Deri në orën 19 kur janë mbyllur vendvotimet mbi 46 për qind e rreth 1 milion e 800 mijë votuesve të regjistruar hodhën votën e tyre në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që po mbahen në Kosovë.
Your browser doesn’t support HTML5
Një mijë e 52 kandidatë të 28 subjekteve politike të të gjitha etnive, synojnë të sigurojnë një ulëse në parlamentin 120 vendesh të Kosovës. Dhjetë nga këto vende i takojnë komunitetit serb, ndërsa dhjetë të tjera, komuniteteve tjera pakicë
E diela është ditë e acartë në Kosovë, por vëzhguesit thanë se nuk janë parë shumë parregullsi. Temperaturat e ulëta bënë që në orët e paradites pjesëmarrja të ishte më e ultë sesa në të kaluarën.
Zgjedhjet pasuan aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese e cila në dhjetor të vitit të kaluar shpalli të pavlefshëm votimin e qeverisë së kryeministrit Avdullah Hoti, pas kërkesës së lëvizjes Vetëvendosje për vlerësimin e ligjshmërisë së pjesëmarrjes në votim për qeverinë e udhëhequr nga Lidhja Demokratike të deputetit Etem Arifi, i cili ishte i dënuar me 1 vjet e 3 muaj heqje lirie për “mashtrim me subvencione”
Lexoni edhe këtë Gjykata Kushtetuese rrëzon qeverinë e Kosovës – vendi në zgjedhjeQeveria e zotit Hoti e miratuar me 3 qershor të vitit 2020, pasoi rrëzimin e qeverisë së ish kryeministrit Albin Kurti me 25 mars
Votimet e sotme u mbajtën në kohë pandemie, masat për frenimin e së cilës u zbutën disa ditë para zgjedhjeve, por maskat, distanca fizike dhe grumbullimet e më shumë se 80 personave mbeten në fuqi, ndonëse përgjatë fushatës nuk janë respektuar nga partitë politike.
Deri të shtunën Kosova ka regjistruar 64 mijë e 95 raste të të prekurve nga COVID-19, nga pasojat e të cilit kanë humbur jetën 1 mijë e 544 veta.
Ambasada amerikane në Prishtinë, u bëri thirrje qytetarëve me të drejtë vote, që të bëjnë pjesën e tyre të punës për të ardhmen e Kosovës.
“Dilni dhe votoni, mirëpo në mënyrë të sigurt – mbani distancën, vendosni maskën, dhe ndiqni udhëzimet e punonjësve...", shkroi në rrjetet sociale ambasada amerikane.
Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog tha gjatë një vizite ne një vendvotim në Prishtinë se "qytetarët në qendrat e votimit kanë njohuri dhe e dinë se çfarë po bëjnë, ata duken të vetëdijshëm për rolin e tyre dhe organizimi i zgjedhjeve deri më tani është mbresëlënës. Po ashtu ne mund të shohim që ka vështirësi në vëzhgim e zgjedhjeve për shkak të masave kundër COVID-19 dhe dua t’u bëj thirrje gjithsecilit që planifikon të votojë të sigurohet që i zbaton masat kundër COVID-19", tha ai.
Pandemia ka çuar në rënie ekonomike në Kosovë dhe pritet të çojë në rritje të shkallës së papunësisë, zvogëlimi i së cilës, bashkë me luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit do të jenë ndër sfidat kryesore të institucioneve që pritet të dalin nga këto zgjedhje.
Por, edhe formimi i institucioneve mund të jetë sfidë më vete. Asnjë qeveri që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në shkurt të vitit 2008, nuk e ka çuar deri në fund mandatin e saj dhe asnjë forcë politike nuk ka arritur të formojë e vetme një qeveri.
Zgjedhjet e sotme duhet të krijojnë mundësinë për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, një proces që kërkon mbështetjen e dy të tretave të parlamentit 120 vendesh të Kosovës.
Për këtë post kandidaturën e kanë shpallur Vjosa Osmani që është në koalicion me lëvizjen Vetëvendosje dhe Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Dështimi për të siguruar zgjedhjen e presidentit mund ta çojë vendin sërish në zgjedhje të reja.
Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog dhe shefat e misioneve të vendeve anëtare të bllokut në Kosovë thanë të shtunën se presin formimin e shpejtë të institucioneve të reja të Kosovës pas zgjedhjeve.
“Kemi besim se presidenti do të zgjidhet shpejt nga parlamenti i ri dhe do të formohet qeveria e re me kohë, në mënyrë që të zbatojë reformat, të luftojë korrupsionin, të forcojë sundimin e ligjit dhe të çojë përpara të ardhmen evropiane të Kosovës, përfshirë vazhdimin e bisedimeve të lehtësuara nga BE-ja në mes të Prishtinës dhe Beogradit", thuhet në një komunikatë.
Udhëheqësit e partive politike ndërsa hodhën votën e tyre, bënë thirrje për pjesëmarrje më të gjerë në zgjedhje.
"Sot është ditë e bardhë, e ndritshme ashtu siç do të jetë edhe e ardhmja jonë. Qytetarët kanë nevojë për demokraci, institucionet kanë nevojë për legjitimitet, sot kjo nevojë është edhe e drejtë e cila më tej paraqet mundësi dhe shans që duhet shfrytëzuar dhe duhet përdorur”, tha kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, njëherësh kandidat për postin e kryeministrit.
"Pres që të kemi një proces të rregullt zgjedhor në mënyrë që të mirëmbajmë standardet e organizimeve të zgjedhjeve të rregullta sipas standardeve më të mira evropiane me zgjedhje të lira, demokratike, ku qytetarët në mënyrë të lirshme e thonë fjalën e tyre”, tha kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për postin e kryeministrit, Avdullah Hoti.
