Lidhje

Besimtarët nderojnë Papa Benediktin XVI 


Faithful pay homage to former Pope Benedict in St. Peter's Basilica at the Vatican
Faithful pay homage to former Pope Benedict in St. Peter's Basilica at the Vatican

Në Vatikan po vazhdojnë për ditën e dytë nderimet pranë trupit të Papa Benediktit XVI, i cili vdiq të shtunën, në moshën 95 vjeçare. Gjatë këtij muaji pritet edhe publikimi i librit të mikut dhe sekretarit personal shumë vjeçar të Papa Benediktit me titullin: “Gjithë të Vërtetat: Jeta ime pranë Papa Benediktit”.

Besimtarët nderojnë Papa Benediktin XVI
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:00 0:00

Të enjten, Papa Françesku do të drejtojë meshën funerale në sheshin e Shën Pjetrit për paraardhësin e tij, i cili bëri histori duke u bërë Papa i parë në 600 vjet që jep dorëheqjen.

Papa Benedikt, i cili si kardinal gjerman Joseph Ratzinger, kishte shërbyer për dekada në Vatikan, shquhej për njohuritë teologjike si dhe për fjalimet, të cilat ndryshe nga shumë prej paraardhësve të tij, i shkruante vetë.

Kjo është dita e dytë që mijëra besimtarë bëjnë nderime para trupit të Papa Benediktit XVI në bazilikën e Shën Pjetrit.

“Të shohësh kishën që njëherësh ishte bosh dhe më pas u mbush me gjithë ata njerëz që vajtojnë Papën, është vërtet shumë prekëse dhe mbresëlënëse”, thotë Katerina Ditler, besimtare nga Gjermania.

“U emocionova shumë, edhe pse momenti përballë tij ishte shumë i shkurtër, jam shumë i lumtur që e pashë”, thotë besimtar katolik francez, David Culot.

Funerali, sipas njoftimeve të Vatikanit, do të karakterizohet nga thjeshtësia, që e ka kërkuar vetë Papa Benedikti XVI.

“Ai ishte i butë dhe i dashur, pak i rezervuar, por mjaftueshëm për të qenë një Papë që do të mbahet mend”, vlerëson besimtarja italiane, Maria Rosa Certelli.

Gjatë këtij muaji do të publikohet edhe një libër i shkruar nga ish sekretari personal shumë vjeçar i Papa Benediktit XVI.

Botuesi i veprës së Kryepeshkopit Georg Gaenswein: “Gjithë të Vërtetat: Jeta ime pranë Papa Benediktit” thotë se libri do të tregonte të vërtetën për “shpifjet flagrante”, “manovrat e errëta”, misteret dhe skandalet që dëmtuan emrin e ish Papës. Gjatë një interviste, Kryepeshkopi Gaenswein kujtoi momentin kur udhëheqësi i Kishës Katolike i tregoi se do jepte dorëheqjen.

“Papa ma tha këtë kur ishim në Castel Gandolfo, rezidencën verore papale në periferi të Romës, pak muaj para se ta bënte publike. Unë i thashë: ‘Atë i shenjtë, kjo nuk është e mundur, ne mund të pakësojmë ngarkesën e çështjeve, por të largohesh është e pamundur’. Ai më la të flas për një kohë, dhe më pas më tha: ‘kam menduar gjatë dhe shumë për këtë. Tani po ju komunikoj se është marrë një vendim”, kujton Kryepeshkopi Gaenswein.

Georg Gaenswein i referohet edhe betejave, skandaleve dhe problemeve me të cilat Benedikti u përball gjatë papatit të tij tetë-vjeçar, duke kujtuar se ai kishte kërkuar lutje në fillim për ta mbrojtur nga “ujqërit” që ishin gati ta sulmonin.

“Kushdo që mendon se mund të ketë një papat të qetë, ka zgjedhur profesionin e gabuar, kjo nuk është e mundur”, vlerëson ish Sekretari Personal i Papa Benediktit XVI, Kryepeshkopi Gaenswein.

Ai përmend në veçanti rastin e njohur botërisht si “Vatileaks”, apo rrjedhja e dokumenteve sekrete të Vatikanit në vitin 2012 ku u zbuluan komplote, korrupsion dhe rivalitete të hidhura brenda hierarkisë së Kishës Katolike.

XS
SM
MD
LG