Ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, tha të enjten se Shtetet e Bashkuara të Amerikës së bashku me UNICEF-in në Kosovë kanë filluar të shpërndajnë ndihmat për Kosovën në betejën me COVID-19.
Ai i bëri këto komente në qendrën shpërndarëse të Kryqit të Kuq në Prishtinë, ku edhe u shënua nisja zyrtare e partneritetit në mes të USAID-it dhe UNICEF-it për ofrimin e ndihmave.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë bërë bashkë me UNICEF-in në Kosovë për të ndihmuar familjet dhe institucionet që janë në vijë të parë të frontit të kësaj beteje. Këto komplete janë pjesë e pakos së ndihmës prej 1.1 milionë dollarësh të USAID-it për Kosovën. Në emër të popullit amerikan, UNICEF-i, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe me Kryqin e Kuq të Kosovës, do t’i shpërndajë këto komplete te familjet anembanë Kosovës”, tha ambasadori Kosnett duke nënvizuar se një reagim i përbashkët ndërkombëtar mbetet efikas kundër COVID-19.
Shefi i Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Murat Sahin, tha se “UNICEF-i është shumë i kënaqur që po bashkëpunon me USAID-in, një partner global kaq të fortë dhe të përkushtuar, veçanërisht gjatë kësaj periudhe të jashtëzakonshme kur pandemia COVID-19 ka ndikuar shumë në jetën e fëmijëve dhe të rinjve. Duke filluar me ofrimin e furnizimeve shëndetësore vitale, përfshirë pajisjet mbrojtëse të stafit, pakot higjienike e deri te zgjidhjet inovative për mësim, UNICEF-i po punon për ta ngadalësuar përhapjen e COVID-19 dhe për të minimizuar ndikimin e tij tek fëmijët dhe të rinjtë", deklaroi zoti Sahin.
Në fund të muajit mars, Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndanë një ndihmë në vlerë mbi një milionë dollarësh për të ndihmuar Kosovën në përpjekjet për të luftuar koronavirusin.
Këto ndihmat janë pjesë e paketës prej afro 274 milionë dollarë që Shtetet e Bashkuara kanë ndarë për të ndihmuar vendet e rrezikuara nga koronavirusi.
Facebook Forum