Lidhje

Kosovë: Thaçi dhe Kurti – pajtohen të bashkëpunojnë për çështjet me interes kombëtar


Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe kryeministri Albin Kurti zhvilluan të premten një takim më shumë se dy orësh për siç u tha, diskutimin e temave të ndryshme dhe rritjen e bashkëpunimit për çështjet me të cilat po përballet Kosova.

Ky ishte takimi i parë që nga formimi i qeverisë së re të Kosovës dhe pasoi një shkëmbim ftesash ndërmjet dy rivalëve të vjetër.

Pas takimit, presidenti Hashim Thaçi tha se me kryeministrin Kurti ka biseduar për rolin dhe fuqizimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare gjithashtu edhe për bisedimet Kosovë-Serbi.

“Ishte konstatim i përbashkët se një punë e përbashkët e bartësve të institucioneve dhe të liderëve politik mund të çojnë vendin më shpejt dhe më mirë përpara. Mendoj se ka hapësirë dhe ka substancë të mjaftueshme që më tepër janë ato gjëra që na përafrojnë se sa na ndajnë për të çuar vendin në NATO, Bashkim Evropian dhe për të ruajtur përjetësisht miqësinë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha presidenti Thaçi.

Ai tha se është në autoritetin e qeverisë që të heq tarifat ndaj mallrave serbe dhe një vendim i tillë është me interes kombëtar.

“Unë shpresoj që qeveria do të merr shpejt vendim dhe të qartë, në kohë të duar, që hap rrugë drejt një angazhimi të përbashkët të gjithë spektrit politik por ritheksoj në tavolinë do të jemi të bashkuar si Kosovë me një qëndrim, me qëndrimin e ruajtjes dhe kultivimit e forcimit të interesit shtetëror dhe perspektivës euro-atlantike, prandaj duhet të fokusohemi në gjëra që janë përafruese mes nesh, ne jetojmë në demokraci dhe njerëz kanë ide dhe qëndrime të ndryshme që duhet të respektohen nga opinioni, por interesi nacional është mbi të gjitha”, tha presidenti Thaçi.

Ndërsa, kryeministri Albin Kurti tha se takimi ishte i rëndësishëm dhe hap komunikimin ndërmjet dy institucioneve.

“U dakorduam që ne të takohemi në mënyrë që të komunikojmë dhe të bashkëpunojmë sidomos për politikën e jashtme ,por më duhet të them që takimi ka hapur një mori temash prej mini-shengenit tek aleanca ballkanike, prej çështjeve të energjisë, pozitës e opozitës e deri tek dialogu në Bruksel e Washington, e tarifa dhe kështu me radhë. Por, megjithatë, mendoj se ka qenë një takim i rëndësishëm, takim i cili është lajm i mirë për shtetin e Kosovës meqenëse kryeministri dhe presidenti bisedojnë së bashku për atë që është e përbashkët. Me fjalë tjera ka qenë takim substancial edhe pse mund të mos jetë menduar në fillim si i tillë dhe do të vazhdohet në mënyrë që të mos ketë befasi për qytetarët e Kosovës por gjithashtu për krerët institucional”, tha kryeministri Kurti.

Takimi ndërmjet presidentit Hashim Thaçi dhe kryeministrit Albin Kurti ndodhi në një kohë kur janë shtuar trysnitë nga pala amerikane për heqjen e tarifave ndaj mallrave serbe dhe paralajmërimeve për sanksione e tërheqje trupash, nëse një gjë e tillë nuk ndodh. Të dy udhëheqësit kanë pikëpamje të ndryshme për çështjen e tarifës, por edhe për mënyrën e vazhdimit të bisedimeve me Serbinë.

Presidenti Thaçi ka kërkuar heqjen e tarifës dhe shfrytëzimin e përfshirjes amerikane për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë, ndërsa kryeministri Kurti kërkon që tarifa të zëvendësohet me reciprocitet ndaj Serbisë dhe të mos ketë nguti në bisedimet me Serbinë.

Qëndrimi i tij rreth tarifave nuk është mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa ka nxitur mospajtime edhe brenda vet koalicionit qeverisës në Kosovë, meqë Lidhja Demokratike kërkon që tarifat të hiqen sipas kërkesës amerikane.

Çështja nuk është hedhur për votim në qeverinë e Kosovës, meqë kryeministri Kurti tha se nuk do ta bëj një gjë të tillë pa një marrëveshje me partnerin e koalicionit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG