Lidhje

Zyrtari amerikan: Putini nuk duket i gatshëm për kompromis përpara bisedimeve të paqes


Ukraina dhe Rusia po përgatiten për bisedimet e para ballë për ballë të paqes pas më shumë se dy javësh, por një zyrtar i lartë amerikan tha se Presidenti rus Vladimir Putin nuk dukej i gatshëm për të arritur një kompromis për t'i dhënë fund luftës. Zyrtari foli në kushte anonimiteti për agjencinë "Reuters".

Zyrtarët ukrainas gjithashtu pranuan se mundësitë për një përparim të madh në bisedime janë të pakta. Bisedimet do të mbahen të martën në Stamboll, një zhvillim që pason një telefonatë mes Presidentit turk Rexhep Erdogan dhe homologut të tij rus Vladimir Putin të dielën.

Por fakti që ato po zhvillohen ballë për ballë për herë të parë që nga një takim me tone të nxehta mes ministrave të jashtëm të të dy vendeve më 10 mars, po shihet si një shenjë e ndryshimeve në prapaskenë në një kohë kur sulmi i Rusisë ka ngecur, e mes sanksionesh të forta që kanë goditur Moskën.

Ndërkohë të dielën Kievi u shfaq i hapur për kompromis. Ukraina është e gatshme të diskutojë mundësinë e një statusi neutral si pjesë e një marrëveshjeje paqeje me Rusinë, por me kusht që një status i tillë të garantohet nga pale të treta dhe të hidhet në referendum, tha Presidenti Volodymyr Zelenskiy në komente të transmetuara të dielën.

Zoti Zelenskiy foli me gazetarë rusë në një bisedë 90 minutëshe përmes videos, një intervistë për të cilën autoritetet ruse kishin paralajmëruar mediat ruse që të mos ta transmetonin.

Presidenti ukrainas tha se agresioni rus kishte shkaktuar shkatërrimin e qyteteve me banorë rusishtfolës në Ukrainë dhe tha se dëmi ishte më i rëndë se ai i shkaktuar nga luftrat ruse në Çeçeni.

"Ne jemi të gatshëm të diskutojmë për garanci sigurie dhe neutralitet, për status jo-bërthamor të vendit tonë. Kjo është pika më e rëndësishme," tha zoti Zelenskiy.

Ukraina mund të diskutojë për përdorimin e gjuhës ruse në Ukrainë në bisedimet me Rusinë, por refuzon të diskutojë kërkesa të tjera ruse, siç është çmilitarizimi i Ukrainës, tha zoti Zelenskiy.

Ndërkohë një anëtar i delegacionit ukrainas në bisedimet me Rusinë tha të dielën se të dyja palët kanë vendosur të takohen në Turqi duke filluar nga e hëna.

Davyd Arakhamia, kreu i grupit parlamentar të partisë “Shërbëtori i Popullit” të presidentit Volodymyr Zelenskiy, tha në Facebook se ishte rënë dakord për bisedimet gjatë një konsultimi me video. Ai nuk dha detaje të tjera.

Megjithatë, kryenegociatori i Rusisë tha se bisedimet do të fillonin të martën dhe jo të hënën.

Të dyja palët janë takuar më parë pa arritur asnjë marrëveshje.

Po të dielën zyrta e presidentit turk Tajip Erdogan tha pas një telefonate me homologun e tij rus Vladimir Putin, se ata kishin rënë dakord që raundi i ardhshëm i bisedimeve mes Ukrainës dhe Rusisë të mbahej në Stamboll.

Zyra e zotit Erdogan tha se ai kishte bërë thirrje gjatë bisedës telefonike për një armëpushim me Ukrainën dhe kushte më të mira humanitare.

"Erdogani vuri në dukje rëndësinë e një armëpushimi midis Rusisë dhe Ukrainës, zbatimin e paqes dhe përmirësimin e kushteve humanitare në rajon," tha zyra e presidentit turk pas telefonatës.

Megjithatë nuk duket se popullata civile në qytetet e rrethuara të Ukrainës, veçanërisht në portin e shkatërruar të Mariupolit, do të marrë frymë së shpejti nga sulmet e vazhdueshme me artileri nga ushtria ruse. Kryebashkiaku i qytetit tha se 160,000 njerëz vazhdonin ende të ishin të bllokuar dhe se Rusia nuk po lejonte evakuimin e tyre.

Kryebashkiaku i Irpinit, një qytet pranë Kievit, tha se forcat ukrainase kishin marrë përsëri kontrollin e plotë të qytetit. "Kemi një lajm të mirë sot, Irpini është çliruar", tha Oleksandr Markushyn, duke shtuar gjithashtu se priten sulme të mëtejshme.

"Ukrainasit po vazhdojnë të përpiqen të rimarrin territore", tha një zyrtar i lartë amerikan i mbrojtjes në kushte anonimiteti, duke shtuar për gazetarët se qyteti në lindje, Trostyanets dhe ai në jug, Sumy, ishin sërish në duart e Ukrainës.

XS
SM
MD
LG