Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha të mërkurën se qëndrimet jo unike të udhëheqësve të Kosovës rreth tarifave ndaj mallrave serbe dhe bisedimeve me Beogradin, e kanë bërë Serbinë më të fortë dhe i kanë dhënë mundësi të kushtëzojë kthimin në tryezën e bisedimeve.
Ai i bëri këto komente duke reaguar ndaj intervistës së kryetarit të parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli, dhënë Zërit të Amerikës, në të cilën ai tha se ka dallime konceptuale me kryeministrin Haradinaj rreth tarifave dhe bisedimeve.
Your browser doesn’t support HTML5
“Dhe ka një pragmatizëm ku unë e mbroj interesin tim, duke mos lejuar asnjëherë që komunikimi me Serbinë, forma në të cilën komunikoj me Serbinë të bartet njëtrajtshëm edhe me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian. Ky është dallimi mes meje dhe kryeministrit Haradinaj, i cili duhet ta bëjë këtë dallim. Kur flas për Serbinë, edhe 1000 për qind ia vë taksën, por kur flasim me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian ne duhet të jemi pragmatikë, duhet të jemi pak më të mençur. Kjo është çështja që dallon”, tha zoti Veseli.
Lexoni edhe këtë Veseli: Serbia të reflektojë, Kosova është shtet i pavarur“E pash intervistën, është kualifikim i paqëndrueshëm, pra, nuk kam qasje me Amerikën si me Serbinë. Me Serbinë njëherë jam nda në luftë, kam qenë
krah për krah me Amerikën. Kemi dallime në tema me Serbinë të shumta, ma pak me Amerikën. Kemi dallim në një temë; suspendimin e taksës. Sikur kryetari Veseli e të tjerët të kishin qenë unik Amerika ndoshta do të na kishte përkrahur më shumë, po kjo dëshirë me fol ndryshe po na bën dëm si Kosovë e na ka lënë ku jemi sot”, tha të mërkurën kryeministri Haradinaj.
Veseli: Nuk mund t’i vëmë bashkë SHBA-në, BE-në dhe tarifat ndaj Serbisë
Pozicioni im është shumë i qartë që nga fillimi, është transparent: Kosova ka të drejtën legjitime të marrë vendimet të cilat janë qoftë tarifa, qoftë mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit territorial e institucional. Por duhet ta dimë, i gjithë populli ynë e di: populizmi është një opium që krijon një favor në një moment të caktuar për politikanë të caktuar. Për periudhën afatgjatë ne duhet të jemi të mençur dhe nuk kemi rrugëtim tjetër pa SHBA dhe Bashkimin Evropian, nuk mund të jemi të suksesshëm në qëllimin që kemi. Në qoftë se i vëmë bashkë: SHBA, Bashkimin Evropian, si dhe çështjen tarifën edhe Serbinë është gabim. Ne duhet të gjejmë momentumin dhe rrugën e cila e dallon Serbinë nga gjuha e cila përdoret ndaj nesh nga Bashkimi Evropian dhe SHBA.
Ai hodhi poshtë çdo mundësi që këmbëngulja për tarifat të jetë populizëm.
“Fatkeqësisht besnikëria ndaj atdheut ndaj temave të interesit nacional nuk duhet me u kalkulu kështu. Populizëm ose miqësi me Amerikën për Veselin e të tjerët ka qenë kur ishin momente të tjera, u pa se nuk e kemi fort shqetësim qasjen ndaj Amerikës se kemi fol me një gjuhë tjetër, ju e dini për cilën temë e kam fjalën. Ndërsa, kur janë temat e interesit nacional, me i kërku Kosovës me e suspendu taksën pra me ja dhanë tregun shtetit që e mohon ekzistencën tonë është e padrejtë. Ehe nuk shpjegohet kjo kurrqysh ski qysh me e shpjegu, nuk është në logjikën e Amerikës, e as të askujt tjetër, por, është fatkeqësia e udhëheqësve tonë që shkojnë atje dhe i thonë duhet me e gjet një zgjidhje, në vend se me i thanë ka të drejtë kryeministri jonë, kemi të drejtë që e kemi vendosë taksën...Po shihet këta unë e kam pas shumë të vështirë me e mbajt këtë drejtim politik, pikërisht për shkak të këtyre thyerjeve, se jam ankuar disa herë që nuk kemi qenë unik fatkeqësihst. Dhe kjo pastaj e bën Serbinë më të guximshme edhe nuk lëshon pe përderisa gjysma jonë i thotë kemi me e hekë taksën pse me e ardhë Serbia në dialog?”, tha kryeministri Haradinaj.
Qeveria e Kosovës u vuri tarifa prej 100 për qind mallrave nga Serbia në nëntor të vitit të kaluar në shenjë kundërvënieje ndaj qasjes së Beogradit ndaj shtetësisë së Kosovës.
Beogradi kushtëzon rifillimin e bisedimeve të pezulluara me heqjen e këtyre tarifave, ndërsa Prishtina kërkon që bisedimet të mos kushtëzohen.