Përfaqësues të komunitetit LGBT në Kosovë thonë se edhe pse kuadri ligjor ofron garanci për të drejtat e njeriut, përfshirë edhe të drejtat e tyre, komuniteti vazhdon të përballet me probleme të shumta në përditshmëri. Zëri i Amerikës sjell rrëfimin e Blert Morinës, i cili ka bërë kërkesë zyrtare për ndërrim të emrit dhe gjinisë, por kjo kërkesë i është refuzuar.
Your browser doesn’t support HTML5
Blert Morina, edhe pse kishte lindur vajzë thotë të mos jetë ndier asnjëherë si e tillë. Të qenit jashtë normave të zakonshme të shoqërisë në Kosovë të sjell vështirësi të shumta, thotë ai.
“Unë personalisht shumë herë kam kaluar nëpër situata jo të rehatshme, sa herë që më është dashur t’i tregojë dokumentet kurrë nuk e kam ditur se kënd e kam përballë edhe se si do të reagojë ai person në momentin që e sheh se ti nuk je në përputhshmëri me dokumentet e tua”, tha Blerti.
Situata të tilla e kanë shtyrë atë që edhe zyrtarisht të bëjë kërkesë për ndërrim të emrit nga Blerta në Blert, siç e njohin të gjithë, si dhe të gjinisë në dokumentet identifikuese. Kërkesën e ka dorëzuar në komunën ku ka lindur, atë të Gjakovës, por është refuzuar.
“Arsyeja pse është refuzuar kërkesa me atë që ne kemi vërejtur është se nuk ka pasur procedura administrative, pra një person trans gjinor kur dëshiron ta ndërrojë emrin dhe shënuesin e gjinisë në dokumente është vu në pah që në Kosovë një gjë e tillë nuk është e mundshme. Përkundër asaj që Kosova gëzon një legjislacion shumë të mirë, gjithashtu identiteti gjinor është një kategori e mbrojtur me ligjet në fuqi mirëpo praktika para dy javëve na tregoi diçka krejt tjetër”, tha ai.
Forma të tilla të refuzimit janë pothuajse të zakonshme për komunitetin LGBT, thotë Blerti.
“Sigurisht që për mua ka qenë jo e lehtë në momentin kur dikush në njëfarë forme të tregon se si ti duhet të ndihesh ose se si duhet të identifikohesh. Në përgjithësi si qenie njerëzore nuk kemi dëshirë të na vendosin kufij e të na tregojnë se si duhet ta jetojmë jetën tonë”, tha ai.
Avokatja për të drejtat e njeriut, Rina Kika, e cila po e ndihmon Blertin në tërë këtë proces, thotë se vendimi ishte i padrejtë. Ata janë ankuar dhe thonë se janë të gatshëm të shkojnë deri në Gjykatën Kushtetuese.
“Ekzistojnë vetëm tri baza mbi të cilat organi mund ta refuzojë kërkesën për ndryshim të emrit, nëse kundër personit është duke u zbatuar një procedurë penale, apo është duke e vuajtur dënimin për një vepër penale, rasti i dytë është kur konstatohet se personi është duke kërkuar ndërrimin e emrit për shkak se dëshiron që t’i ikë obligimieve tatimore ndaj shtetit dhe rasti i tretë është nëse personi brenda pesë viteve të fundit veçse ka kërkuar një herë ndërrimin e emrit dhe i është aprovuar. Do të thotë janë këto raste të cilat përcaktohen në nenin 18 të ligjit për emrin personal”, tha zonja Kika.
Me gjithë përmirësimet e vogla, sidomos në hartimin apo plotësimin e ligjeve, Blerti thotë se qasja ndaj pjesëtarëve të komunitetit LGBT në Kosovë vazhdon të jetë e vrazhdë.
“Përditshmëria e një personi të komunitetit LGBT nuk është se ka pësuar ndonjë ndryshim ose përmirësim sepse e thash është shumë me rëndësi ta kesh përkrahjen e familjes dhe rrethit të ngushtë e në shoqërinë tonë shumica e personave LGBT hapin e parë, në këtë rast përkrahjen e familjes dhe shoqërisë nuk e kanë, kjo e vështirëson pastaj edhe ta ngrisësh zërin edhe të kërkosh të drejtat e tua”, tha ai.
Kjo situatë sipas Blertit vjen për shkak të mungesës së informimit.
“Unë konsideroj që një njeri pse mund të reagojë pa arsyeshëm ndaj një pjesëtari të komunitetit LGBT është pikërisht mungesa e informatave. Në momentin që secili do ti kishte informatat jam shumë i sigurt që një pozitë e tillë nuk do të ekzistonte për komunitetin LGBT. Ajo që ndoshta do t’i thosha shoqërisë në përgjithësi është që diversitetin mos ta shohin si diçka të keqe”, tha Blerti.
Në tetor të vitit të kaluar Kosova organizoi edhe paradën e parë të krenarisë e cila mblodhi disa qindra persona në qendër të Prishtinës në mbështetje të të drejtave të komunitetit LGBT. Përfaqësues të shoqërisë civile dhe të këtij komuniteti në vazhdimësi tërheqin vërejtjen se kuadri ligjor ofron garanci për të drejtat e njeriut, por ky komunitet ende është i detyruar të jetojë në hije, me frikën se zbulimi i orientimit seksual do të mund të çojë në përjashtimin nga familja e shoqëria.