Lidhje

Kosovë: një vit i qeverisë Kurti


Kosovë, viti i parë i qeverisë Kurti
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:57 0:00

Kosovë, viti i parë i qeverisë Kurti

Partitë opozitare në Kosovë kritikuan të martën qeverinë e vendit për siç thanë mospërmbushje të zotimeve, në një vjetorin e krijimit të saj.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha gjatë një konference për gazetarë se qeveria Kurti 2, ka dështuar të sigurojë investime strategjike, të përmirësojë pozitën politike të Kosovës në rajon si dhe të zhvillojë marrëdhënie të qëndrueshme me aleatët strategjik.

“Gjatë këtij viti numri i të papunëve është rritur tepër shumë, numri i të rinjëve e të rejave që kërkojnë largim nga Kosova është rritur jashtëzakonisht shumë, çmimet janë rritur jashtëzakonisht shumë, ndërsa të vetmet që nuk janë rritur janë prodhimi, eksporti, punësimi dhe pagat”, tha ai.

Ai tha se për një vit të qeverisjes së kryeministrit, Albin Kurti, Kosova ka stagnuar edhe në politikën e jashtme.

“Gjatë këtij viti në politikën e jashtme Kosova ka qenë jo vetëm e papërfaqsuar por e keqpërfaqësuar aty ku ka qenë e pranishme. Një vit i plotë ku asnjë hap, as vendim, as veprim, as lobim nuk është ndërmarrë qoftë për njohje të reja të shtetit, qoftë për antarësim në organizata e institucione ndërkombëtare”, tha zoti Krasniqi.

Zëdhënësi i qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, tha në një bisedë me Zërin e Amerikës se rezultatet e qeverisë duhet të maten në bazë të përparsive që i ka dhe sipas tij menaxhimi i pandemisë COVID-19 ka qenë përparësi e kushtëzuar e kësaj qeverie.

“Kjo padyshim se ka ndihmuar që Kosova të ketë numrin më të ultë të vdekjeve nga shtetet e rajonit, pikërisht për shkak të fushatës së suksesshme të vaksinimit. Kjo bashkë me besimin në qeveri padyshim se ka ndikuar edhe në performancën pozitive të ekonomisë, meqë kemi rritje të eksporteve, rritje të të hyrave, rritje të investimeve kapitale sikurse edhe rritje ekonomike”, tha ai.

Zoti Kryeziu tha se Kosova ka pasur nevojë për ndërhyrje serioze në përfaqësimin diplomatik të saj.

“Diplomatët e rinjë të cilët janë emëruar, shumica prej tyre janë diplomatë të karrierës tre të katërtat e tyre, kurse vetëm një e katërta e tyre janë me çelës politik. Askush në asnjë moment nuk është kritikuar për mungesë të profesionalizmit dhe kompetencës për emërimin e tyre dhe kjo flet për një proces shumë të suksesshëm të emërimit të ambasadorëve të rinj të cilët në disa raste mund të jenë të vonuar por megjithatë ka qenë shumë e rëndësishme që emërimi i tyre të jetë adekuat”, tha ai.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tha në një paraqitje para gazetarëve se një nga dështimet e qeverisë është edhe qasja e saj ndaj dialogut me Serbinë.

“Dëm i madh politik për interesat e Kosovës është kalimi i dialogut në nivel tërësisht teknik ku flasim për targa por jo për marrëveshjen përfundimtare që ka rezultat njohjen reciproke. Kosova kësisoj vazhdon të humbas momentumin e rëndëishëm politik, me theks të posaçëm prezencën e administratës Biden dhe fokusit të madh që kjo administratë i ka dhënë Ballkanit Perendimor dhe në veçanti Kosovës”, tha zoti Abdixhiku.

Por, zoti Kryeziu tha se në fakt për dallim prej qeverive paraprake, kjo qeveri e ka trajtuar procesin e dialogut me seriozitetin e nevojshëm.

“Në këto 365 ditë janë mbajtur dy takime të nivelit të lartë politik ndërmjet kryeministrit Kurti dhe presidentit Vucic, ato takime kanë qenë përmbajtësisht politike duke qenë se ju rikujtoj që në ato takime kryeministri i Republikës së Kosovës ka propozuar propozime politike sikur nënshkrimi i një deklarate për mos sulmim dhe për vendosjen e parimit të reciprocitetit edhe në të drejtat e pakicave në vendet tona respektive. Ndërkohë ka pasur edhe çështje të cilat kanë karakter teknik”, tha ai.

Zoti Abdixhiku kritikoi qeverinë edhe për politizim të institucioneve publike.

“Në muajt e parë të qeverisjes të lëvizjes Vetëvendosje është vërejtur një emërim masiv i militantëve partiakë pavarësisht mungesës së kualifikimit profesional në të gjitha bordet e ndërmarrjeve publike”, tha ai.

“Kam përshtypjen se ka një paradoks logjik në kritikën që vjen nga opozita sa i përket politizimit të institucioneve të cilat nuk duhet të jenë të politizuara, duke e përdorur shpesh togfjalshin ‘po ndodh një çkapje për të pasur një kapje’, unë mendoj që kjo shpërfaq në vetvete së pari konfirmimin e tyre se institucionet janë të kapura e të cilat janë të tilla për shkak të atyre që kanë qeverisur më herët dhe të njejtën kohë sikletin dhe jo rehatinë e tyre që ato institucione po çkapen nga njerëzit të cilët mund të jenë emëruar nga ata”, tha ai.

Partitë opozitare në Kosovë ndër të tjera kritikuan qeverinë edhe për krizën energjetike, procesin e vetingut dhe keqmenaxhimin e pandemisë.

Qeveria e Kosovës u miratua me 22 mars të vitit të kaluar nga parlamenti i Kosovës, në një seancë të jashtëzakonshme pas zgjedhjeve të 14 shkurtit në të cilat fituese doli lëvizja Vetëvendosje.

XS
SM
MD
LG