Forcat ruse po “përqendrojnë përpjekjet e tyre kryesore” në qytetet e Lisiçanskut dhe Verkhnokamjankës, në rajonin e Donetskut, tha të dielën zëdhënësi i ushtrisë ukrainase. Ndërkohë, shpërthimet në një qytet rus afër kufirit me Ukrainën kanë shkaktuar vrasjen e të paktën katër personave.
Rusia njoftoi të dielën se ka marrë nën kontroll një qytet të rëndësishëm të provincës së Luhanskut. Ministri rus i Mbrotjes Sergei Shoigu i ka thënë Presidentit rus Vladimir Putin të dielën se forcat e armatosura të Rusisë dhe seperatistët pro-rusë kanë marrë kontrollin e plotë të qytetit të Lisiçanskut.
Komandanti i Ushtrisë së Ukrainës njoftoi se forcat e tij ishin tërhequr nga Lisiçansku, një qytet që ndodhet në provincën e Luhanskut, por presidenti ukrainas Zelenskyy tha se lufta për qytetin është ende duke vazhduar.
Nëse konfirmohet, pushtimi i Lisiçanskut do ta sillte Moskën me afër qëllimit të saj të deklaruar për të pushtuar të gjithë rajonin e Donbasit në Ukrainën lindore.
Luhansku dhe Donetsku fqinj, janë dy provincat që përbëjnë rajonin Donbasit, ku Rusia ka përqendruar ofensivën e saj që nga tërheqja e trupave nga veriu i Ukrainës dhe kryeqyteti i saj, Kievi, në pranverë.
Ndërkohë, nga shpërthimet në një qytet rus në kufi me Ukrainën të dielën janë vrarë të paktën katër persona, thanë zyrtarët rusë.
Dhjetëra ndërtesa banimi u dëmtuan nga shpërthimet në Belgorod. Ligjvënësi rus Andrei Klishas ka bërë thirrje për një përgjigje ushtarake ndaj shpërthimeve.
"Vdekja e civilëve dhe shkatërrimi i infrastrukturës civile në Belgorod", tha ai në një postim në platformën Telegram, "janë një akt i drejtpërdrejt agresioni nga ana e Ukrainës dhe kërkojnë përgjigjen më të ashpër, duke përfshirë atë ushtarake".
Zyrtarët ukrainas zakonisht nuk kanë bërë komente mbi sulmet në territorin e Rusisë.