Parada tradicionale e Ditës së Kolombit, zbuluesit të Amerikës, ishte një rast i mirë që italiano-amerikanët të shpalosnin vlerat e tyre në zemër të Nju Jorkut. Por parada ishte një rast i mirë edhe për politikanët që të bënin fushatë për të fituar votat e komunitetit të madh italo-amerikan.
Joseph DioGuardi, lobist me origjinë arbëreshe, erdhi këtu i hipur në një Kadillak të hapur të vitit 1965, bashkë me gruan, Shirley, për të tërhequr vemendjen tek çështjet që ai përkrah si kandidat republikan.
Sot, ai nuk është më thjesht një ish kongresmen. Zoti DioGuardi synon tani një vend në Senatin amerikan pas një beteje të vështirë brenda Partisë Republikane.
“Babai im erdhi këtu kur ishte 15 vjeç, ai fliste dy gjuhë, shqip dhe italisht, nuk dinte asnjë fjalë anglisht. Erdhi në Amerikë sepse këtu mund të kërkonte një punë. Nuk erdhi me ndonjë program qeveritar.”
Zoti DioGuardi jo pa qëllim përmend programet qeveritare. E tërë fushata e tij në Nju Jork vërtitet tek tema e parapëlqyer nga republikanët për një qeveri sa më të vogël dhe për të pakësuar shpenzimet qeveritare, të cilat, sipas tij, janë shtuar së tepërmi nga administrata demokrate e Presidentit Barak Obama.
“Kjo është e keqja, ne po heqim dorë nga ëndrra amerikane. Qeveria është zmadhuar shumë dhe shpenzon pa kriter duke detyruar njerëzit e thjeshtë dhe bizneset e vogla të dalin jashtë loje. Njerëzit nuk kanë punë. Vetëm në Nju Jork kemi 1 milion të papunë, 15 milionë në të gjithë vendin.”
Ai përpiqet të përqendrohet tek mesazhi i tij kryesor. Këshilltari i tij i shtypit i rri vazhdimisht pranë. Kandidati duhet të jetë i kujdesshëm në komentet që bën.
Zoti DioGuardi do të ndeshet në zgjedhjet e 2 nëntorit me Senatoren demokrate Kirstin Xhilibrand, e cila gëzon mbështetjen e figurave kryesore në Partinë Demokrate të zotit Obama. Beteja qysh tani duket të jetë e vështirë.
"Çfarë kërkon të bëjë Presidenti Obama dhe senatorja Gillibrand? Duan më tepër programe qeveritare... Ne po shpenzojmë para që nuk i kemi, po marrim borxh nga vende si Kina të cilët nuk kanë të njëjtat vlera si ne. Dhe kështu, po heqim dorë nga ëndrra amerikane.”
Fushatë bëjnë edhe të tjerë në këtë paradë. Dy kryesorët, ata që kandidojnë për postin e guvernatorit të shtetit Nju Jork, janë italiano-amerikanë: Andrju Kuomo, demokrat, prokuror i përgjithshëm i Nju Jorkut dhe Carl Paladino, biznesmen miliarder.
“Të bësh fushatë është një gjë e bukur. Sidomos kur beson tek vetja dhe kur ke një mesazh.”
Zgjedhjet janë shumë afër dhe politikanët e dinë se komentet e tyre dëgjohen me kujdes këto ditë.
Mes atyre që shikojnë në të dy anët e Avenusë së Pestë ka edhe mbështetës të Zotit DioGuardi. Nuk janë shumë por duken të vendosur. Mes tyre është edhe shqiptari i lindur në Amerikë Bekim Tafilaj.
“Dioguardi është i mrekullueshëm. Mendoj se njerëzit duhet të mësojnë prej tij. Nuk ka rrugëzgjidhje tjetër veçse me Xho Dioguardin. Nju Jorku është në vështirësi prandaj i ftoj të gjithë që më 2 nëntor t’ia japin votën Xho DioGuardit.”
Nga ana tjetër, zoti Dioguardi shprehet optimist për fushatën.
“Kanë mbetur edhe tri javë deri në zgjedhje dhe do të shikoni se si do ta përfundoj fushatën. Shumë mirë dhe shumë fort. Shumë punë dhe shumë fort.”
Por fushata për senat ndryshon shumë nga lobizmi i tij për çështjet shqiptare. Temat e kësaj fushate janë shumë më të gjera. Shqiptaro-amerikanët duan të dinë se ç’do të bëjë për ta Zoti DioGuardi në rast se zgjidhet senator më 2 nëntor:
Ju e dini se sot ka shumë çështje ndërkombëtare të ndërlikuara. Ne ende nuk kemi zgjidhur Irakun. Është pastaj lufta në Afganistan. Kështuqë, kur mendon për Shqipërinë dhe për Ballkanin, mendon se sa mirë që sot kemi Kosovën e pavarur sepse do të jetë shumë e vështirë që gjërat atje të kthehen atje ku ishin kur unë isha kongresmen. Por si senator, unë do të bëj shumë për të sjell barazi të vërtetë dhe demokraci të vërtetë në Ballkan.