Ishte 20 korrik, 1998 dhe “Drita” po udhëtonte me autobuz me motrën më të vogël dhe të shoqi për të shkuar tek shtëpia e babait, në një zonë të largët të Kosovës.
"Na kanë zbritur dhe na i kanë kërkuar letërnjoftimet, motrën ma kanë zbritur fillimisht e unë sapo ma zbritën motrën, se motra është më e vogël se unë 2 vite, unë kam zbritur menjëherë pas saj sepse e dua motrën shumë, atë e kam dashtë gjithmonë, kemi qenë bashkë të lidhura si fëmijë”, i tha “Drita” Zërit të Amerikës, pa pranuar të identifikohet me emrin e saj të vërtetë.
Si shumë gra shqiptare gjatë luftës së Kosovës, as Drita dhe as e motra nuk kishin dokumenta zyrtare, prandaj ushtarët serbë i morën të dyja për krahu, bashkë me tri gra të tjera drejt një shtëpie të pabanueshme, pa dyer dhe pa dritare.
Bashkëshorti i Dritës zbriti pas tyre e kapi njërin nga ushtarët dhe e pyeti se ku po i dërgonin. Ai e kapi për krahu njërin nga ushtarët i cili e shtyu me force, e rrëzoi në tokë dhe e goditi me një shufër hekuri.
Nga brenda, Drita dëgjonte britmat e tij.
"E unë nuk dija a të vrapoj tek burri apo te motra ime. Motrën e kisha para syve e nuk e dija se për cilin të vrapoja”, thotë ajo duke ngashëryer.
Ndërsa ushtarët e mbanin të gozhduar, Drita në panik, mundohej të luftonte, të çlirohej, të përballej me ta me gjoksin e saj, ndërsa së motrës ia kishin humbur vetëdijen.
“Njërin nga ushtarët e hëngra me dhëmbë në dorë, ja hoqa një copë mishi duke u munduar ta largoj, ai pastaj e mori një dërrasë e kam në dorë shenjën që më ka goditë me këtë dërrasë, jo me majën e gozhdës por me fundin e saj ma ka shpuar dorën dhe në pjesën tjetër të dorës me një pjesë dërrase”, thotë ajo.
"E kam në dorë shenjën që më ka goditë me këtë dërrasë. Më kanë rrahur sepse jam munduar të ballafaqohem përballë në mënyrë të barabartë si me një burrë, mundohesha sepse në anën tjetër po e dëgjoja nga dritarja burrin duke bërtitur e përballë dëgjoja motrën”.
Dekada heshtjeje
Organizatat ndërkombëtare humanitare dhe OJQ-të lokale vlerësojnë se janë 20 mijë raste përdhunimesh dhe torture të grave dhe disa burrave nga forcat serbe besnike ndaj ish-Presidentit Slobodan Milosevic, fushata e të cilit për të shtypur përpjekjen e Kosovës për pavarësi, shkaktoi vdekjen e të paktën 11 mijë shqiptarëve të Kosovës dhe shpërnguljen e 700 mijë të tjerëve.
Shumë të mbijetuara, ruajtën heshtjen për dekada, nga frika e turpit që përdhunimi shkakton tek familja në një shoqëri historikisht patriarkale. Ngadalë ato po fillojnë të flasin, pas vendimit për t’u kompensuar si viktima të krimeve të luftës të natyrës seksuale, si kategori e veteranëve.
Ato e përshëndesin kompensimin prej 230 Eurosh për traumën e tyre fizike dhe psikologjike, por shumë thonë se drejtësia nuk është vënë në vend.
Dy lloj shtypjeje
Ndërsa Kosova i kishte hyrë rrugës së rindërtimit dhe përpjekjeve për të siguruar njohje ndërkombëtare, pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2008, çështja e përdhunimeve mbeti pothuajse plotësisht në hije.
Ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara, Vlora Çitaku, thotë se një nga arsyet ishte se ashtu si edhe në shoqëri të tjera edhe në Kosovë, “Shpesh fajësohet viktima dhe jo shkaktari”.
Zonja Çitaku, që vetë ka qenë refugjate, sjell një shembull nga familja e saj, ku daja e saj humbi jetën në luftën për pavarësinë. Ajo thotë se familja, fëmijët e tij, ajo vetë e kujtojnë dhe e nderojnë me krenari të dashurin e tyre.
“Fatkeqësisht për fëmijët e të mbijetuarve nga përdhunimet, përvoja është krejt e ndryshme, i tha ajo Zërit të Amerikës. Ata nuk jetojnë me krenari si unë. Jetojnë me frikë, me turp dhe druhen se do të jenë të përjashtuar, se familjet e tyre do të stigmatizohen, se nënat e tyre do të vuajnë nëse historitë e tyre dalin hapur”.
Drita, për shembull thotë se askush në familjen dhe rrethin e saj familjar nuk e di se çfarë ka ndodhur.
"Këto viktima, thotë ambasadorja Çitaku, kanë mbajtur mbi shpatulla jo vetëm barrën e dhimbjes, por edhe të turpit” të një brezi të tërë të shkatërruar.
Barra emocionale ishte aq e rëndë saqë shumë viktima të përdhunimeve bënë vetëvrasje ose u bënë viktima të “vrasjeve të nderit”, duke i bërë disa analistë të mendojnë se numri zyrtar prej 20 mijësh i viktimave të përdhunimit nga forcat serbe, është vetëm një fraksion i shifrës aktuale.
