Ministria britanike e Mbrojtjes tha të martën se pret që Rusia të përdorë të njëjtat taktika, që përdori për të kapur pothuajse të gjithë provincën e Luhansk-it të Ukrainës lindore, ndërsa përpiqet të marrë nën kontroll provincën e Donetsk-ut dhe të arrijë qëllimin e saj të deklaruar, për të marrë nën kontroll të gjithë rajonin e Donbas-it. Nga ana tjetër, forcat ukrainase po vazhdojnë betejen me shpresën se ardhja e artilerisë së rëndë nga Perëndimi do të ndihmojë përpjekjet e tyre.
Ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, i raportoi Presidentit Putin, gjatë një takimi të transmetuar në televizion të hënën, se forcat ruse kishin marrë kontrollin e Luhansk-ut.
Nga ana tij, zoti Putin tha se njësitë ushtarake “që morën pjesë në luftime dhe arritën fitore” në Luhansk, “duhet të pushojnë dhe të rrisin aftësitë e tyre luftarake”.
Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës tha se forcat ruse, përveç përparimeve në Siveresk, Fodorivka dhe Bakhmut, po godasin me artileri qendrat e fundit që mbahen nga forcat ukrainase në Sloviansk dhe Kramatorsk, në thellësi të Donetsk-ut.
Rrjeti televiziv britanik, Sky News, transmetoi pamje të një njësie ukrainase që po përdorte një mjet të lëvizshëm të artilerisë së rëndë, prodhim francez, në betejën për të zmbrapsur forcat ruse.
“Ky territor nuk do të jetë i tyre për shumë kohë. Ne do t’i mundim së shpejti”, thotë një ushtar ukrainas.
Në Krasnohorivka, në rajonin e Donetsk-ut, pamjet nga rrjeti “Sky News”, tregojnë punonjësit që shkarkojnë ndihma nga një automjet për t’i shpërndarë tek banorët.
“Frika dhe tmerri të kaplon. Nuk e di nga do të vijnë predhat. Është një situatë e frikshme. Dua të them se ne duam vetëm paqe”, thotë Valentina, e cila bashkë me disa gra të tjera po përgatit listat e ndihmave për banorët.
Sipas rrjetit televiziv “Sky News”, vullnetarët kanë një listë me rreth 6,000 njerëz të zonës në kushte tejet dëshpëruese që kanë nevojë për ndihma.
Në Marinka, afër vijës së frontit rus në rajonin e Donetskut, banorët janë vendosur nëpër strehime nëntokësore.
“Kemi frikë të kthehemi në shtëpi, sepse nuk kemi ku fshihemi”, thotë një grua në strehimore nën tokë.
Ajo që do të ndodhë në Donbas mund ta përcaktojë rrjedhën e luftës. Nëse Rusia e merr atë, Kremlini mund t’i përdorë disa prej atyre forcave për të kontrolluar më shumë territore dhe diktuar kushtet e ndonjë marrëveshjeje paqeje.
Por nëse Ukraina arrin të ndalojë përparimin rus për një periudhë të gjatë, ajo mund të riorganizohet për një kundërsulm të mundshëm.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, tha në fjalimin e tij të mbrëmjes të hënën, se vendi i tij ka nevojë për ndihmë ekonomike për të filluar rindërtimin, edhe pse vazhdojnë luftimet.
Më herët, ai iu drejtua një konference në Lugano të Zvicrës, ku po marrin pjesë dhjetëra vende dhe organizata ndërkombëtare, e cila ka në qendër përpjekjet e rindërtimit të Ukrainës së shkatërruar nga lufta.