Kosovë, shkon në pesë numri i të infektuarve me koronavirus

Ministria e Shëndetësisë në Kosovë bëri të ditur se në orët e mbrëmjes janë konfirmuar edhe dy raste të tjera të të infektuarve me koronavirus, duke e çuar në pesë numrin e personave të infektuar.

Në një njoftim të kësaj ministrie thuhet se “një rast është nga fshati Stubëll i komunës së Vitisë, një burrë 42 vjeç që kishte qenë në kontakt me një burrë 77 vjeçar që u konfirmua të premten si i prekur me COVID 19. Rasti i dytë i konfirmuar të shtunën mbrëma është një 37 vjeçare, shtetase e Kosovës me qëndrim në Brescia të Italisë, e cila kishte hyrë në Kosovë më 1 mars nëpërmjet aeroportit të Prishtinës. Ajo është nga fshati Bubavec i komunës së Malishevës.

Your browser doesn’t support HTML5

Kosovë, tre të infektuar me koronavirusin

Në njoftim thuhet se gjatë datës 14 mars, janë paraqitur 67 raste të dyshimta me COVID-19 në Klinikën Infektive të Kosovës.

Autoritetet thanë se që nga “tetë shkurti dhe deri më sot janë testuar gjithsej 207 mostra të dyshimta dhe pesë syresh rezultuan pozitive”.

Të premten autoritetet konfirmuan rastet e para të infektimit “një 20 vjeçare shtetase italiane dhe tjetri shtetas i Kosovës i moshës 77 vjeçare”.

Lexoni edhe këtë Kosova konfirmon dy raste me koronavirus

Rasti i tretë është një i afërm i 77 vjeçarit nga komuna e Vitisë në Kosovën lindore.

Naser Ramadani, nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, tha se gjendja e të prekurve është e qëndrueshme.

Pas konfirmimit të rasteve, qeveria e Kosovës vendosi të mbyllë të gjithë kufijtë tokësor dhe linjat ajrore si dhe hyrje – daljet në komunat e Klinës dhe të Vitisë, dy qytete këto ku janë paraqitur rastet me koronavirus.

Lexoni edhe këtë Kosovë, qeveria mbylli kufijtë dhe pezulloi fluturimet

Po ashtu qeveria tha se ka ndërprerë transportin ndër urban në Kosovë si dhe transportin e organizuar ndërkombëtar.

Të shtunën, presidenti i Kosovës vendosi edhe shtyrjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarin e komunës së Podujevës, që duhej të mbaheshin të dielën më 15 mars.