Profil i kandidatit republikan Mitt Romney

Fushata e zotit Romney është përqendruar në përvojën e tij si drejtues biznesi

Ish-guvernatori i Masaçusetsit, Mitt Romney do të marrë javën e ardhshme emërimin zyrtar si kandidati i Partisë Republikane për zgjedhjet presidenciale, në kuvendin e Partisë në Tampa të Floridës. Në vazhdim ju sjellim një profil të kandidatit republikan.

Partia Republikane do të përfaqësohet në zgjedhjet e nëntorit me kandidatët Mitt Romney dhe Paul Ryan. Në fushatën për t’u bërë Presidenti i 45 amerikan, zoti Romney përpiqet të vërë në pah përvojën e tij në biznes.

“Unë i kuptoj këto gjëra, dhe dua që ta shfrytëzoj këtë përvojë për të krijuar punë të mira për të gjithë amerikanët që duan punë”.

Nëse zgjidhet, zoti Romney thotë se do të ulë taksat, do të shkurtojë shpenzimet qeveritare dhe deficitin buxhetor si dhe do të anulojë ligjin e Presidentit Obama për kujdesin shëndetësor.

Zoti Romney bëri fitime prej miliona dollarësh kur ishte një ndër drejtuesit e kompanisë Bain Capital, një ndër firmat më të mëdha të investimeve në botë. Ai ndihmoi për të shpëtuar nga problemet financiare Lojërat Olimpike Dimërore 2002 në Salt Lake City dhe ishte guvernator i shtetit Masaçusets për një mandat.

Zoti Romney nuk pati sukses katër vjet më parë, kur u përpoq të merrte emërimin e Partisë Republikane si kandidat për zgjedhje.

Por këtë radhë ai i rezistoi konkurrencës nga rivalët më konservatorë Rick Santorum dhe Newt Gingrich dhe kapërceu dyshimet për fenë e tij mormone. Zoti Romney tani kryeson përpjekjet e partisë së tij për të mundur Presidentin Obama në nëntor, thotë analisti John Fortier:

“Mitt Romney mund të mos jetë kandidati më entuziast, por dëshira për të mundur Presidentin Obama është një faktor i fortë motivues për republikanët”.

Në frontin e politikës së jashtme, zoti Romney thotë se Presidenti Obama ka dëmtuar marrëdhëniet me aleatin e Amerikës, Izraelin dhe nuk është treguar i ashpër sa duhet ndaj Iranit, Kinës dhe Rusisë.

“Në marrëdhëniet me vende të tjera, Presidenti ka treguar besim tek njerëz që nuk e kishin fituar këtë besim, ka ofenduar njerëz që nuk e meritonin dhe ka kërkuar ndjesë atje ku nuk duhej”.

Zoti Romney është përqendruar tek problemet e ekonomisë. Por anketat e opinionit tregojnë se ai ka përballë një betejë të vështirë, pasi votuesit e shohin presidentin si më të pëlqyeshëm thotë ekspertja e Universitetit Amerikan Jennifer Lawless.

“Nuk ka diskutim se Mitt Romney ka probleme në këtë drejtim. Por ndoshta ka ardhur koha ta pranojë që ka problem dhe t’u drejtohet amerikanëve me fjalët: “E di që nuk më pëlqeni shumë, por unë do të arrij ta sjell vendin në drejtimin e duhur”.

Zoti Romney njihet më pak se Presidenti Obama. Ky është një fakt ku do të ndalen të dyja fushatat në javët e fundit para zgjedhjeve, thotë specialisti i anketimeve Peter Brown.

“Po zhvillohet një betejë për ta identifikuar Mitt Romney-n para votuesve amerikanë. Kampi Obama do t’i gjejë një identifikim negativ, ndërsa fushata e zotit Romney po përpiqet ta portretizojë sa më pozitivisht. Fitorja do t’i përkasë atij kampi që tregohet më bindës në këtë përpjekje”.

Mitt Romney është 65 vjeç, i martuar që nga viti 1969 me Ann Romney-n me të cilën ka pesë djem.