Lëvizja Vetëvendosje theksoi të martën se njohja e Kosovës nga Izraeli dhe vendosja e marrëdhënieve diplomatike me të është shumë e rëndësishme dhe mundësi e mirë për zhvillim. Ritheksimi i këtij qëndrimi të shprehur nga kryetari i kësaj lëvizjeje, Albin Kurti, pasoi reagimet që nxiti një qëndrim i zotit Kurti rreth vendit ku do të vendoset ambasada e Kosovës në Izrael.
Të hënën zoti Kurti që pritet të jetë kryeministër i Kosovës, pasi që partia e tij shënoi fitore të thellë në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit, tha pas një takimi më ambasadorin turk në Kosovë se kjo “është një çështje që do të shqyrtohet duke parë edhe dokumentacionin e qeverisë në ikje”
Me 1 shkurt Kosova dhe Izraeli vendosën marrëdhënie diplomatike, pasi që më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë, në kuadër të një dakordimi për normalizimin ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Serbinë në praninë e ish presidentit amerikan Donald Trump, pjesë e të cilit ishte edhe pajtimi i Izraelit për njohjen e Kosovës dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike.
Pjesë e marrëveshjes për njohjen ishte edhe zotimi i Kosovës për hapjen e ambasadës së saj në Jerusalem.
Ky zotim kishte nxitur reagime të vendeve që kundërshtojnë vendosjen e ambasadave në Jerusalem, përfshirë Turqinë e cila e cilësoi “zhgënjyes” faktin që “një hap i tillë, që do të përbënte shkelje të qartë të ligjit ndërkombëtar, po shqyrtohet nga autoritetet e Kosovës”.
Kjo çështje është bërë edhe pjesë e urimeve drejtuar zotit Kurti për fitoren e tij në zgjedhje edhe nga udhëheqësit e Turqisë dhe Izraelit.
Derisa presidenti turk Recep Tayip Erdogan shkruan se vendosja e ambasadës në Jerusalem “do të mund t’i shkaktonte dëme të mëdha Kosovës”, kryeministri izraelit, Benjanim Netanyahu, shkruan se i kushton “rëndësi vendimit të Kosovës për të hapur ambasadën në Jerusalem dhe ju pres në Izrael për përurimin e saj”. Letrat u publikuan në facebook nga zëdhënësi i zotit Kurti, Përparim Kryeziu së bashku me letrat e udhëheqësve tjerë nga bota që i kanë uruar fitoren.
Menjëherë pas marrëveshjes së 4 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë, Bashkimi Evropian është shprehur i shqetësuar me zotimin e Kosovës për vendosjen e ambasadës në Jerusalem.
“Meqë Kosova dhe Serbia e kanë përcaktuar integrimin evropian si përparësi strategjike, Bashkimi Evropian pret që të dyja palët të veprojnë në harmoni me këtë përkushtim që të mos dëmtojnë ardhmërinë e tyre evropiane. Serbia tashmë është duke negociuar këtë anëtarësim dhe pritet që ajo të harmonizojë politikën e saj me ato të Bashkimit Evropian”, tha atëbotë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
Vëzhguesit pohojnë se qëndrimet e tilla mund të vënë në pozitë të vështirë zotin Kurti si kryeministër i ardhshëm, por tërheqin vërejtjen se vendndodhja e ambasadave është vendim i vendit mikpritës dhe Kosova nuk mund të përcaktojë se ku do ta ketë ambasadën e saj.
Debatet rreth kësaj çështjeje dhe qëndrimi i zotit Kurti u kritikuan ashpër të martën nga ish i dërguari i ish presidentit Donald Trump për bisedimet e paqes Kosovë – Serbi, Richard Grenell. Duke shpërndarë një shkrim të gazetës izraelite Heeratz që transmetoi një shkrim të agjencisë së lajmeve Associated Press për këtë çështje ai shkroi në twitter se “udhëheqësi antiamerikan i krahut të majtë i Kosovës, Albin Kurti, ka qenë kundër politikave të Shteteve të Bashkuara të sugjeruara nga Bill Clinton, George Bush, Barack Obama dhe Donald Trump. Ai është gjithnjë një anti-amerikan”, shkroi ai.
Zoti Grenell njihet si autori i dakordimit për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike Kosovë – Serbi që u arrit në Shtëpinë e Bardhë. Në pranverën e vitit të kaluar zoti Kurti tha se zoti Grenell ishte përfshirë në rrëzimin e qeverisë së tij më 25 mars, për shkak të mospajtimeve rreth procesit të bisedimeve Kosovë – Serbi.
Facebook Forum