Lidhje

Ballkani, brenda vitit 2021 lëvizje e lirë e qytetarëve


Udhëheqësit e tre vendeve ballkanike, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, Presidenti i Serbisë Aleksandar Vucic dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev ranë dakort sot, gjatë një takimi në Novi Sad, që brenda vitit 2021 “të eliminojmë kontrollet kufitare dhe pengesat e tjera të lëvizjes së lirë brenda rajonit”.

Dakordësim për Shengenin Ballkanik brenda 2021
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:28 0:00

Të tre udhëheqësit ballkanik u shfaqën sot optimist për hapin e ndërmarrë e për ta përfaqëson një nismë me impakt të gjerë për rajonin dhe qytetarët e tij. Sipas deklaratës së përbashkët “njerëzit do të jenë në gjendje që të udhëtojnë në rajon me një kartë identiteti të vlefshme. Do të jenë në gjendje që të punojnë kudo në rajon, sapo të kualifikohen për një vend pune. Diplomat do të njihet në gjithë rajonin”, theksohet në deklaratën përmes së cilës ata zotohen gjithastu të shtojnë bashkëpunimin kundër krimit të organizuar ndërkombëtar dhe të ndihmojnë njëri-tjetrin duke iu përgjigjur urgjencave të tilla si katastrofat natyrore”.

Kryeministri shqiptar Edi Rama tha se “brenda vitit 2021, ky territor, pra, territori që mbulohet nga vendet e Ballkanit Perëndimor të jetë një territor ku të katërta liritë të mos jetë më një aspiratë, por të jetë një realitet, ku, mbi të gjitha, liria e lëvizjes së të gjithëve të bëhet njësoj si në Zonën e Shengenit. Miqtë tanë europianë duan të kenë copyright-in e emrit dhe kur unë them “Shengen”, thonë “ç’është ky Shengen”, mund t’i gjejnë një emër, s’ka problem, por do të jetë e njëjta gjë”.

Të tre udhëheqësit ballkanik i mëshuan përfitimeve që ekonomitë e vendeve të rajonit pritet të kenë nga një nismë e tillë. "Me këtë plan, rajoni i Ballkanit padyshim që do të respektohet më shumë në botë, do të jetë më konkurrues dhe do të jetë shumë më tërheqës për vetë qytetarët tanë që të qëndrojnë këtu, të jetojnë dhe punojnë këtu, të planifikojnë jetën e tyre këtu Dhe gjithashtu, do të jetë më tërheqës për investitorët e huaj, të cilët do të jenë në gjendje të planifikojnë investimet e tyre më mirë falë burimeve që ofron rajoni”, u shpreh kryeministri Zaev.

Vendet e Ballkanit janë në faza të ndryshme nga njëra tjetra në rrrugën e tyre të integrimit europian, ndërkohë që procesi i Zgjerimit po has dhe një rezistencë të brendshme nga vetë vendet anëtare. Tre udhëheqësit ballkanik theksuan se ekziston një hendek i thellë nga pikëpamja ekonomike mes Ballkanit dhe vetë BE-së, dhe se në pritje të anëtarësimit BE, vetë rajoni kërkon menjëherë një shtytje të konsiderueshme të rritjes. "Të gjithë ne këtu, jemi në faza të ndryshme të rrugës evropiane. Këta janë miqtë tanë, por ne këtu përfaqësojmë vendet sovrane, kombet përgjegjëse. As ne dhe as kombet tona nuk jemi të papjekur në një mënyrë që të kemi nevojë për mësimdhënie, ne jemi të aftë të kujdesimi për veten", nënvizoi presidenti serb Vuçiç.

Deklarata bën një ftesë të hapur që nismës t’i bashkohen dhe vendet e tjera të rajonit, ndërsa u theksua me forcë se dallimet që ekzistojnë për çështje të tjera, siç është dhe rasti mes Serbisë e Kosovës, nuk duhet të bëhen pengesë për të ecur përpara së bashu me këtë projekt. Një takim i dytë, është parashikuar të zhvillohet më 10 nëntor në Ohër, të Maqedonisë së Veriut.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG