Thaçi dërgon në Kushtetuese vendimin e qeverisë për kufizimin e lëvizjeve

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha të martën se i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për interpretimin e përputhshmërisë së vendimit të qeverisë së Kosovës për kufizimin e lëvizjeve si masë për të penguar zgjerimin e koronavirusit.

Të hënën mbrëma qeveria vendosi që të “ndalohet qarkullimi i qytetarëve dhe automjeteve private nga 24 mars 2020 gjatë orës 10:00 – 16:00 dhe prej orës 20:00 – 06:00, përveç për nevoja mjekësore, prodhim, furnizim dhe shitje të mallrave esenciale (ushqim dhe barna për njerëz dhe kafshë/shpezë), dhe për shërbime dhe aktivitete që ndërlidhen me menaxhim të pandemisë”.

Duke kundërshtuar ashpër këtë vendim, presidenti Thaçi, tha se i ka këkruar Gjykatës Kushtetuese të vendosë masë të përkohshme për pezullimin e këtij vendimi deri në interpretimin e tij kushtetues.

Në një konferencë me gazetarë, presidenti Thaçi tha se “vendimi i mbrëmshëm i qeverisë ka provokuar rrethanë të re të paqartësisë dhe frikë. Jemi dëshmitarë të gjithë që sot njerëzit janë detyruar nga ky konfuzion të dalin e të furnizohen vetëm në mëngjes duke shkaktuar tollovi e cila bie në kundërshtim me rekomandimet Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik. Ato tollovi sot janë masive, jeni dëshmitarë vet në vendet e nevojave për shitblerje të mallrave dhe gjësendeve të domosdoshme, prandaj ato tollovi të krijuara që po përcillen me fotografi, janë rreziku që ka krijuar qeveria e Kosovës sepse i ka frikësuar qytetarët dhe ka krijuar panik duke i detyruar të dalin në mënyrë urgjente, dhe kjo urgjencë ka sjelle tollovi masive me rrezik permanent për përhapje të virusit”.

Ai tha se përveç kërkesës dërguar në Gjykatën Kushtetuese, i është drejtuar më një letër edhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti që ta rishqyrtojë vendimin.

“Ta pezulloj atë vendim deri në vendimin e Gjykatës Kushtetuese sepse para pak ditësh ishte po i njëjti kryeministër i cili kur unë me sugjerimin e shumicës së partive politike propozova gjendje të jashtëzakonshme dhe e kundërshtoi me këmbëngulësi dhe pa asnjë argument. Ndërsa tash me agjendë politike të pastër krijoi panik e paqartësi te qytetarët duke krijuar tollovi të cilat nuk mund të menaxhohen lehtë”.

Vendimi i qeverisë së Kosovës u kundërshtua të hënën mbrëma edhe nga kryetari i Lidhjes Demokratike në pushtet, Isa Mustafa si dhe partitë në opozitë.

Lexoni edhe këtë Qeveria e Kosovës kufizon lëvizjet – presidenti e cilëson veprim kundërkushtetues

Qeveria tha se vendimi është në pajtim me kushtetutën e ligjet e vendit dhe në funksion të pengimit të zgjerimit të koronavirusit.

Gjykata Kushtetuese, tha nëpërmjet një komunikate se do të trajtojë me emergjencë kërkesën e presidentit ndërsa palëve u dha afat që deri sonte në orën 22 të japin komentet e tyre rreth kërkesës për pezullimin e vendimit të qeverisë, dhe tre ditë afat për komentet rreth kërkesës për interpretimin e vendimit të qeverisë.

“Duke pas parasysh situatën ekzistuese në të cilën ndodhet vendi ynë, Gjykata Kushtetuese është e përkushtuar që në përputhje me përgjegjësitë dhe me funksionin e saj kushtetues, këtë lëndë ta trajtojë me urgjencë dhe prioritet të lartë”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike konfirmoi të hënën edhe 26 raste të reja të të infektuarve me koronavirus, duke e çuar në 61 numrin e të prekurve.

Përplasjet për dhe kundër gjendjes së jashtëzakonshme u shpërfaqën më 18 mars, kur kryeministri Albin Kurti refuzoi kërkesën e presidentit Hashim Thaçi për deklarimin e gjendjes së jashtëzakonshme.

Kryeministri Albin Kurti shkarkoi ministrin e Brendshëm, Agim Veliu, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës për shkak të mospajtimeve rreth gjendjes së jashtëzakonshme dhe pas kësaj Lidhja Demokratike mblodhi nënshkrimet për një mocion votëbesimi për të rrëzuar qeverinë.

Situata e re politike u kritikua nga vëzhgues vendas e ndërkombëtar, analistë e organizata joqeveritare që e shohin atë si zhvillim të dëmshëm në kohë pandemie.

Përplasja qeveri – president rreth kufizimit apo jo të lëvizjeve, sipas analistëve në Prishtinë, vë në pah luftën politike ndërmjet rivalëve të vjetër për dominim në skenën politike.