Papa Françesku dhe reformat e Vatikanit

  • Zllatica Hoke
Papa po këshillohet me 8 kardinalë për ato që shihen si reforma të domosdoshme në Vatikan

Që kur u zgjodh kreu i Kishës Katolike, Papa Françesku e ka bërë të qartë se papati i tij do të ndryshojë nga të mëparshmit. Nga prekja e besimtarëve ndërsa del me makinën e tij të hapur e deri tek theksimi i thjeshtësisë dhe shërbimit në vend të dogmës, Papa i ri ka sinjalizuar se në atë ardhmen kishën katolike e presin ndryshime të rëndësishme. Të martën, ai filloi takimet me 8 kardinalë, të emëruar për ta këshilluar kreun e Kishës Katolike për ato që shihen nga shumë njerëz si reforma tepër të nevojshme në Vatikan.


Takimi i parë i Papës me këshillin e sapo emëruar prej 8 kardinalësh u zhvillua me dyer të mbyllura. Zëdhënësi i Vatikanit, Federico Lombardi i përcaktoi kështu qëllimet e takimit.


“Ky takim ka dy synime kryesore: të ndihmohet qeverisja e Kishës Universale dhe të shqyrtohet një projekt për rishikimin e kushtetutës papnore. Pra, reformimi i kishës katolike është një pjesë e takimeve, por jo e gjitha. Aty do të diskutohen edhe problemet e qeverisjes së kishës universale dhe për Papën këto çështje janë shumë të rëndësishme”.


Në vitin 1988 kushtetuta papnore u përdor nga Papa Gjon Pali i Dytë për të zbatuar ndryshime e fundit më të mëdha në Vatikan. Por që prej atëhere, Kisha është dëmtuar nga një sërë abuzimesh seksuale, akuza për korrupsion në menaxhimin e Vatikanit dhe njoftimet për konflikte të brendshme brënda burokracisë së tij. Gjithashtu shumë katolikë kanë protestuar ndaj kundërshtimit të aborteve nga kisha, marrëdhënieve mes homoseksualëve dhe grave që të shërbejnë në pozita kishtare. Si rezultat, thirrjet për reforma janë shtuar gjithnjë e më shumë gjatë viteve të fundit.

Papa Françesku e ka pranuar se kisha është në krizë, madje ka lënë të kuptohet se së shpejti do të bëhen ndryshime të mëdha.

Iacopo Scaramuzzi, korrespondent i Vatikanit për agjencinë italiane të lajmeve, TimNews, thotë se Papa u zgjodh me një mandat për të reformuar Vatikanin.


“Papa ka një mandat të fuqishëm. Shumica e kardinalëve, që e zgjodhën atë donin të zgjidhnin një papë të fuqishëm, një papë që të ndryshonte shumë gjëra, të reformonte Vatikanin. Ai është shumë i gatshëm ta bëjë këtë dhe prandaj katolikët e duan. Por sidoqoftë, në Vatikan dhe jashtë tij ka njerëz që i kundërshtojnë reformat. Si në çdo institucion tjetër, ka nga ata njerëz që preferojnë të mos bëhen ndryshime”.

Ndryshimet mund të jenë shumë të ngadalshme veçanërisht në një institucion 2,000 vjeçar. Zoti Lombardi paralajmëroi se takimi 3-ditor i nivelit të lartë nuk do të rezultojë në një plan të gjithanshëm reformash.


“Do të jetë një proces afat-gjatë, le të mos mendojmë se reformimi i kishës katolike dhe i qeverisjes së kishës universale është diçka që mund të arrihet në diskutime 3 ditore”.

Këshilli prej 8 kardinalësh, që po takohet me Papën është një grup klerikësh të lartë nga vendet e kontinentit amerikan, nga Afrika, Australia dhe Europa. Ata do të diskutojnë sugjerime për reforma të bazuara në anketat e zhvilluara me katolikët në të gjithë botën.