Kosova një vit pas konfirmimit të të infektuarve të parë me COVID-19

Your browser doesn’t support HTML5

Të shtunën u bë një vit nga konfirmimi i të infektuarve të parë me COVID-19 në Kosovë dhe që atëherë mbi 75 mijë persona janë regjistruar si të infektuar. Infektologët thonë se sfida kryesore tani është mungesa e vaksinës që ende nuk ka arritur në Kosovë, ndërsa ekspertët e ekonomisë tërheqin vëmendjen tek vështirësitë e mëdha për rimëkëmbjen ekonomike të vendit.

Më 13 mars 2020 Kosova konfirmoi rastet e para të të infektuarve me COVID-19, duke bërë që autoritetet të shpallin gjendjen emergjente të shëndetit publik.

Masat e para të vendosura nga qeveria e atëhershme për frenimin e përhapjes së këtij virusi, boshatisën dyqanet ndërsa qytetarët po përpiqeshin të përgatiten për t’u përballur me diçka të re e të panjohur.

COVID-19 u shnëdrrua në sfidën kryesore për sistemin shëndetësor të Kosovës.

“Edhe ne kemi kaluar nëpër sfida për shkak se diku 70 apo 80 për qind e stafit mjekësor është infektuar në Klinikën Infektive, si dhe 30 apo 40 për qind e infermierëve janë infektuar, që tregon se ka qenë një sëmundje me nivel shumë të lartë të infeksionit të punonjësit shëndetësor përkundër mbrojtjes që kanë bërë”, thotë infektologu Izet Sadiku në një bisedë për Zërin e Amerikës.

Dymbëdhjetë ditë pas shfaqjes së infektimeve të para, mospajtimet e partnerëve të koalicionit të atëhershëm qeverisës, lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, çuan në rrëzimin e qeverisë së udhëhequr nga AlbinKurti, duke shkaktuar edhe krizë politike në vend krahas asaj shëndetësore.

Qeveria e re e Kosovës e udhëhequr nga koalicioni ndërmjet Lidhjes Demokratike, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate, u votua në muajin qershor. Kjo qeveri u përqendrua kryesisht në plane të rimëkëmbjes së ekonomisë, e cila u tkurr për gjashtë për qind si pasojë e masave kufizuese siç është mbyllja bizneseve, kufizimi i lirisë së lëvizjes, mbyllja e kufijve dhe të tjera.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, thotë se me përhapjen e virusit, synimi i bizneseve nuk ishte më rritja apo zgjerimi, por vetëm mbijetesa.

“Po flitet jo sipas një bilanci përfundimtar por në bazë të vlerësimeve të përafërta, mbi 40 mijë vende pune janë humbur si pasojë e pandemisë. Në periudha të caktuara të vitit të kaluar, sidomos nga marsi deri në fund të shtatorit është raportuar për një miliardë euro rënie të qarkullimit, i cili sado pak është kompensuar në dy muajt e fundit të vitit të kaluar”, thotë ai.

Zoti Rukiqi thotë se do të duhet kohë e gjatë për rimëkëmbjen e bizneseve nga pasojat e pandemisë.

“Për shkak se tani fillimisht duhet të rikthehen në gjendjen paraprake, pastaj të mendojnë për ta pasur një stabilitet më afatgjatë dhe shumica janë ende në përpjekje të rikthehen në gjendjen paraprake si pasojë e vështirësimit të gjendjes financiare apo e uljes së qarkullimit të parasë dukshëm në raport me periudhat e kaluara para pandemisë”, thotë ai.

Infektologu Izet Sadiku, thotë se numrat në rritje të të infektuarve dhe mungesa e vaksinës janë tash për tash sfidat kryesore në përballjen me pandeminë.

“Realisht ky vit në botë sa i takon luftës kundër COVID-19 është lufta për vaksinim. Kjo ka pasur ngecje në cdo vend, në shumicën e botës, nuk janë realizuar premtimet e parapara në fillim të vitit. Deri tash kemi katër vaksina të aprovuara, por nuk kanë arritur në Kosovë, me siguri për shkak të problemeve në prodhim. Andaj kjo është sot sfida që duhet të angazhohemi të gjithë ne e të ruhemi deri në arritjen e vaksinës dhe vaksinimin e popullatës sepse sa më pak infektime aq më pak kemi humbje jetësh të njerëzve”, thotë zoti Sadiku.

Deri tash Kosova ka regjistruar mbi 75 mijë të infektuar dhe mbi një mijë e 600 persona që kanë humbur jetën nga pasojat e COVID-19ës. Ndërkohë që të gjitha vendet e rajonit janë duke shpërndarë vaksinat kundër kësaj sëmundjeje, Kosova ende nuk ka siguruar dozat e para, të cilat sipas autoriteteve pritet të arrijnë gjatë këtij muaji përmes programit COVAX.