Të hënën mbrëma qeveria e Kosovës vendosi kufizimin e lëvizjes së qytetarëve, si masë për të penguar zgjerimin e koronavirusit, duke nxitur reagimin e presidentit Hashim Thaçi i cili tha se kjo paraqet shkelje të rëndë të Kushtetutës së vendit.
Në një mbledhje të qeverisë është vendosur që të “ndalohet qarkullimi i qytetarëve dhe automjeteve private nga 24 mars 2020 gjatë orës 10:00 – 16:00 dhe prej orës 20:00 – 06:00, përveç për nevoja mjekësore, prodhim, furnizim dhe shitje të mallrave esenciale (ushqim dhe barna për njerëz dhe kafshë/shpezë), dhe për shërbime dhe aktivitete që ndërlidhen me menaxhim të pandemisë”.
Mes tjerash sipas vendimit të qeverisë “lëvizjet në rrugë bëhen jo më shumë se nga dy persona së bashku dhe gjithmonë duke mbajtur distancën dy metra me të tjerët. Ndalohen tubimet në të gjitha mjediset — private dhe publike, të hapura dhe të mbyllura — përveç kur është e domosdoshme për të kryer detyrat e punës për parandalim dhe luftim të pandemisë, si dhe ku lejohet distanca dy metra me të tjerët. Në rast të vdekjeve, në varrim mund të marrin pjesë vetëm anëtarët e ngushtë të familjes së të vdekurit dhe personat që kryejnë shërbimin e varrimit”.
Presidenti i Kosovës organizoi një konferencë për gazetarë pak para orës 23 duke e cilësuar këtë veprim të qeverisë si kundër kushtetues dhe u bëri thirrje qytetarëve dhe institucioneve që të mos e respektojnë vendimin e qeverisë.
Ai tha se të martën do t’i kërkojë Gjykatës Kushtetuese që ta shpallë kundër kushtetues këtë vendim, që e cilësoi “të rrezikshëm për qeverinë dhe qytetarët e vendit. Kryeministri Kurti dhe qeveria e tij sonte kanë shkelur në mënyrë flagrante kushtetutën e Republikës së Kosovës. Është e papërgjegjshme institucionalisht dhe në kundërshtim me kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Vendimi për kufizimin e lirë të qytetarëve paraqet shmangie nga të drejtat dhe liritë e njeriut që garantohen me kushtetutën e Kosovës. Kufizimi i lirive dhe të drejtave të qytetarëve mund të bëhet vetëm nëse shpallet gjendja e jashtëzakonshme, e gjendjen e jashtëzakonshme mund ta shpall vetëm Kuvendi i Kosovës. Një gjendje e tillë nuk ekziston”, tha ai.
Ai tha se “qytetarët nuk janë të detyruar t’i respektojnë vendimet anti kushtetuese dhe askush nuk mund t’i dënojë ata për këtë, e ripërsëris, qytetarët nuk janë të detyruar t’i respektojnë vendimet anti kushtetuese dhe askush nuk mund t’i dënojë ata për këtë. Nënvizoj, as policia e Kosovës as organet e sigurisë nuk duhet të zbatojnë këtë vendim anti kushtetues të qeverisë sepse kështu edhe vet bëjnë vepër penale, e përsërisë as policia e Kosovës as organet e sigurisë nuk duhet të zbatojnë këtë vendim anti kushtetues të qeverisë sepse kështu edhe vet bëjnë vepër penale. Vendimi i qeverisë është pa efekt juridik të zbatueshëm dhe është i pazbatueshëm në tërë territorin e Kosovës”, tha presidenti Thaçi.
Ushtruesi i detyrës së ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, shkroi ndërkaq se “thirrja e presidentit për mosdëgjueshmëri është shqetësuese. Zyrtarët që bëjnë thirrje për mos-zbatimin e vendimeve qeveritare, ligji i dënon”.
