Lidhje

Ndihma nga organizata amerikane për ushtarët ukrainas  


Në Ukrainë, ushtarët ndjekin standardet amerikane se si duhet të reagojnë për dhënien e ndihmës së parë në fushën e betejës. Falë një organizatë jofitimprurëse amerikane, ushtria ukrainase ka përfituar rreth 15 mijë komplete të ndihmës së parë.

Forcat e armatosura të Ukrainës po stërviten se si të japin ndihmën e parë në fushën e betejës. Programi për ushtarët ukrainas bazohet në përvojën e ushtrisë amerikane, që është standardi më i lartë për të gjitha vendet e NATO-s.

Instruktorja Iryna Kostenko rikrijon një situatë reale për luftëtarët. Dhe sipas këtij skenari, koha që duhet për të shpëtuar një jetë, është tejet e kufizuar.

Me përvojë në fushën e betejës, zonja Kostenko ka punuar si instruktore për më shumë se tetë vjet. Në muajin shkurt ajo ishte në Uashington ku mësoi taktikat e ushtrisë amerikane. Pasi filloi lufta, zonja Kostenko u kthye menjëherë në Ukrainë.

“Presidenti rus Vladimir Putin ndryshoi planet tona dhe ne u detyruam të ktheheshim në Ukrainë. Organizata “United Help Ukraine” na ndihmoi duke mbledhur për ne disa kuti me paisje mjekësore, në mënyrë që ne të mos ktheheshim në shtëpi duarbosh”, thotë ajo.

Organizata “United Help Ukraine” ka nisur punën që nga vitit 2014. Pas nisjes së agresionit rus në Ukrainë më 24 shkurt, organizata ka shpërndarë mbi 15 mijë komplete të ndihmës së parë, dhe 10 mijë të tjera do të transportohen në muajit në vijim.

Stërvitja intesive për ushtarët ukrainas zgjat tetë orë. Gjatë asaj kohe, ushtarët duhet të mësojnë të ndalojnë gjakderdhjen tek të plagosurit.

“Në fushëbetejë, ndihma jepet nga ai që është më afër, nga shokët, ndaj duhet të dimë se çfarë të bëjnë. Besoj se do t’ia dalim. Unë besoj në ekipin me të cilin po punoj sot. Jam e sigurt se do të jemi në gjendje t’u mësojmë atyre bazat e ndihmës së parë mjeksore”, thotë Iryna.

Pjesë e ekipit janë edhe 3 instruktorë të tjerë. Secili prej tyre i mëson ushtarët një fazë të veçantë të stërvitjes.

“Sot do të kemi stërvitje që përqendrohet në ato raste kur një i plagosur po humbet një sasi të madhe gjaku, apo tek problemet me rrugët e frymëmarrjes dhe hipoterminë. Këtu kemi një stacion evakuimi ku do të mësojmë se si të marrim të plagosurit nga fusha e betejës”, thotë instruktori Mykola Ayb.

Çdo javë kryhen stërvitje intensive për ushtarët ukrainas se si të reagojnë kur kolegët e tyre plagosen. Instruktorët thonë se shpërblimi kryesor që ata marrin, janë jetët e shpëtuara.

XS
SM
MD
LG