Ministria e Jashtme e Kosovës tha të shtunën se ka hapur ambasadën në Jerusalem, duke e bërë Kosovën vendin e tretë që hap misionin e saj diplomatik në atë qytet.
Your browser doesn’t support HTML5
Në një njoftim të ministrisë së Jashtme të Kosovës të publikuar në rrjetet sociale thuhet se “bazuar në Marrëveshjen e Uashingtonit të 4 shtatorit 2020, ku zyrtarizohet njohja e ndërsjellë mes Republikës së Kosovës dhe Shtetit të Izraelit dhe zotimit të Qeverisë së Kosovës ndaj Qeverisë izraelite dhe Administratës amerikane dhe veprimet që janë̈ ndërmarrë nga 1 shkurti, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ju njofton se tashmë është hapur edhe zyrtarisht Ambasada e Kosovës në Shtetin e Izraelit, me seli në Jerusalem”.
Me 1 shkurt Kosova dhe Izraeli vendosën marrëdhënie diplomatike, pasi që më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë, në kuadër të një dakordimi për normalizimin ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në praninë e ish presidentit amerikan Donald Trump, pjesë e të cilit ishte edhe pajtimi i Izraelit për njohjen e Kosovës dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike.
Ministria e Jashtme tha të shtunën se “në pamundësi për të qenë prezentë̈ në Jeruzalem përfaqësuesit e shtetit të Kosovës, për shkak të situatës pandemike, Ministria e Punëve të Jashtme ka udhëzuar të Ngarkuarën me Punë në Izrael që Pllakën e zbuluar nga Ministri Ashkenazi, bashkë me flamurin shtetëror, ta vendosë në objektin e Ambasadës së Kosovës në Jeruzalem”.
Lexoni edhe këtë Kosova dhe Izraeli vendosën marrëdhëniet diplomatikeKosova ka emëruar zonjën Ines Demiri të ngarkuar me punë ndërsa emërimi i ambasadorit do të bëhet më vonë.
“Vendosja e pllakës dhe flamurit shtetëror në Ambasadën e Kosovës në Izrael reflekton përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të përmbushur zotimin e dhënë për vendosjen e misionit diplomatik në Jeruzalem. Ambasada e Republikës së Kosovës në Jeruzalem do të përkushtohet fuqimisht për të rritur bashkëpunimin bilateral dhe për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës”, thuhet në njoftimin e ministrisë së Jashtme të Kosovës.
Njoftimi i sotëm u dha fund debateve që ishin nxitur në Kosovë për shkak të reagimeve të vendeve që kundërshtojnë vendosjen e ambasadave në Jerusalem, përfshirë Turqinë e cila e cilësoi “zhgënjyes” faktin që “një hap i tillë, që do të përbënte shkelje të qartë të ligjit ndërkombëtar, po shqyrtohet nga autoritetet e Kosovës”.
Lexoni edhe këtë Debate rreth vendosjes së ambasadës së Kosovës në IzraelTë dielën ministria e Jashtme turke u shpreh e shqetësuar dhe dënoi hapjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem.
Në një komunikatë të shpërndarë nga ambasada turke në Prishtin, thuhet se udhëheqësit e Kosovës “kanë vepruar në kundërshtim me parametrat e vendosura të procesit të paqes, duke përfshirë rezolutat përkatëse të Kombeve të Bashkuara për statusin e Jerusalemit dhe dëmtuar vizionin e një zgjidhjeje me dy shtete dhe shpresat e paqes në rajon. Ne i inkurajojmë udhëheqësit kosovar që të dëgjojnë mendjen e shëndoshë dhe të heqin dorë nga ky hap i papërgjegjshëm dhe i paligjshëm”, thuhet në komunikatë.
Menjëherë pas marrëveshjes së 4 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë, Bashkimi Evropian ishte shprehur i shqetësuar me zotimin e Kosovës për vendosjen e ambasadës në Jerusalem.
Vëzhguesit tërheqin vërejtjen se vendndodhja e ambasadave është vendim i vendit mikpritës dhe Kosova nuk mund të përcaktojë se ku do ta ketë ambasadën e saj.
Në fund të vitit 2017, ish presidenti amerikan Donald Trump, shpalli vendimin e qeverisë së tij për të njohur Jerusalemin si kryeqytet të Izraeli dhe në maj të viti 2018 hapi ambasadën në atë qytet. Guatemala është vendi i dytë që zhvendosi ambasadën nga Tel Avivi në Jerusalem.
Të enjten në 11 mars Republika Çeke hapi përfaqësinë e saj diplomatike në Jerusalem.