Prokurori i dorëhequr i Prokurorisë së Posaçme të Kosovës, Elez Blakaj, akuzoi kryeprokurorin e shtetit, Aleksandër Lumezi për ndërhyrje dhe përpjekje për frikësim, ndërsa vë në pah se është kërcënuar gjatë trajtimit të keqpërdorimeve me hartimin e listave të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Your browser doesn’t support HTML5
Javën e kaluar, prokuroria e Shtetit tha se prokurori Elez Blakaj ka dhënë dorëheqje, por pa dhënë hollësi rreth arsyeve të saj. Por, mediat e Kosovës njoftuan se dorëheqja lidhet me kërcënimet që i janë barë gjatë kryerjes së detyrës, posaçërisht me rastet e hetuara për terrorizëm dhe listën e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Të hënën në një shkrim në rrjetin social Facebook, zoti Blakaj tha se dorëheqja e tij është "protestë dhe mesazh" për shkak të politizimit të prokurorisë së shtetit.
Më poshtë po e sjellim të plotë shkrimin e zotit Blakaj ashtu siç është postuar në profilin e tij në facebook:
Millaku: Blakaj nuk është as hero as frikacak
Kryeprokurori i Prokurorisë së posaçme, Reshat Millaku, tha të hënën se asnjëherë nuk ka pasur informacion që zoti Blakaj të jetë kërcënuar nga dikush, por "ka shkuar për të punuar në Amerikë”.
Në një takim me gazetarë bë Prishtinë, zoti Millaku tha se Blakaj ishte një prokuror i mirë, por nuk ka qenë “as hero, as frikacak”.
Ai u përqendrua tek aktakuza e përgatitur nga prokurori Blakaj për mbi 19 mijë veteranë të rrejshëm, duke e cilësuar atë si "të mangët" dhe si e tillë nuk mund të dorëzohet në gjykatë.
“E pashë një lëshim, jo me dëshirën e Elezit vet, sepse si pjesëmarrës përmend vetëm 19 mijë e 600 persona, pa saktësuar se kush janë përfituesit. Kush është jurist e din se dispozitiva e aktakuzës duhet të jetë e qartë se kush janë përfituesit ashtu që edhe për një qytetar laik që nuk merret vesh në këto çështje të jetë e kuptueshme. Më vonë e shoh propozimin edhe te propozimi nuk pashë askund që është propozuar që gjykata të marr vendim të ua ndalojë pensionet këtyre personave”.
Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi i tha Zërit të Amerikës se dorëheqja e prokurorit Blakaj është tregues për gjendjen e rëndë në sistemin prokurorial të Kosovës, për shkak të trysnive dhe ndikimeve të mëdha politike në punën e prokurorëve. Sipas tij përfshirja e 19 mijë e 600 personave në aktakuzë e pamundëson gjykimin në kohë të arsyeshme të këtij rasti.
“Strategjia e prokurorit Blakaj ka qenë që personat e komisionit për verifikim në një mënyrë të akuzohen dhe të njëjtin nëse do të provohej në gjykatë se janë fajtor atëherë i tërë procesi i verifikimit të veteranëve të luftës do të konsiderohej i kundërligjshëm, respektivisht do të duhej të stopohej pagesa ndaj tyre. Përderisa me qasjen që kryeprokurori Millaku po e potencon dhe t'i fus 19 mijë e 600 veteranë në këtë aktakuzë kjo do të pamundësonte që të kemi gjykim në një kohë të arsyeshme sepse do të ishte pothuajse e pamundshme që 19 e 600 persona përnjëherë të ftohen nga gjykata në një seancë gjyqësore”.
Dorëheqja e prokurorit, Elez Blakaj kishte nxitur reagime të shumta. Ambasadori amerikan, Greg Delawie, e ka cilësuar si një ditë të trishtuar për sundimin e ligjit në Kosovë.
Të hënën kryetari i parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli, në një postim ne facebook pohon se ka pasur keqpërdorime me listat e veteranëve, por kritikon ish prokurorin Blakaj.
"Ai kishte menduar të bëhej prokuror hero pa e luftuar krimin, ashtu sikurse këta mashtrues që duan të bëhen veteranë pa pjesëmarrje në luftën çlirimtare. Me deklarata nga SHBA-ja nuk luftohet krimi, për aq sa lufta nuk është fituar me deklarata pa marrë pjesë drejtpërdrejt. Sido që të jetë, ky është morali të cilin e zgjedh vetë individi, më të cilin i edukon edhe fëmijët e vet", thuhet mes tjerash në postimin e tij.
Kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi, u tha medieve lokale se prokurori Blakaj "po dëshiron të bëhet prokuror hero por deri sot asnjë rast të rëndë në karrierën e tij nuk e ka ngritur".
Kryeminstri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në një intervistë në KTV e ka kritikuar ashpër ish prokurorin Blakaj duke hedhur poshtë pohimet e ngritura për numrin e madh të veteranëve.
Përfaqësues të opozitës dhe të organizatave të shoqërisë civile po kërkojnë një proces vetingu duke theksuar se dorëheqja e prokurorit Blakaj është dëshmi e gjendjes së rëndë në sistemin e drejtësisë në Kosovë.