Mbërrijnë dy grupe me shtetas afganë në Kosovë

Autoritetet njoftuan se të martën mbërritën në aeroportin e Prishtinë dy grupe me shtetas afganë, duke e çuar numrin e përgjithshëm të afganëve në Kosovë në 355.

Më herët gjatë ditës autoritetet njoftuan se në orët e para të së martës një grup prej 113 afganëve që mbërriti në Kosovë, u sistemua në një kamp në afërsi të Ferizajt.

Your browser doesn’t support HTML5

Mbërrijnë dy grupe me shtetas afganë në Kosovë

Në Kosovë deri më tani kanë mbërritur tre avionë me shtetas afganë, të cilët do të strehohen në vend përkohësisht si pjesë e përpjekjeve ndërkombëtare për t’i shpëtuar ata nga dhuna në Afganistan.

Sipas autoriteteve nga 355 shtetasit afganë që kanë ardhur deri tani në Kosovë, shumica janë gra, fëmijë e pleq, familjarë të kontraktorëve që kanë punuar për misionin e NATO-s.

“Sikur në dy rastet e mëhershme ata do të procedohen bazuar me ligjet dhe vendimet e qeverisë së Kosovës dhe do të vendosen për strehim në ish kampin e Bechtel-Enkas në afërsi të Ferizajt”, tha të martën Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Ai tha se deri më tani asnjë nga qytetarët afganë nuk është i infektuar me COVID-19, ndërsa paralajmëroi vaksinimin e tyre.

“Tashmë kemi filluar përgatitjet për vaksinimin e tyre me vaksina Johnson & Johnson të cilat janë ofruar nga shtetet e NATO-s, do të thotë ata kanë marr obligim që të bëjnë vaksinimin e këtyre personave gjithmonë në koordinim me institucionet e Kosovës”, shtoi zoti Sveçla.

Autoritetet në Kosovë kanë thënë se do të strehojnë përkohësisht deri në dy mijë afganë derisa të përfundojnë procedurat për destinacionin e tyre përfundimtar.

Më 16 gusht, qeveria e Kosovës ka miratuar kërkesën “për dhënien e mbrojtjes së përkohshme dhe të menjëhershme personave të rrezikuar nga konflikti i brendshëm në Afganistan, të cilët janë në proces të aplikimit për Viza të Veçanta Imigruese (SIV) - të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfshirë familjet e tyre”.

Shtetet e Bashkuara kërkuan nga Kosova të strehojnë një numër afganësh, që kanë punuar me forcat amerikane, të cilët janë të frikësuar nga hakmarrja e talebanëve, të cilët morën nën kontroll vendin pas tërheqjes së trupave të huaja.