"Sot është dita kur flasin qytetarët dhe jo ne politikanët, por është ditë kur flasin qytetarët e Kosovës dhe ne mendojmë që sot qytetarët e Kosovës janë para dy opsioneve, para opsionit të rimëkëmbjes ekonomike, të stabiliteti politik dhe integrimit ndërkombëtar apo para opsionit të mjegullës, të mjegullës dhe të mjegullës dhe të izolimit ndërkombëtar”, tha Enver Hoxhaj, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës dhe kandidat i saj për postin e kryeministrit.
"I lus gjithë qytetarët e vendit që ta shfrytëzojnë të drejtën e vet, pra të votojnë, këto zgjedhje janë me rëndësi që t’u japim legjitimitet institucioneve të Kosovës që dalin nga këto zgjedhje. Na presin shumë sfida, përballja me Serbinë, situata me pandeminë edhe forcimi i brendshëm i vendit”, tha Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe pretendent për postin e presidentit të Kosovës.
"Shpresoj që këto zgjedhje do të prodhojnë stabilitet, siguri dhe qeverisje stabile. Të gjitha këto vijnë nëse vazhdojmë të jemi krenarë për të kaluarën e duke mos harruar të kaluarën mund të ecim në të ardhmen”, tha Fatmir Limaj, kryetar i Nismës Socialdemokrate.
Ndonëse përgjatë fushatës para zgjedhjeve partitë politike nuk u kanë kushtuar shumë hapësirë, fituesit do të përballen edhe me sfidat e trashëguara siç janë bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, e cila vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës, që u shpall nëntë vjet pas përfundimit të luftës në vitin 1999 me ndërhyrjen e NATO-s.
Pavarësia e Kosovës, 13 vjetori i së cilës shënohet të mërkurën, është njohur nga mbi 100 vende të botës. Ditë më parë ajo u njoh edhe nga Izraeli.
Pritjet pas zgjedhjeve
Punësimi, mirëqenia sociale dhe lufta kundër korrupsionit janë dëshirat kryesore të qytetarëve me të cilët bisedoi Zëri i Amerikës të dielën derisa po hidhnin votën e tyre në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
“Së pari dua ta bëj një krahasim, të sotmen me 30 vjet më parë, kur atëherë në kushte të jashtëzakonshme në një okupim shumë të egër kemi votuar për lirinë e Kosovës dhe demokracinë, nëpër kisha dhe xhamia. Unë me zonjën time patëm votuar në xhami nën masa sigurie të atëhershme, kur kemi votuar për lirinë, demokracinë dhe pavarësinë e mundshme atëherë. Sot pavarësinë e kemi, sot luftojmë dhe votojmë për një sovranitet më të madh të shtetit tonë që e kemi dhe për një ndryshim, në mënyrë që ajo që nuk është bërë qe 20 vjet pas luftës, të bëhet tani e tutje”, tha një qytetar.
“Jetë më të mirë për qytetarët, dinjitet më të madh, punësim, të gjitha të mirat”, tha një tjetër.
“Së pari demokraci për tërë popullin pa dallime, eliminimi i korrupsionit, përmirësimi i jetesës sidomos për rininë tonë, në mënyrë që të kenë vende të punës këtu dhe jo nëpër Evropë, normal që edhe liberalizimi i vizave së pari”, tha një qytetare.
Zgjedhjet po mbahen në rrethana të reja të krijuara nga pandemia e koronavirusit e cila ka çuar në rënie ekonomike në Kosovë dhe pritet të çojë në rritje të shkallës së papunësisë, zvogëlimi i së cilës, bashkë me luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit do të jenë ndër sfidat kryesore të institucioneve që pritet të dalin nga këto zgjedhje.
Por, edhe formimi i institucioneve mund të jetë sfidë më vete. Asnjë qeveri që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në shkurt të vitit 2008, nuk e ka çuar deri në fund mandatin e saj dhe asnjë forcë politike nuk ka arritur të formojë e vetme një qeveri dhe analistët parashikojnë vështirësi në formimin e institucioneve.
“Gjithsesi e dimë që duhet të ketë një bashkëpunim për të qeverisur edhe me partitë e tjera në mënyrë që të bëhen dy të tretat e nevojshme për zgjedhjen e presidentit apo presidentes, prandaj do të shihet që nga fillimi se kjo qeveri do të ketë më shumë ngarkesë po them kushtimisht dhe prioritete për t’u marrë për të zgjedhur të gjitha institucionet e brendshme e më pas të merret edhe me prioritetet që do të ketë”, tha Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës.
Zonja Krasniqi thotë se përveç çështjes së presidentit, ndër sfidat kryesore që e presin qeverinë e re janë edhe rimëkëmbja ekonomike dhe bisedimet Kosovë - Serbi.
“Ne në Kosovë nuk i respektuam masat dhe është shumë e pritshme që të ketë rritje të numrave dhe kjo do të bëjë trysni pastaj në sektorin e shëndetësisë dhe ekonomisë. Ne edhe ashtu kemi rritje shumë të ngadalshme të ekonomisë për shkak të pandemisë vitin e kaluar, prandaj kjo do të jetë patjetër një temë, normalisht çështja e presidentit siç e thashë dhe në politikën e jashtme do të jetë çështja e dialogut Kosovë – Serbi, do të shohim se çfarë prioriteti do t’i japë qeveria e ardhshme këtij procesi”, tha ajo.
Publikimi i rezultateve të zgjedhjeve, pritet të fillojë sonte por do të marrë disa ditë edhe për shkak të votimit me postë.