Kosovë: Shtyhet procesi gjyqësor në rastin “veteranët”

Një gjykatë në Prishtinë shtyu për muajin mars fillimin e procesit gjyqësor ndaj 12 personave të akuzuar për veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, në rastin e njohur si "veteranët".

Your browser doesn’t support HTML5

Kosovë: Shtyhet procesi gjyqësor në rastin “veteranët”

Kryetarja e trupit gjykues, Nushe Kuka – Mekaj, tha se seanca do të mbahet më 14 mars të këtij viti, në pamundësi që të mbahet sot për shkak të mungesës së dy prej të akuzuarve, ministrit të Mbrojtjes, Rrustem Berisha si dhe Faik Fazliut, ish zyrtar për çështje të kategorive të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Njëri nga të akuzuarit, Shukri Buja, tha pas shtyrjes së seancës se aktakuza është politike.

Anëtar i rregullt i komisionit ka qenë komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrahman Rama, të njëjtin funksion e kam pasur unë e të njëjtin ai në komision, të njëjtat qëndrime i kemi pasur e të njëjtat veprime i kemi ndërmarrë. Përse duhet të kursehet Rrahman Rama, përse duhet të kursehet Sami Lushtaku, përse duhet të kursehet ish-kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, përse duhet të kursehet politika e cila ka bërë marrëveshje”, tha ai.

Arianit Koci, avokat mbrojtës i të pandehurit Shkumbin Demaliaj, tha se aktakuza në tërësi nuk e pasqyron si duhet gjendjen faktike.

Aktakuza ka shumë të meta, gjendja faktike nuk është pasqyruar si duhet prandaj ne si mbrojtje kemi hapësirë shumë të madhe për t’i kundërshtuar pretendimet e aktakuzës, mbetet të shohim më tutje se çka do të ndodhë”, tha ai.

Në shtator të vitit të kaluar Prokuroria e Posaçme e Kosovës, ngriti aktakuzë kundër Agim Çekut, Nuredin Lushtakut, Sadik Halitjahajt, Shkumbim Demaliajt, Rrustem Berishës, Faik Fazliut, Fadil Shurdhajt, Xhavit Jasharit, Qelë Gashit, Shukri Bujës, Ahmet Dakut dhe Smajl Elezajt, nën dyshimet për veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas akuzës "nga provat e siguruara deri më tani është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumën prej 68 milionë eurosh".

​Çështja e listave të veteranëve të luftës u ngrit gjatë verës kur prokurori i Prokurorisë së Posaçme të Kosovës, Elez Blakaj, që po e trajtonte këtë çështje, dha dorëheqje duke akuzuar kryeprokurorin e shtetit, Aleksandër Lumezi për ndërhyrje dhe përpjekje për frikësim, ndërsa vuri në pah se, siç tha ai, është kërcënuar gjatë trajtimit të keqpërdorimeve me hartimin e listave të veteranëve.

Ish prokurori Blakaj, në një letër të hapur atëbotë, tha se mund të ishin 19 mijë përfitues të rremë të skemës së pensioneve për veteranët e luftës së ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pohimet e tilla nxitën diskutime rreth numrit të saktë të tyre.

Anëtarë të Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të veteranëve thonë se numri prej 37 mijë veteranësh që gëzojnë pensionin prej 170 eurosh, nuk është i lartë, por listat nëse duken të fryra, problemi është tek ligji për veteranët që parasheh përfshirjen e shumë kategorive që kanë ndihmuar luftën e ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Hetimet rreth kësaj çështjeje vlerësohen ndër më të mëdhatë në Kosovë. Sipas prokurorisë së shtetit, "gjatë fazës së grumbullimit të informacioneve si dhe gjatë hetimeve që kanë zgjatur për një vit e gjysmë, janë shqyrtuar mbi 80 mijë aplikacione”.