Shtetet e Bashkuara të Amerikës i ndanë edhe 500 mijë dollarë të tjerë ndihmë për Kosovën në luftën e saj kundër pandemisë së COVID-19.
Ambasadori amerikan Philip Kosnett tha në një postim në rrjetet sociale se “Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo, ka njoftuar një pako të re të Departamentit të Shtetit dhe Agjencisë amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) për luftën kundër koronavirusit. Për Kosovën, kjo pako u shton edhe 500 mijë dollarë të tjerë atyre 1.1 milionë dollarëve që Shtetet e Bashkuara kishin zotuar më herët për të mbështetur Kosovën në përballjen me koronavirusin”.
Ndërkaq, në një njoftim të USAID-it thuhet se që nga shfaqja e rastit të parë të të prekurit nga COVID-19, më 13 mars, kjo agjenci :u përqendrua në bashkëpunimin me punëtorët e vijës së parë të frontit dhe komunitetet për të ngadalësuar përhapjen, për të siguruar kujdesin për të prekurit si dhe pajisjet e nevojshme për të luftuar kundër COVID-19. Për shembull, ne kemi shpërndarë 239 pako higjienike nëpër qendrat shëndetësore, 8 mijë e 950 pako familjare dhe 1mijë e 200 pako për fëmijë në të gjitha 38 komunat e Kosovës”.
Lexoni edhe këtë Kosovë, fillon shpërndarja e ndihmave amerikane kundër COVID-19Lufta kundër COVID-19 ende nuk ka përfunduar, thuhet në komunikatë, “prandaj kjo ndihmë shtesë nga populli amerikan do të vazhdojë të sigurojë mbështetje operacionale dhe të rrisë aftësinë e reagimit të duhur nga ana e Kosovës në ndalimin e përhapjes së mëtutjeshme të COVID-19 dhe zbutjen e pasojave të saj”.
USAID kujton se gjatë 20 vjetëve të fundit, shuma e gjithëmbarshme e mjeteve të investuara nga Shtetet e Bashkuara për të ndihmuar Kosovën tejkalon 772 milionë dollarët amerikan.