Lidhje

Sulmi rus mbi Ukrainë – Beteja e mjekëve për të shpëtuar jetë


Të paktën 128 fëmijë kanë vdekur dhe 172 të tjerë janë plagosur që nga fillimi i sulmit rus në Ukrainë, sipas zyrës së prokurorit të përgjithshëm të Ukrainës. Kombet e Bashkuara njoftojnë se më shumë se 1000 civilë kanë vdekur deri më tani. Por pavarësisht rrezikut të vazhdueshëm, mjekët ukrainas po përpiqen të parandalojnë më shumë vdekje. Në materialin në vazhdim, Zëri i Amerikës sjell zërin e disa prej mjekëve që po shpëtojnë jetë ndërsa spitalet ukrainase vazhdojnë të jenë në shënjestër të bombardimeve ruse.

Mes sulmeve ruse nga toka dhe ajri, mjekët ukrainas po shpëtojnë jetë. Ata thonë se spitali kryesor i fëmijëve në Ukrainë, Ohmatdyt, është granatuar disa herë. Zëri i Amerikës bisedoi me mjeken neurologe Galyna Fedushka përmes rrjetit Zoom.

“Mes orës 5 dhe 6 dëgjuam tre shpërthime pranë spitalit. Pacientët dhe punonjësit i përjetuan këto shpërthime. Dritaret dhe dyert u thyen. Zyra e neurologjisë u shkatërrua. Tavani është rrëzuar dhe nuk punohet më aty. Gjithsesi ne vazhdojmë t’i ndihmojmë njerëzit në ndërtesat e tjera, në pjesë të tjera të spitalit.”

Mjekët po punojnë pa pushim në qytete si Mariupoli, Sumy, Chernihivi, Kharkivi dhe gjetkë.

Po përpiqemi të bëjmë punën tonë sa më mirë. Kur jemi në sallat e operacionit dhe dëgjojmë shpërthime, përpiqemi të ruajmë qetësinë dhe lutemi. Punojmë shpejt dhe pa panik, duke u përpjekur të mos mendojmë se çfarë po ndodh jashtë sallës së operacionit. Është e mahnitshme të shohësh unitetin tonë”, thuhet në një mesazh të publikuar nga një mjek ukrainas në mediat sociale.

Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se që nga fillimi i agresionit rus, ka regjistruar të paktën 64 sulme ndaj institucioneve mjekësore në Ukrainë. Në Mariupol, forcat ruse u futën në një spital të kujdesit intensiv dhe morën pengje, sipas Nismës Mediatike për të Drejtat e Njeriut. Zëri i Amerikës bisedoi me mjeken e Spitalit Shtetëror të Kievit, Uliana Kashchii.

“Çdo individ që punon në spital është i përgatitur sepse granatimet kanë ndodhur tashmë në shumë qytete. Të gjithë e dinë se çfarë do të thotë të punosh në spital, ata e dinë se thjeshtë mund të bëhen objektiv sulmi”.

Shumica e mjekëve punojnë pa ndërprerje për ditë të tëra. Disa jetojnë në spital. Njëra prej tyre është mjekja Anastasiia Moisieienko e cila foli me Zërin e Amerikës nga spitali i Kievit.

“Ditën e parë kur filloi lufta nuk arrita të shkoja në punë. Ditën tjetër mu deshën tre orë të arrija në spital, ndaj vendosa të banoj këtu. Këtu kemi një strehë dhe njerëz që mund të ndihmojnë.”

Falë vullnetarëve dhe organizatave private, stafi i spitalit, të paktën tani për tani, po pajiset me gjërat që u nevojiten.

“Furnizimet me ushqime dhe ilaçe kanë funksionuar shumë mirë. Si kompanitë ashtu edhe vullnetarët po ofrojnë ushqime për spitalet ose po shpërndajnë sende ushqimore në mënyrë që ne të mund të gatuajmë”, thotë mjekja Uliana Kashchii.

Pjesa kryesore e ndihmave humanitare për spitalet vjen nga jashtë, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Evropën.

“Nuk janë vetëm shiringa dhe doreza, por ka shumë medikamente të tjera për plagët. Klinika ime ka dërguar shumë medikamente të tilla. Nëse kjo vazhdon për disa muaj, Ukraina do të ketë ndihma të shumta mjekësore moderne në të gjitha spitalet e vendit”, thotë Dr. Ivanka Nebor, themeluese e platformës mjekësore Ingenious.

Uniteti i ukrainasve vihet re kudo.

“Nuk e kisha menduar kurrë se unë dhe kolegët e mi mund të kishim këtë lloj afërsie. Jemi si një familje. Kur punon krah për krah për ditë të tëra, e kupton se janë njerëzit tuaj, ata që të ndihmojnë”, thotë për Zërin e Amerikës Dr. Anastasiia Moisieienko.

“Padyshim që do të fitojmë . Çdo ditë presim fitoren dhe do të bëjmë gjithçka që fitorja të jetë sa më pranë”, thotë mjekja Galyna Fedushka.

Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëron se spitalet në Ukrainë nuk i kanë kapacitetet e duhura për të përballuar numrin e madh të pacientëve ndërsa shtohet nevoja për ndihma humanitare.

XS
SM
MD
LG