Të dielën në Ohër, mbahet takimi i udhëheqësve të vendeve të Ballkanit Perëndimorë, një takim që është vazhdimësi e takimit të 10 tetorit që u mbajt në Novi Sad për krijimin e një “Shengeni” ballkanik ndërmjet Shqipërisë, Serbisë e Maqedonisë së Veriut.
Në takimin e së dielës janë ftuar edhe Kosova, Mali i Zi e Bosnja e Hercegovina.
Por, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha të shtunën se ka refuzuar pjesëmarrjen për disa arsye: “së pari, Kosova, qëllimshëm ishte anashkaluar nga Serbia në Samitin e Parë të kësaj iniciative të re rajonale. Së dyti, vizioni i vetëm i Kosovës mbetet anëtarësimi në BE dhe NATO. Prandaj, ne nuk duam që në asnjë rrethanë ta zëvendësojmë perspektivën tonë euroatlantike me çfarëdo iniciative rajonale.Dhe, së treti, kjo iniciativë rajonale është e pakuptimtë për aq kohë sa Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina nuk e njohin pavarësinë e Kosovës”.
Ai shkroi në rrjetin facebook se Kosova është e përkushtuar për fqinjësi të mirë dhe heqjen e pengesave për lirinë e njerëzve dhe mallrave.
“Por, Kosova nuk mund të jetë pjesë e një Samiti të tillë në te cilin marrin pjesë shtete, të cilat ende nuk e njohin realitetin e Kosovës së pavarur. Ne jemi të përkushtuar që të tejkalojmë pengesat aktuale nëpërmjet dialogut dhe marrëveshjes për njohje reciproke. Vetëm atëherë kur të ndodhë një gjë e tillë, ne do të bëhemi pjesë e iniciativave të tilla rajonale si shtete të barabarta”, shkroi ai.
Udhëheqësit e tre vendeve ballkanike, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev ranë dakord më 10 tetor që brenda vitit 2021 “të eliminojmë kontrollet kufitare dhe pengesat e tjera të lëvizjes së lirë brenda rajonit”.
Lexoni edhe këtë Ballkani, brenda vitit 2021 lëvizje e lirë e qytetarëveAta ishin marrë vesh që në takimet e radhës të ftohen edhe vendet tjera dhe që dallimet që ekzistojnë për çështje të tjera, siç është dhe rasti mes Serbisë e Kosovës, nuk duhet të bëhen pengesë për të ecur përpara së bashku me këtë projekt.