Lidhje

Parlamenti i Kosovës debaton mbi grevën në sektorin publik


Parlamenti i Kosovës debaton mbi grevën në sektorin publik
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:48 0:00

Parlamenti i Kosovës debatoi të enjten me tone të ashpra për shkak të grevës në sektorin publik të vendit, e cila ka filluar më 25 gusht.

Grevistët po kërkojnë 100 euro shtesë në muaj deri në miratimin e Ligjit për Pagat, për shkak të siç thuhet krizës ekonomike. Qeveria ka ofruar 50 euro shtesë në muaj për punonjësit e sektorit publik në kuadër të paketës për përballjen me inflacionin. Të dy palët, pavarësisht diskutimeve, nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje përmes së cilës kjo grevë do të merrte fund.

Partitë opozitare e kritikuan qasjen e qeverisë ndaj kësaj situate, duke mbështetur kërkesat e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës.

Kryeministri Albin Kurti, tha se kërkesa për 100 euro në muaj është e paarsyeshme dhe e papranueshme, ndërsa shprehu bindjen se zgjidhja duhet të gjendet nëpërmjet paketës së ofruar për përballje me inflacionin.

Nuk është problemi te mungesa e komunikimit, ose te kurrfarë arrogance ose inati, por e kemi një mospajtim themelor sepse unë jam i bindur që në këtë krizë duhet të dalim përmes pakos që mundëson përballjen me inflacion e jo përmes kërkesave partikulare derisa të votohet projektligji për pagat i cili që nga sot është në diskutim publik. Pra nuk mund të thuhet që ne i mirëmbajmë në mënyrë demokratike, të ligjshme dhe të shëndetshme financat shtetërore nëse një grupi të caktuar ia plotësojmë kërkesën për një shtesë të caktuar, nuk ka rëndësi sa është ajo, deri sa të bëhet projektligji për paga i plotfuqishëm në parlamentin e Kosovës”, tha Kryeministri Kurti.

Ai akuzoi partitë opozitare për mbështetje të grevës me synim sulmin ndaj qeverisë së tij, akuzë të cilën partitë opozitare e hodhën poshtë.

50 euro që i merr mësimdhënësi jo deri sa të kalojë ligji i pagave, por për t’u përballur me inflacionin, janë rritje më e madhe në pagën e tyre sesa rritja ekonomike e Kosovës vitin e kaluar. Në çdo vend të Evropës Perëndimore një sindikatë që do të realizonte kaq kërkesa do të bënte festë e jo grevë, por këtu po shihet se çështja është dikund tjetër, komplet opozita e mbështet grevën”, tha Kryeministri Kurti.

Nuk është puna e 100 eurove as e 80 eurove por e dinjitetit, të mund të shkojnë siç duhet para nxënësve e të mos turpërohen sepse i ka sjellë në pikën që të turpërohen. Edhe akuzon se është e opozitës, sikur ta kishte mbështetur opozita ndryshe do të ishte, ta dini. Mos e sillni punën që ne ta mbështesim grevën sepse do të çuditeni. Është e tyre, është për ta, është e mësimdhënësve dhe ju e keni çelësin e zgjidhjes”, tha kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.

Përtej paranojës që e kishte se armiq të padukshëm ju kanë bërë bashkë për ta rrëzuar, e siç ju thashë më shpesh e përmendin rrëzimin këta sesa ne, mendojeni këtë gjë pak, ai listoi disa masa pa kuptuar vetë problemin me to. Pra foli për rritje për pako të çmimeve por në anën tjetër i ka 20 për qind inflacion, foli për pako të energjisë e në mes të verës nuk kemi pasur rrymë”, tha Lumir Abdixhiku nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Për shkak të grevës mbi 300 mijë nxënës nuk kanë nisur ende mësimin që zakonisht fillon më 1 shtator. Ekspertë të arsimit dhe përfaqësues të organizatave që merren me mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, e vlerësojnë këtë si shkelje të së drejtës themelore për arsim, ndërsa tërheqin vërejtjen për pasojat e një bllokade të tillë të sistemit arsimor.

XS
SM
MD
LG