Koronavirusi ka prekur edhe Kosovën. Kjo u bë e ditur në një konferencë të jashtëzakonshme nga ministri i Shendetësisë, Arben Vitia, sipas të cilit të dy të prekurit janë “një 20 vjeçare shtetase italiane dhe tjetri shtetas i Kosovës i moshës 77 vjeçare”.
Ministri Vitia tha se të prekurit janë në Klinikën Infektive të Kosovës dhe se gjendja e tyre është e mirë. Ai tha se Instituti i Shëndetit Publik tashmë ka filluar “gjurmimin e të gjitha kontakteve të dy pacientëve dhe janë marrë të gjitha masat e izolimit dhe vetkarantimit të personave më të cilët kanë qenë në kontakt të konfirmuarit pozitiv në Covid-19”.
Ai tha se Komiteti për bashkërendimin dhe vlerësimin e situatës me koronavirus po mban mbeldheje për të nxjerrë masat përkatëse pas paraqitjes së situatës së re.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se bëri thirrje për kujdes dhe shmangjen e hapësirave publike.
“I ftoj qytetarët për qetësi, që të mos bëjnë panik dhe të mos paraqiten në Klinikën Infektive nëse nuk kanë shenja të sëmundjes. Ministria e Shëndetësisë e ka vënë në dispozicion linjën telefonike për informim e këshillim në të cilën mund të thërrasin të gjithë ata tek të cilët mund të shfaqen simptoma të dyshimta për sëmundje akute të frymëmarrjes dhe historik të udhëtimit në zonë ose territor që raporton sëmundjen me COVID-19 gjatë 14 ditëve para fillimit të simptomave. Ftohen të gjithë qytetarët që pa panikë, por me kujdes të shtuar t’iu përmbahen udhëzimeve dhe masave parandaluese të rekomanduara nga institucionet shëndetësore, si dhe të gjitha masave të shpallura nga qeveria e Kosovës”, tha kryeministri Kurti.
Qeveria e Kosovës pritet të mbaj një mbledhje të jashtëzakonshme pas paraqitjes së dy rasteve të para të prekurve me koronavirus.
Kosova tashmë ka marrë masa të ndryshme për të parandaluar përhapjen e Koronavirusit. Qeveria ka ndërprerë procesin mësimor në të gjitha nivelit si dhe shtimin e masave tjera për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.
Facebook Forum