Ai shtoi në një postim pas mesnatës se “vendimi i qeverisë për masa dhe kufizim të lëvizjeve bazohet tek Neni 55 i Kushtetutës, paragrafi 1, dhe tek Ligji nr.02/L-109 për parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve ngjitëse. Prandaj, presidenti nuk mund ta vendosë veten mbi Kushtetutën dhe mbi ligjin. Qytetarët duhet të bashkëpunojnë dhe së bashku t’i zbatojmë masat, që ta fitojmë luftën kundër coronavirusit”, shkroi ai.
Në nenin 55, pika 1 të Kushtetutës së Kosovës thuhet se “të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me këtë Kushtetutë, mund të kufizohen vetëm me ligj”.
Çfarë thotë Kushtetuta e Kosovës për gjendjen e jashtëzakonshme?
Neni 131 [Gjendja e Jashtëzakonshme]
1. Presidenti i Republikës mund të shpallë Gjendjen e Jashtëzakonshme, kur:
(1) ka nevojë për masa emergjente të mbrojtjes;
(2) ka rrezik të brendshëm ndaj rendit kushtetues ose sigurisë publike;
(3) ka fatkeqësi natyrore, e cila prek tërë territorin e Republikës së Kosovës ose një pjesë të tij.
2. Gjatë Gjendjes së Jashtëzakonshme, Kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk suspendohet. Kufizimet mbi të drejtat dhe liritë e garantuara me këtë Kushtetutë, bëhen vetëm deri në shkallën e nevojshme, për sa më pak kohë që të jetë e nevojshme dhe në përputhje të plotë me këtë Kushtetutë. Gjatë Gjendjes së Jashtëzakonshme, ligji për zgjedhjet e Kuvendit dhe të Komunave nuk mund të ndryshohet. Parimet e tjera për veprimet e institucioneve publike gjatë Gjendjes së Jashtëzakonshme rregullohen me ligj, por ato nuk duhet të jenë në shpërputhje me këtë nen.
3. Nëse paraqitet nevoja për marrjen e masave emergjente të mbrojtjes, Presidenti i Republikës së Kosovës, pas konsultimit me Kryeministrin, shpall Gjendjen e Jashtëzakonshme. Me shpalljen e Gjendjes së Jashtëzakonshme, Presidenti i Republikës së Kosovës shpallë menjëherë dekretin, i cili përcakton natyrën e kërcënimit dhe çfarëdo kufizimi për të drejtat dhe liritë. Brenda dyzet e tetë (48) orësh, Kuvendi mund të japë pëlqimin me dy të tretat (2/3) e votave të deputetëve të pranishëm dhe që votojnë. Nëse nuk jepet pëlqimi, dekreti i Presidentit nuk ka forcë as efekt.
4. Nëse ka rrezik ndaj rendit kushtetues dhe sigurisë publike në Republikën e Kosovës, ose ekziston një fatkeqësi natyrore në tërë territorin e Republikës së Kosovës ose një pjesë të tij, Presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me Kryeministrin, mund të shpallë Gjendjen e Jashtëzakonshme. Me shpalljen e Gjendjes së Jashtëzakonshme, Presidenti i Republikës së Kosovës shpallë menjëherë një dekret, i cili përcakton natyrën e gjendjes së emergjencës dhe çfarëdo kufizimi mbi të drejtat dhe liritë. Brenda dyzet e tetë (48) orësh, Kuvendi mund të japë pëlqimin e tij me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të pranishëm dhe që votojnë. Nëse nuk jepet pëlqimi, dekreti i Presidentit nuk ka forcë as efekt.
5. Gjendja e Jashtëzakonshme zgjat për aq kohë sa vazhdon të kërcënojë rreziku dhe nuk mund të zgjatë më shumë se për një periudhë prej gjashtëdhjetë (60) ditësh. Me pëlqimin e shumicës së deputetëve të Kuvendit të pranishëm dhe që votojnë, Gjendja e Jashtëzakonshme, nëse është e nevojshme, mund të zgjatet për periudha pasuese prej tridhjetë (30) ditësh, por jo më shumë se për nëntëdhjetë (90) ditë shtesë gjithsej.
