Parlamenti i Kosovës, miratoi në një seancë të jashtëzakonshme buxhetin për vitin 2020, por pa praninë e deputetëve të opozitës.
Your browser doesn’t support HTML5
Buxheti i këtij viti është 2 miliardë e 357 milionë euro dhe miratimi i tij u bë më procedurë të përshpejtuar, për shkak të situatës së krijuar pas konfirmimit të rasteve të para të infektimit me koronavirus.
Lexoni edhe këtë Kosovë, shkon në pesë numri i të infektuarve me koronavirusOpozita braktisi punimet e pakënaqur me shumicën parlamentare e cila sipas saj, shfrytëzoi gjendjen e krijuar për ta kaluar buxhetin që ajo e quajti “të masakruar”.
Gjatë seancës për buxhetin parlamenti miratoi edhe një rezolutë në të cilën thuhet se qeveria e Kosovës është institucioni që ka mandatin për të udhëhequr bisedimet me Serbinë.
Në tekstin e rezolutës që u miratua po ashtu, pa praninë e opozitës, thuhet se “Sovraniteti shtetëror, integriteti territorial dhe karakteri shtetëror unitar i Republikës së Kosovës janë të pacenueshme. Askush nuk ka të drejtë të bisedojë, dialogojë apo negociojë për sovranitetin, integritetin territorial, rendin kushtetues dhe karakterin unitar të Kosovës”.
Në tekstin e rezolutës, që u lexua nga shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, thuhet se “në përputhje me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, është Qeveria e Kosovës që ka mandatin të udhëheqë bisedimet ose dialogun me Serbinë dhe të bëjë përgatitjet për negociata, e të negociojë lidhur me marrëveshjen e mundshme përfundimtare e cila do të përmbyllet me njohje reciproke me Republikën e Serbisë”.
Të dielën, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, akuzoi partitë në pushtet se organizuan seancë të jashtëzakonshme për buxhet, “duke abuzuar me shqetësimin e emergjencës qytetare për pandeminë e coronavirusit – tashmë të shpërndarë në disa cepa të vendit tonë, edhe për shkak të papërgjegjësisë së kësaj Qeverie në parandalimin e përhapjes së tij. Përjashtuan me dredhi opozitën nga vendimmarrja e një ligji kaq me rëndësi për qytetarët, si ky për buxhetin. Tradhtuan qytetarët me premtime, duke mos e përfshirë në buxhet, siç ishte paraparë, rritjen e pagave të sektorit shëndetësor dhe tërë sektorit publik. Dhe, pikërisht në kohën e izolimit e sanksioneve të SHBA-së mbi Shtetin e Kosovës, nuk u morën me problemin fundamental para vetes si sfidë – taksën, por menduan vetëm për vetveten, se si të takohen me përfaqësuesit serbë në Dialog, dhe për këtë nxorën Rezolutë pas mesnatës”, shkroi mes tjerash ai.
Ndërsa kryeministri Albin Kurti, shkroi se “sot me datë 15 mars 2020, është dashur që të hiqet tarifa 100% në lëndën e parë që importohet nga Serbia. Kjo nuk do të ndodhë sepse qëndrimi im i shprehur më 26 shkurt 2020 ndërkohë nuk u bë vendim. Më vjen keq për këtë. Ende nuk kam arritur ta bind partnerin tonë të koalicionit qeverisës, LDK-në, për atë që vetë jam i bindur: zëvendësimi gradual i tarifës me reciprocitetin është mënyra më e mirë, më e drejtë dhe më e dobishme”.
Lidhja Demokratike nuk është pajtuar me qëndrimin kryeministrit për heqjen e kushtëzuar të tarifave ndaj mallrave serbe, duke kërkuar që ato të hiqen tërësisht sipas kërkesës së Shteteve të Bashkuara, të cilat tashmë kanë pezulluar programe dhe kanë paralajmëruar sanksione të tjera nëse kjo nuk ndodhë.
Lexoni edhe këtë Korporata “Sfidat e Mijëvjeçarit” pezullon programet për KosovënZëvendëskryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, shkroi sot se tarifat duhet të hiqen “SOT, MENJËHERË, PLOTËSISHT. Nuk ka vend për taktizim politik me partneritetin tonë me ShBA. Lojërat politike se a jemi me BE apo me SHBA nuk i shërbejnë forcimit të shtetësisë së Kosovës e të lidhjeve me partnerët tanë. Vëmendja e jonë duhet të jetë në menaxhimin e situatës së krijuar nga Covid-19, e jo në lojëra politike që qojnë në DISTANCIM të ShBA-së nga Kosova, siç ka nisur me bllokimin e fondeve të MCC-së për Kosovë, të nënshkruara nga Qeveria Mustafa”.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka kërkuar qeverisë heqjen e tarifave dhe shfrytëzimin e përfshirjes amerikane për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë dhe kjo kërkesë u ritheksua edhe në takimin e tij të së premtes me kryeministrin Kurti.
Lexoni edhe këtë Kosovë: Thaçi dhe Kurti – pajtohen të bashkëpunojnë për çështjet me interes kombëtarTë dy udhëheqësit kanë pikëpamje të ndryshme për çështjen e tarifës, por edhe për mënyrën e vazhdimit të bisedimeve me Serbinë dhe udhëheqjen e këtyre bisedimeve që janë pezullua që nga nëntori i vitit 2018 për shkak të refuzimit të Beogradit që të ulet në tryezën e negociatave derisa Kosova nuk heq tarifat ndaj mallrave serbe.