Kosovë: Covid-19; Shkon në 31 numri i të prekurve

Në Kosovë të shtunën u regjistruan edhe gjashtë raste të infektimit me koronavirus duke çuar në 31 numrin e të rasteve të konfirmuara.

Në një njoftim të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike gjatë natës, u tha se dy raste të reja një 20 vjeçar dhe një 36 vjeçare janë nga komuna e Gjilanit, ndërsa një tjetër është një 31 vjeçar nga fshati Senik i komunës së Malishevës.

Më herët, Instituti kishte njoftuar për një te infektuar 32 vjeçar i kthyer nga Gjermania, me vendbanim në fshatin Bibaj të komunës së Ferizajt, dy gra të moshës 50 dhe 29 vjeçare nga Prishtina dhe një gruaje 40 vjeçare nga Gjakova.

Tri të fundit ishin në kontakt me persona të prekur nga virusi. Deri tash pjesa më e madhe e të prekurve janë persona që kishin qëndruar në Itali dhe familjarë të tyre, por edhe raste të personave që kishin qëndruar në Gjermani.

Autoritetet në Kosovë thanë të shtunën se dy tri javët e ardhshme pritet të jenë vendimtare për luftën kundër koronavirusit.

Ata po u bëjnë thirrje qytetarëve që të zbatojnë masat e vendosura për pengimin e përhapjes së virusit. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha në një paraqitje para gazetarëve se nga sot ka hyrë në fuqi vendimi për ndalimin e qëndrimit dhe lëvizjes nëpër parqet e Kosovës.

“Kemi marrë vendim që nga ora tetë e mëngjesit deri në orën njëzet të darkës të jenë të ndaluara për qëndrim dhe lëvizje brenda, gjithashtu kemi ndaluar mundësinë për të marrë me vete apo ‘take away”, siç thuhet, të pijeve të ngrohta. Duhet ta përsërisim atë që kurrë nuk është e tepërt, disiplinë individuale, higjienë personale, përgjegjësi qytetare, pra, pastrim, distancë, në shtëpi”.

Kryeministri Kurti paralajmëroi madje edhe ndalimin e konferencave me gazetarë duke inkurajuar komunikim nëpërmjet rrugëve elektronike.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se derisa nuk ka një ilaç për ta shëruar koronavirusin, mjeti më i mirë i luftës kundër tij është ndërgjegjësimi i qytetarëve për respektimin e rregullave dhe masave të përcaktuara nga institucionet e vendit.

“Sot jemi këtu për të bërë të qartë se do të jetë e kotë çfarëdo mase që ndërmarrim kundër kësaj sëmundjeje nëse qytetarët nuk i zbatojnë masat që ka marrë qeveria dhe rekomandimet që kanë dhënë institucionet përkatëse. Është koha e fundit ta kuptojmë se kjo situatë është mjaft serioze, koronavirusi është realitet dhe po sjell vdekje në çdo pjesë të globit”.

Ai tha se dy tri javët e ardhshme pritet të jenë vendimtare për luftën kundër koronavirusit në Kosovë. Ministri Vitia tha se aktualisht Kosova ka 142 respiratorë nga të colët 95 në sektorin publik dhe 47 në atë privat, ndërkaq janë porositur edhe 50 respiratorë shtesë të cilët pritet të arrijnë në Kosovë në muajt prill dhe maj.

Ministri Vitia tha po ashtu se secili qytetar që kthehet në Kosovë gjatë këtyre ditëve do të vihen në karantinë 14 ditëshe.

Janë disa qindra qytetarë të Kosovës gjithandej botës që po kërkojnë mundësi të kthimit në shtëpi. Ministria e Jashtme ka bërë thirrje që vetëm rastet, që kanë urgjenca, të paraqiten në Ambasadat dhe Konsullatat e Kosovës, për t’u përfshirë në listat e kthimit.