Lidhje

Znj. Romney në Kuvendin Republikan


Bashkëshortja e kandidatit republikan për president mbajti mbrëmë një fjalim emocional në tribunën e kuvendit republikan, i cili hyri dje në ditën e tij të parë të plotë të punës.

Zonja Ann Romney, përshkroi jetën e saj 44 vjeçare përkrah Mitt Romneyt dhe tha se atyre iu desh të përballeshin me vështirësitë e jetës që kur ishin shumë të rinj.

Ajo foli për cilësitë e zotit Romney si njeri, si bashkëshort, si biznesmen dhe si udhëheqës. Zonja Romney e vuri theksin sidomos te ai që ajo e quajti suksesi personal i kandidatit presidencial në fushën e biznesit, për të cilin ka patur kritika nga demokratët dhe në media.

“Ky është njeriu për të cilin ka nevojë Amerika. Ky është njeriu që zgjohet çdo ditë me vendosmërinë për të zgjidhur problemet që të tjerët thonë se nuk zgjidhen dot”, tha zonja Romney.

Ajo krijoi mjaft emocione në sallë kur tha se i premtonte solemnisht popullit amerikan se zoti Romney nuk do të dështojë, duke nënkuptuar qartë atë që republikanët e quajnë dështim të presidentit Obama.

“Ju mund të keni besim te Mitt Romney. Ai është njeriu që e do me zemër Amerikën. Ai do të na bëjë të jetojmë më mirë. Jepjani atij këtë rast, jepjani Amerikës këtë rast,” tha zonja Romney.

Çifti Romney ka 5 fëmijë.

Zonja Romney e vuri theksin sidomos te aspekti i komunikimit që ka me bashkëshortin e saj kur tha se edhe sot pas më shumë se katër dekadash martesë, ai vazhdon ta bëjë atë të qeshë me gjithë zemër. Ajo e përsëriti disa herë këtë frazë në përgjigje të kritikave të medias se zoti Romney është i ftohtë në komunikimin me votuesit.

Menjëherë pas fjalimit, zoti Romney hyri në sallë dhe u prit me entusiazëm nga të pranishmit.

Një tjetër folës i rëndësishëm në kuvend mbrëmë ishte Chris Christi, guvernator i shtetit New Jersey, i cili ka reputacionin se i thotë gjërat pa dorashka.

Ai tha se Amerika kurrë nuk ka qenë një vend që fshihet nga e vërteta. Historia, tha ai tregon se amerikanët nuk rrinë indiferentë për ato gjëra që kanë rëndësi dhe këto janë cilësi që kanë përcaktuar karakterit dhe rëndësinë e tyre në botë.

Zoti Christie tha se idetë e republikanëve janë të drejta për Amerikën ndërsa idetë e tyre, pra të demokratëve e kanë çuar Amerikën në dështime.

Ai foli kryesisht për çështjen e borxhit të madh kombëtar, për të cilin republikanët kritikojnë ashpër presidentin Obama:

“Me 5 trilion dollarët borxh që i janë shtuar 4 viteve të fundit buxhetit federal ne nuk kemi asnjë alternativë tjetër, por të bëjmë zgjedhje të vështira, për të shkurtuar shpenzimet federale dhe për të zvogëluar përmasat e qeverisë”, tha zoti Christie.

Ai tha se familjeve që rropaten në punë u duhet thënë e vërteta në lidhje me realitetet fiskale të Amerikës, se matematika e shpenzimeve federale është e gabuar.

Guvernatori Christie tha se problemet janë të mëdha dhe zgjidhjet nuk do të jenë pa dhimbje. Ne të gjithë, tha ai, duhet të bëjmë sakrifica dhe çdo udhëheqës që flet ndryshe nuk tregon të vërtetën.

Sonte mbrëma në kuvend do të flasë kandidati republikan për nënpresident, kongresmeni i shtetit Wisconsin, Paul Ryan, ndërsa zoti Romney do ta mbajë fjalimin e pranimit të emërimit nesër mbrëma.

Ende është e paqartë se çfarë ndikimi do të ketë mbi kuvendin uragani Issak, i cili po godet brigjet e shtetit Luiziana me shira, erëra të fuqishme dhe përmbytje. Republikanët shqetësohen se dëmet që mund të shkaktojë uragani mund ta zhvendosin vemendjen nga kuvendi i tyre, i cili mund t’i japë një ngritje të ndjeshme zotit Romney në anketa. Sipas testimeve të fundit, mes dy kandidatëve, Romney dhe Obama, diferenca në anketa është mjaft e ngushtë, 47 me 46% në favor të zotit Romney dhe kjo parashikon një garë mjaft të fortë për zgjedhjet e 6 nëntorit.

Fillimi i kuvendeve kombëtare të partive nënkupton fundin e sezonit të zgjedhjeve paraprake presidenciale dhe fillimin zyrtar të fushatës për zgjedhjet e përgjithshme. Në vitet e fundit, kandidati ka qenë i njohur edhe para kuvendit prandaj nga shumë analistë kuvendet shihen si një ngjarje thjesht propagandistike dhe për kurorëzimin e kandidatit.

Historikisht, kuvendi ka qenë ai që përcaktonte përfundimisht se kush do ta merrte emërimin dhe fraksionet e ndryshme të partisë në kuvend bënin manovra në favor të kandidatit të tyre. Pas futjes së sistemit të zgjedhjeve paraprake në vitet 70, rëndësia e kuvendeve filloi të bjerë dhe ato tani shihen si ngjarje për të shprehur unitetin brenda partisë dhe për të paraqitur platformën e partisë.
XS
SM
MD
LG