë e trishtë, por domethënëse. Doja të isha këtu që ta ndjeja me zemrën time”, thotë Mariana, besimtare nga Argjentina.

"Është lajm i keq ai për vdekjen e Papës, por kjo është një ceremoni e bukur që përfaqëson jetën dhe atë që ai donte, një ceremoni e thjeshtë por shumë e bukur”, tha Enrique Macari, besimtar nga Brazili.

Papa Benedikti i XVI, vdiq më 31 dhjetor në moshën 95 vjeçare. Ai konsiderohet si një nga teologët më të shquar të shekullit të 20-të.

XS
SM
MD
LG