6. Kuvendi mund të vendosë kufizime të tilla, sipas nevojës, për sa i përket kohëzgjatjes dhe shkallës së Gjendjes së Jashtëzakonshme. Kur Presidenti konstaton se rreziku ndaj Republikës së Kosovës është i natyrës së jashtëzakonshme, Kuvendi mund të vendosë që Gjendja e Jashtëzakonshme të zgjasë më shumë se njëqind e pesëdhjetë (150) ditë, vetëm nëse për të votojnë dy të tretat (2/3) e të gjithë deputetëve të Kuvendit.
7. Presidenti i Republikës së Kosovës, pas konsultimit me Qeverinë dhe Kuvendin, mund të urdhërojë mobilizimin e Forcës së Sigurisë të Kosovës, për të ndihmuar në Gjendjen e Jashtëzakonshme.
8. Këshilli i Sigurisë i Republikës së Kosovës, vetëm gjatë Gjendjes së Jashtëzakonshme, ushtron funksione ekzekutive që kufizohen në funksionet që ndërlidhen në veçanti me Gjendjen e Jashtëzakonshme. Gjatë Gjendjes së Jashtëzakonshme, Këshilli i Sigurisë i Republikës së Kosovës do të drejtohet nga Presidenti i Republikës së Kosovës, sikur rregullohet me ligj. Gjatë Gjendjes së Jashtëzakonshme, Këshilli i Sigurisë i Republikës së Kosovës do të bashkëpunojë ngushtësisht me Qeverinë, Kuvendin dhe autoritetet ndërkombëtare.
9. Ligji përcakton parimet, lëmit dhe mënyrën e kompensimit të dëmeve të shkaktuara si pasojë e kufizimeve të vendosura gjatë Gjendjes së Jashtëzakonshme.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, shkroi në llogarinë e tij në facebook se “vendimin për kufizimin e të drejtave dhe lirive të njeriut, mund ta marrin vetëm dy të tretat e deputetëve dhe jo Qeveria. Ndryshe shkelet Kushtetuta, pa marrë parasysh kush janë ata që kanë votuar dhe në çfarë rrethana. Prandaj qeveria do duhej ta rishqyrtojë vendimin e saj dhe karshi gjendjes së krijuar t’i drejtohet Kuvendit”.
Kundër vendimit të qeverisë reagoi edhe Partia Demokratike e Kosovës, duke e cilësuar atë “një akt të paligjshëm sepse shkel në mënyrë flagrante Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Liria e lëvizjes dhe liritë tjera që preken nga masat e fundit të marra prej Qeverisë, janë të shenjta e të garantuara nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe konventat ndërkombëtare për të drejtat dhe liritë e njerëzve që ka miratuar Kosova”.
Ish kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës shkroi në rrjetet sociale se vendimi i qeverisë “është shkelje e rëndë e frymës së Kushtetutës dhe sistemit të balancimit dhe kontrollit! Edhe në kohë krizash gjëja më e çmueshme e shtetit është demokracia dhe Kushtetuta. Çdo tendencë si kjo e sotshmja që krizat të shfrytëzohen për vendime të njëanshme për të vendosur kontroll, është veprim për diktaturë. Kosova nuk është shtet i diktaturës por i frymës së demokracisë”, shkroi ai.
Përplasjet për dhe kundër gjendjes së jashtëzakonshme u shpërfaqën më 18 mars, kur kryeministri Albin Kurti refuzoi kërkesën e presidentit Hashim Thaçi për deklarimin e gjendjes së jashtëzakonshme.
Kryeministri Albin Kurti shkarkoi ministrin e Brendshëm, Agim Veliu, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës për shkak të mospajtimeve rreth gjendjes së jashtëzakonshme dhe pas kësaj Lidhja Demokratike mblodhi nënshkrimet për një mocion votëbesimi për të rrëzuar qeverinë.
Situata e re politike u kritikua nga vëzhgues vendas e ndërkombëtar, analistë e organizata joqeveritare që e shohin atë si zhvillim të dëmshëm në kohë pandemie.
Të hënën mbrëma autoritetet thanë se numri i të prekurve me koronavirus ka arritur ne 61 veta.
Përplasja qeveri – president rreth kufizimit apo jo të lëvizjeve, sipas analistëve në Prishtinë, vë në pah luftën politike ndërmjet rivalëve të vjetër për dominim në skenën politike.
Facebook Forum