Parlamenti i Kosovës mblidhet të mërkurën për qeverinë e re

Parlamenti i Kosovës pritet të mblidhet të mërkurën me 3 qershor për të votuar qeverinë e re të mandatarit Avdullah Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Shefi i grupit parlamentar të kësaj partie, Arben Gashi, tha se koalicioni i Lidhjes Demokratike me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Nismën Socialdemokrate dhe partitë e pakicave kombëtare ka siguruar votat e mjaftueshme.

“Nesër secili deputet e ka mundësinë që të jap vlerësimin e vet nëpërmjet diskutimit në Kuvend dhe në fund vlerësimin e vet nëpërmjet votës së vet”, tha zoti Gashi pas mbledhjes së kryesisë së parlamentit ku u vendos për seancën e së mërkurës.

Your browser doesn’t support HTML5

Parlamenti i Kosovës të mërkurën për qeverinë e re

Më 30 prill presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi shpalli dekretin me të cilin i propozon parlamentit të Kosovës, Avdullah Hotin nga Lidhja Demokratike për formimin e qeverisë së re të Kosovës.

Dekreti i tij u sfidua nga lëvizja Vetëvendosje e cila kërkoi vlerësimin e kushtetutshmërisë së tij nga Gjykata Kushtetuese. Të enjten më 28 maj, Gjykata i dha të drejtë dekretit të presidentit duke nxitur reagimin e lëvizjes Vetëvendosje e cila e cilësoi të padrejtë dhe të papranueshëm. Kjo lëvizje kërkon që vendi të shkojë në zgjedhje të reja dhe e quan të papranueshme formimin e një qeverie të re pa fituesin e zgjedhje të 6 tetorit të vitit të kaluar. Lëvizja Vetëvendosje tashmë është duke mbledhur nënshkrimet për një peticion me të cilin kërkon zgjedhje të reja.

Lexoni edhe këtë Kurti: Vendimi i Gjykatës Kushtetuese i padrejtë dhe i papranueshëm


Një nga sfidat kryesore të qeverisë së re të Kosovës pritet të jetë rifillimi i bisedimeve me Serbinë të lehtësuara nga Bashkimi Evropian, të pezulluara që nga nëntori i vitit 2018, për shkak të tarifave të vendosura nga Kosova ndaj mallrave serbe.

Më 31 mars qeveria e kryeministrit tashmë në detyrë Albin Kurti, hoqi tarifat ndaj mallrave serbe duke i zëvendësuar ato me vendosjen shkallë shkallë të masave reciproke ndaj Serbisë. Vendimi qe mirëpritur nga Bashkimi Evropian por u kundërshtua nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës që kërkojnë heqjen e të gjitha pengesave për rifillimin e bisedimeve Kosovë – Serbi.

Që nga e diela qeveria në detyrë vendosi masa shtesë të reciprocitetit. Që nga ajo ditë në vendkalimin kufitar në Merdarë nuk pati lëvizje mallrash nga Serbia për në Kosovë dhe anasjelltas. Qeveria në detyrë e Kosovës ndaloi importin e mallrave që nuk i referohen vendit me emrin kushtetues, apo nuk janë të shoqëruara me leje hyrëse nga zyra ndërlidhëse e Kosovës në Serbi.

Adriatik Stavileci

“Të hënën, pra dje kemi pasur 12 ngarkesa të cilave iu është refuzuar hyrja në Kosovë për shkak se ose nuk kanë qenë në pajtim me vendimin e qeverisë, ose kanë qenë në kundërshtim me pikën 1 respektivisht 1.1 dhe 1.2 të vendimit të qeverisë, si dhe në përgjithësi shumica kanë qenë në kundërshtim me pikën 3, për shkak se nuk kanë marrë leje nga zyra ndërlidhëse e Kosovës në Beograd”, tha zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, në një bisedë me Zërin e Amerikës.

Vendimi që sipas qeverisë në detyrë është përgjigje ndaj veprimeve të autoriteteve serbe nxiti reagime në Beograd e Bruksel.

Lexoni edhe këtë Kosovë: Qeveria forcon reciprocitetin ndaj Serbisë – reagime në Bruksel, Beograd e Prishtinë

Kundër masave të fundit të reciprocitetit është deklaruar edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe i mandatuari i tij për formimin e qeverisë së re të Kosovës Avdullah Hoti, nga radhët e Lidhjes Demokratike,

Mospajtimet rreth qasjes ndaj bisedimeve me Serbinë, tarifave ndaj malrave serbe dhe masave të reciprocitetit çuan edhe në përçarjen e koalicionit të deritashëm qeverisës ndërmjet lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës e cila më 25 mars hodhi një mocion mosbesimit me të cilin u rrëzua qeveria e zotit Kurti, duke e lënë vendin me qeveri në detyrë në mes të pandemisë së koronavirusit.