Përveç normave kulturore në Kosovë, Shirley DioGuardi, e cila shkruajti kapitullin për Kosovën në librin “Gratë dhe genocidi”, identifikon edhe një arsye tjetër për heshtjen për këtë çështje: përjashtimin nga ana e komunitetit ndërkombëtar, të grave nga negociatat për statusin pas luftës.
"Kemi kaq gra të zonjat që nuk u përfshinë nga komuniteti ndërkombëtar si pjesë e negociatave”, i tha ajo Zërit të Amerikës.
Disa ekspertë thonë se shtypja e dyfishtë e zërave për krimet e përdhunimeve në konflikt, si nga faktori i brendshëm ashtu dhe ai ndërkombëtar, do të thotë se histori si ajo e Dritës, jo vetëm që janë lënë në heshtje, por rrjedhimisht as nuk janë ndjekur në sistemin e drejtësisë.
Megjithëse ka pasur disa dënime të bujshme në Gjykatën për Krime Lufte në ish-Jugosllav, në një raport të fundit të organizatës Amnesty International thuhet se vetëm një numër fare i vogël personash është shpallur fajtor për krime seksuale lufte dhe ato vetëm nga gjykata serbe.
Meqenëse as Gjykata e Hagës dhe as EULEX-i nuk kanë nxjerrë askënd para drejtësisë, histori si ajo e Dritës, mund të jenë prova e vetme e mbetur historike.
“Tani, pas 18 vjetësh, shumë pak prova mbeten dhe prova kryesore është janë dëshmitë e të mbijetuarave”, thotë Sian Jones, një eksperte për Kosovën në Amnesty International.
Prandaj, shton ajo "po bëjmë thirrje për reforma brenda sistemit gjyqësor, për mbrojtjen e dëshmitarëve nëse ato flasin, gjë që do t’u jepte mbështetje nëse vendosin ta çojnë rastin e tyre në gjyq”.
Amnesty International e vlerëson pagesën mujore që do të fillojë të jepet këtë muaj si “një shumë e drejtë dhe dinjitoze”, duke vënë në dukje se ligji u siguron shpërblim të ngjashëm të mbijetuarave me atë të veteranëve të luftës.
Por kritikët thonë se ligji ende nuk i plotëson krejtësisht standardet ndërkombëtare, sepse lë jashtë gratë serbe të Kosovës, rome dhe shqiptare që janë përdhunuar pas përdundimit formal të luftës.
Përdhunimi si akt genocidi
Përdhunimi u njoh zyrtarisht si akt genocide vetëm në vitin 1994, 46 vjet pasi OKB-ja e miratoi njëzëri Konventën për Genocidin. Ajo njohje ishte jetike për përfshirjen e grave të përdhunuara në Kosovë në kategorinë e viktimave të luftës.
"Mendoj se ka të bëjë me faktin se akti i përdhunimit është një mekanizëm lufte kundër popullsisë femër të botës dhe nuk mund ta pranojmë më, ashtu siç nuk do të pranonim forma të trjera vrasjeje dhe torture të kryera kryesisht nga burrat”, tha zonja DioGuardi.
Cilido qoftë kompensimi financiar apo sido që kanë ndryshuar përcaktimet e krimeve të luftës, ato nuk mund t’i kthejnë kurrë Dritës atë që ajo humbi, sidomos sepse barra e traumës trashëgohet tek brezat e ardhshëm.
“Kam pas netë që kurrë s’kam flejt. Djali më dhimbet se s’kam mujt kurrë si prind me i ia jape atë kënaqësinë, atë buzëqeshjen që i takon një fëmije”, thotë Drita duke qarë thuajse heshturazi.
Megjithëse i mbijetoi sulmit, shtatzënë në atë kohë, ajo humbi fëmijën dhe tre vjet më pas, bashkëshorti i saj vdiq nga gjakderdhja në tru nga ndërlikimet nga rrahjet e asaj dite.
“Kam pritë një ditë me ardhë, me e shfry këtë mllef, me e qitë para dikujt, me kallzue që edhe na jena që jena përballue. Ata kanë pasë armë, e unë me shpirt, i kam dalë përpara, atij njeriu që ishte dy metra. Jam përballu. E kam pas dhunën, më kanë dhunu, me kanë rrahë, nuk e di vetë qysh kam mujt me ardhë deri në këtë ditë, por jam tepër e fortë, tepër dhe s’e di pse”, thotë Drita mes lotësh dhe zëri i dridhet.
Kompensimi do të thotë se asaj nuk do t’i duhet më të lypë, megjithëse në heshtje ajo do të vazhdojë të shpresojë për mbështetjen emocionale dhe psikologjike të komunitetit që do t’i mundësonte një jetë normale.
“Ju kisha lutë me na përkrahë se kurrë edhe me ditë sa miliona për neve me u dhanë, se neve ajo na ka mbetë në tru, ashtë metë sot e jeta, na e kemi të vizatume brenda në shpirt, se është një send që nuk fshihet trunit ajo, ka mbetë. Historia është histori për neve, në shpirt tonë. Sado me kenë, do qesh për një moment dhe pastaj mu më ndalet gazi, nuk më qeshet ma”, thotë Drita.
Ndërsa Kosova vazhdon të ndërtojë të ardhmen, ambasadorja Çitaku thotë se “nuk mund të ketë paqe, nëse mohohet e vërteta”.