“Zgjoi”, një film me regji të Blerta Bashollit nga Kosova, fitoi tri nga çmimet më të rëndësishme të festivalit më të madh të pavarur të filmit, “Sundance”, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Filmi i cili flet për jetën e një gruaje që mbeti e ve pas luftës në Kosovë, fitoi çmimet: filmi më i mirë, regjisorja më e mirë si dhe çmimin e vlefshëm të publikut të festivalit.
Your browser doesn’t support HTML5
Regjisorja Blerta Basholli, në një videomesazh gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve të festivalit, që këtë vit u zhvillua online për shkak të pandemisë, falënderoi zonjën Fahrije Hoti, një grua e ve nga Krusha e Madhe, jeta e së cilës ishte frymëzimi i saj për filmin.
Regjisorja Basholli në një bisedë me Zërin e Amerikës, tha se tha se ky është një lajm i jashtëzakonshëm jo vetëm për ekipin që ka punuar në film por në përgjithësi për kinematografinë e Kosovës.
“Në Kosovë prodhohen filma të jashtëzakonshëm, ata filma po udhëtojnë secili në festivale të mëdha dhe pa çmime nuk po kthehen, kështu që mendoj që edhe ky sukses i fundit do ta ketë një ndikim të mirë në kuptimin edhe të rritjes së buxhetit edhe të zhvillimit të industrisë sepse potenciali është, vetëm na duhet një katalizator që ta shtyjmë përpara dhe të zhvillohemi tutje”, tha ajo.
Fahrije Hoti, rolin e të cilës në film e luan aktorja, Yllka Gashi, ishte vetëm 28 vjeçe, kur bashkëshorti i saj së bashku me 225 burra të fshatit Krushë e Madhe, u vranë nga forcat serbe.
Në një rrëfim të mëhershëm për Zërin e Amerikës, zonja Fahrije tregon se si ngeli pas luftës e vetme me dy fëmijët, vajzën 3-vjeçare dhe djalin tre muajsh. Në përpjekjet për mbijetesë si nënë e vetme në Kosovën e pasluftës, ajo u bashkua me disa gra të tjera të fshatit që kishin mbetur të veja, dhe krijuan kooperativën bujqësore "Krusha", ku merren me përpunimin e turshisë dhe ajvarit. Tash ndërmarrja e tyre punëson mbi 50 gra, pjesa më e madhe e të cilave familjare të personave të vrarë e të zhdukur në Kosovë.
Burri i Fahrijes vazhdon të jetë në mesin e mbi një mijë e 600 personave të zhdukur gjatë luftës, për fatin e të cilëve ende nuk dihet asgjë.
”I gjalli jeton, i kalon peripecitë, i vdekuri nuk ringjallet, kisha bërë apel që t’u jepet rëndësi më shumë personave të pagjetur. Edhe pse punojmë edhe jetojmë, mendjen për çdo ditë e kemi te ata, të paktën ta dijmë varrin ku është, mos ta kemi atë vështirësi që të pyesin fëmijët ku është, nuk ka koment, ku t’i them që është”, tha zonja Fahrije Hoti gjatë një interviste për Zërin e Amerikës në vitin 2017.
Regjisorja Blerta Basholli, thotë se rrëfimin e Fahrijes e kishte dëgjuar para shumë vitesh derisa ishte në studime në New York. Në mundësinë e parë ajo e vizitoi Fahrijen për t’i marrë leje të përdorte rrëfimin e saj, pastaj në vitin 2019 filluan xhirimet. Procesi i bërjes së këtij filmi u ndërlikua në kohën e pandemisë.
“Procesi i montazhit pastaj ka qenë pak i komplikuar sepse na zuri edhe pandemia, pra fundi i montazhit ka qenë në pandemi ku shumica e ekipit kanë qenë jashtë, montazheri jonë ta zëmë studion në Pragë, kështu që një pjesë është dashtë të montohet atje, na zuri pandemia në Pragë na e mbyllën studion. Prandaj dy tri ditë e fundit të montazhit jemi detyruar t’i kryejmë online që ka qenë shumë frustruese dhe e vështirë për neve”, tha regjisorja Basholli.
Aktorja, Yllka Gashi, në një bisedë me Zërin e Amerikës, tha se ky rol është ndër më të posaçmit që ka luajtur ndonjëherë.
“Është ndjenjë jashtëzakonisht e veçantë edhe jam tepër e lumtur dhe e nderuar. Ky është suksesi më i madh në kinematografinë mbarëshqiptare, rajonale dhe besoj edhe evropiane, sepse me sa e di nuk ka film as prej Evropës që e ka pasur këtë sukses si filmi ynë ‘Zgjoi’. Më gëzon fakti që një punë tepër e vështirë, e gjatë gati 10 vjeçare që është bërë me shumë dashuri e përkushtim, një punë më shumë sakrificë e me pak para, një rrëfim Kosove po shihet prej audiencave të gjera dhe po vlerësohet”, tha zonja Gashi.
Ajo tha se zonja Fahrije Hoti ka qenë dhe është frymëzim e simbol i forcës së grave.
“Faleminderit familjes time së pari pa të cilët nuk do të mund të merrja pjesë në këtë film, ju dua dhe jam borxhlike për tërë jetën, faleminderit zonjës Fahrije Hoti e cila është inspirim për neve dhe e cila na e ka dhënë këtë mundësi ta bëjmë këtë film”, tha ajo.
Filmi “Zgjoi” është bashkëprodhim në mes të Kosovës, Zvicrës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Zyra Federale zvicerane për Kulturë FOC dhe Cineforom, Agjencia e Filmit e Maqedonisë së Veriut dhe Qendra Kombëtare për Kinematografi në Shqipëri.
“Zgjoi” pritet të vazhdojë rrugëtimin nëpër festivale evropiane ndërkaq në fund të këtij viti pritet që filmi të shfaqet edhe nëpër kinematë e Kosovës.