Në Kosovë, shkollat fillore, ato të mesme dhe universitetet publike janë hedhur në një grevë të përgjithshme njëditëshe për t'i bërë trysni qeverisë që të miratojë ligjin për njohjen e statusit të punonjësve të arsimit që kishin punuar gjatë viteve të '90-ta, në atë që njihej si sistem paralel i arsimit në Kosovë.
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj, tha se nëse nuk do të realizohen kërkesat e tyre deri me 13 prill, atëherë greva do të rifillojë me afat të pacaktuar.
Your browser doesn’t support HTML5
“I kemi dhënë afat mjaft qeverisë siç e dini nga 12 marsi e deri me 13 prill që të reagojë, që ta kemi ligjin për vitet e ’90-ta, që ta kemi ligjin për paga ashtu siç e meritojmë, që kontrata të implementohet pa gjyqe dhe që ligji i punës të shkojë ashtu siç kemi kërkuar ne për pjesën që i takon arsimit”, tha zoti Jasharaj gjatë një vizite që u bëri grevistëve në shkollën fillore “Dardania” në Prishtinë.
Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Avni Ajdini, u bëri thirrje institucioneve që të realizojnë të drejtat e punëtorëve që në vitet e '90-ta punuan në arsim pa u paguar.
“Ne kemi kërkuar minimalen e asaj që na takon. Prandaj, do të kisha apeluar te ministria për çështje financiare të fillojë të hulumtojë dhe të gjejë buxhetin për realizimin e kërkesave me të cilat ne ju kemi drejtuar”, u shpreh zoti Ajdini.
Mirëpo, ministria e financave përmes një komunikate për media ka sqaruar se mbështet kërkesat e mësimdhënësve, por që ata duhet të presin dhe të respektojnë procedurat ligjore ashtu siç e përcaktohet në Ligjin për buxhetin e vitit 2018.
“Ministria e financave ka kërkuar nga SBASHK-u dhe ministria që t’i respektojnë procedurat ligjore gjatë procedimit të ligjit në qeveri, ashtu siç kërkohet me legjislacionin përkatës në fuqi duke përfshirë edhe financimin e tij, në mënyrë që projektligji të jetë ligjërisht i kompletuar para se të shkoj në Kuvend”, thuhet në njoftim.
Kjo është hera e tretë brenda këtij viti që institucionet arsimore në Kosovë mbajnë grevë me kërkesa të njëjta.