Lidhje

Filmi Delegacioni, premierë në Nju Jork


Filmi Delegacioni, premierë në Nju Jork
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:57 0:00

Në Nju Jork u dha premiera e filmit “Delegacioni” që flet për periudhën e komunizmit në Shqipëri, pas rrëzimit të murit të Berlinit. Regjisori i filmit, Bujar Alimani tha se tema e filmit nuk prek vetëm shqiptarët, prandaj tha se projekti mori vëmendje edhe nga vende tjera që përjetuan komunizmin.

Të martën në Nju Jork u dha premiera e filmit “Delegacioni” film ky që flet për periudhën e komunizmit në Shqipëri, pas rrëzimit të murit të Berlinit. Regjisori i filmit, Bujar Alimani tha se tema e filmit nuk prek vetëm shqiptarët, prandaj tha se projekti mori vëmendje edhe nga vende tjera që përjetuan komunizmin. Realizimi kinematografik u vlerësua lartë jo vetëm nga njohësit e filmit, por edhe nga ata që ishin viktima të përndjekjes. Aktivitetin e përcolli gazetari Burim Goxhuli.

Filmi Delegacioni rikthen Shqipërinë e vitit 1990, kur komunizmi po numëronte ditët e fundit.

Kreu në atë kohë i delegacionit të Këshillit të Sigurimit në Bashkimin Evropian, ishte nisur drejt Shqipërisë ku kërkoi të takojë një mik të studimeve.

“Mirëpo këtë njeri qeveria komuniste e ka futur në burg, në një burg politik ku vuan një dënim prej 17 vitesh. Kështuqë menjëherë duke menduar të përfitojnë nga kjo gjë një makinë e sigurimit të shtetit shkon në burg, e marrin, e rruajnë, e veshin, e përgatisin dalë ngadalë për ta sjellë në Tiranë që të takohet me këtë mikun e tij të vjetër që sot është ai që mund të vendosi hyrjen apo jo të Shqipërisë në negociatat e vendeve që duan të aderojnë pra për të hyrë në komunitetin evropian. E sigurisht ai e merr vesh me vonesë këtë gjë, hap pas hapi dhe vendos të mos bëj lojën e komunizmit”, tha Bujar Alimani në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Regjisori i filmit që është bashkëprodhim midis Shqipërisë, Kosovës, Greqisë dhe Italisë, Bujar Alimani, thotë se pikërisht historia i dha filmit vëmendje ndërkombëtare.

Bujar Alimani, Regjisor i filmit “Delegacioni”

“Pritet mirë sepse jemi përpjekur që mesazhet ti kemi sa më universale, pra mos të jetë një film i lokalizuar vetëm në kohë edhe temë vetëm për komunizmin dhe dicka që na përket vetëm neve. Sigurisht vendeve komuniste u intereson shumë sepse është një temë që edhe ato e kanë kaluar. Jo më kot morëm cmimin e madh në Varshav. Sigurisht ishte i ndikuar nga kjo gjë sepse Polonia ka kaluar sikur ne në komunizëm”, tha ai.

Filmi Delegacioni është propozuar nga Shqipëria për garën e çmimeve Oskar, por ky krijim kinematografik nuk arriti të kualifikohet. Regjisori thotë se mungesa e buxhetit është arsye e dështimit.

Bujar Alimani, Regjisor i filmit “Delegacioni”

“Delegacioni ka pasur të gjitha shanset, ndoshat sa asnjë film tjetër shqiptar, për të qenë shumë shumë afër. Cështja është e gjitha te ajo që quhet lobim. Dhe lobimi përkthehet në para, sidomos këtu në Amerikë. Që do të thotë kur ty të ofrohen pasi publikohen titujt e filmave nga gjithë bota, dy tre kompani amerikane që kërkojnë një shumë të caktuar dhe ministria e bën veshin të shurdhër, shteti e bën veshin të shurdhër, buxhetet janë shumë pak sa vetëm të arrijmë të prodhojmë filmat. Kështuqë mendoj se vetëm shteti mund të loboj fort”, tha zoti alimani

Buxheti për këtë film ishte 600 mijë euro, ndërsa realizimi i projektit zgjati një vit.

Ceremonia e promovimit u organizua nga Konsullata e Kosovës në Nju Jork. Ambasadorja Teuta Sahatqija, tha se arti përfaqëson më së miri shqiptarët dhe se projekte të tilla duhen përkrahur.

Teuta Sahatqija, Konsulle e Përgjithshme e Kosovës në Nju Jork

“Mendoj se arti është ambasadori më i fuqishëm i një kombi dhe për art nuk egzistojnë kufijtë artificial. Ky film si edhe shumë filma tjerë tregojnë që arti nuk njeh kufi dhe filmat të cilët prodhohen, veprat artistike të cilat prodhohen në fakt e tregojnë atë fuqinë e kombit shqiptar kudo që janë. Mendoj se shekulli 21 është shekulli I ringjalljes së shqiptarëve dhe fiulmi delegacioni është vetëm njëra prej atyre dritave të shkëlqyera të cilat vërtetojnë këtë bashkimin këtë fuqinë kombëtare të shqiptarëve”, tha për Zërin e Amerikës Ambasadorja Sahatqija.

Bashkorganizatorja Frida Bedaj, tha se Shqipëria nuk duhet të harrojë të kaluarën.

Frida Bedaj, Bashkorganizatore e premierës

“Po të shikosh gjermanët bënë krime shumë të mëdhaja, por ata përfaqësuan vet me filmat e tyre faljen si të thuash pastërtinë për gabimet që bënë. Edhe ne duhet me artin tonë të falim ato që ne bëmë dhe të ecim më tutje. Duke falur ne do të rregullojmë situatën, por duke e mbajtur dhe mos e treguar ne nuk e rregullojmë situatën ne e bëjmë më të vështirë atë gjë”, tha ajo

Lekë Mirakaj, i mbijetuar i komunizmit, tha për Zërin e Amerikës se filmin e përjetoi me shumë emocione pasi iu rikthyen kujtimet e torturave që kishte përjetuar gjatë 37 viteve burgim dhe internim.

Lekë Mirakaj, I mbijetuar I komunizmit në Shqipëri

“Më krijoi shumë emocione. Sekuencat e para të filmit kur janë aty në mensë, në mensën e burgut ato televizorët e ato, më kthyen në një realitet shumë të hidhur. Po atë dhiumbje. Edhe natyrisht ka ndonjë detaj të vogël. Për shembull ne nuk i kishim krevatet siç ishin aty në film, ne kishim shtrat marinari, 50-60 centimetra por të kihet parasyshë se filmi paraqet realitetin e viteve të 90-ta kur kishte mbaruar komunizmi. Unë e kam bërë pak më përpara”, tha i mbijetuari i komunizmit, Lekë Mirakaj.

Zoti Mirakaj ka besim në brezin e ri në Shqipëri.

Lekë Mirakaj, I mbijetuar I komunizmit në Shqipëri

“Ma thotë mendja se ky brezi i ri sikur e ndjenë përgjegjësinë e fajit të prindërve dhe kjo është shpresë e mire”, tha zoti Mirakaj.

Për Zërin e Amerikës, Burim Goxhuli, Nju Jork

XS
SM
MD
LG