Ilahi: FMN mbështet reformat e qeverisë shqiptare

  • Rudina Dervishi
Fondi Monetar Ndërkombëtar miratoi një hua për Shqipërinë me një vlerë prej 330 milionë eurosh, për të mbështetur reformat e qeverisë. Por çdo të sjell kjo për ekonominë shqiptare. Për të diskutuar mbi këtë dhe çështje të tjera ekonomike në Shqipëri, kolegia Rudina Dervishi intervistoi shefin e misionit të FMN-së për Shqipërinë, Nadeem Ilahi.

Nadeem Ilahi: Kemi arritur sot një marrëveshje me qeverinë shqiptare dhe Bankën Qendrore, që FMN-ja të japë ndihmë financiare prej 330 milion eurosh për një periudhë tre vjeçare që do të mbështesë reformat që qeveria po ndërmerr.

Your browser doesn’t support HTML5

NADEEM ILAHI INTERVIEW



Zëri i Amerikës: Si do të përdoren këto fonde? Është folur shumë për faturat e papaguara ndaj bizneseve private. Ka patur mjaft debat për borxhin publik si dhe me detyrimet e prapambetura. Opozita ka folur për një skenar të rrezikshëm duke iu akuzuar ju si dëshmitar i rremë. Sipas vlerësimeve tuaja sa janë detyrimet e prapambetura që qeveria shqiptare ka marrë përsipër të shlyejë?

Nadeem Ilahi: Fondet nuk kanë një destinacion të caktuar. Ato i jepen Ministrisë së Financave t’i përdorë sipas nevojave që ka. Sigurisht që ne kemi biseduar për një strukturim më të madh të buxhetit që do të përputhet me pikëpamjen tonë se si duhet të veprojë Shqipëria me borxhin që ka për ta ulur atë në vite. Kjo asistencë do t’i ndihmojë ata të krijojnë një hapësirë për të lehtësuar barrën e pagesës së borxhit të lartë. Sot kemi një borxh që përbëhet nga detyrimet e prapambetura siç e përmendët që janë akumuluar gjatë viteve të fundit përmes mospagesave të faturave qeveritare, mospagimin e kontraktorëve, detyrimeve të taksave. Ekspertët tanë kanë llogaritur këto shifra, qeveria nga ana e saj ka bërë disa analiza përmes Deloitte në Tiranë dhe detyrimet sipas këtyre llogarive janë gati 5 përqind e GDP-së, pra rreth 500 milion euro. Kjo është një llogaritje bazuar në faktet që ekzistojnë sot dhe nëse ky proces nuk fillon kjo shifër mund të jetë më e ulët ose më e lartë. Është e vërtetë që në vend ka një debat të gjallë për borxhin publik. Kjo nuk është e re. Gjatë viteve të fundit borxhi është rritur dhe njerëzit janë të shqetësuar me të drejtë. Çështja është si të zvogëlohet ky borxh. Pjesë e borxhit janë detyrimet e prapambetura të qeverisë, pra çdo gjë duhet të paguhet. Duhet të kemi një plan sipas të cilit qeveria të paguaj detyrimet dhe të ul borxhin përmes asaj që ne e quajmë rregull fiskal. Një nga çështjet që diskutuam me qeverinë shqiptare gjatë misionit të fundit është se ekonomia është e dobët për një numër arsyesh që mund ti radhis por në thelb ne po operojmë në një ekonomi që nuk po tregon shumë besim dhe në një kohë të tillë në se bën rregullime fiskale ato nuk duhet të jenë të fuqishme. Këtë kemi diskutuar me qeverinë për buxhetin e vitit 2014 që kanë njoftuar. Ne mendojmë se Shqipëria do të arrijë të arrijë në një periudhë pesë vjeçare të ketë nivele borxhi që janë më të pranueshme.

Zëri i Amerikës: Në aspektin e shifrave, a do të përdoret kjo hua tërësisht për të paguar faturat që qeveria i ka borxh sektorit privat?

Nadeem Ilahi: Në se e sheh situatën fiskale, qeveria i ka borxh të konsiderueshëm sektorit privat, duhet të paguajë gjithashtu borxhin e saj. Pra qeveria shqiptare ishte e përballur me faktin se pa ndihmën e huaj duhet të grumbullonte para në tregun e brendshëm për të paguar detyrimet e prapambetura përveç shpenzimeve të tjera. Ne kjo nga pikëpamja jonë nuk është e qëndrueshme pasi tregjet në Shqipëri nuk janë aq të zhvilluara sa për të financuar një borxh të tillë dhe nuk do të ndihmonte rritjen ekonomike pasi në thelb i merr paratë nga një privat dhe i paguan një tjetri, kështu që nuk do të kishte likuiditet më të madh që erdhi si rezultati problemit të detyrimeve të papaguara. Pra qeveria shqiptare duhet të pranojë se këto detyrime duhen paguar por gjithashtu barra e përgjithshme mbi buxhetin duhet të reduktohet. Ky program e lejon qeverinë shqiptare të ul mbështetjen e saj në maturimin e shkurtër të borxhit të brendshëm që ka sot dhe në këtë proces të injektojë disa fonde për të plotësuar nevojat e saj të shpezimeve, përfshi detyrimet e prapambetura me të cilat përballen.

Zëri i Amerikës: Situata ekonomike mbetet e vështirë. Kreditimi i ekonomisë ka rënë, po ashtu konsumi dhe investimet private. Kreditë e këqija janë në rritje. Cilat janë vlerësimet tuaja për gjendjen e ekonomisë shqiptare?

Nadeem Ilahi: Për të analizuar gjendjen e ekonomisë sot duhet të kthehemi le të themi pesë vjet pas. Është një krahasim i rëndësishëm pasi ekonomia botërore u godit nga kriza dhe shumë vende të rajonit të Ballkanit e vuajtën këtë krizë kurse Shqipëria jo edhe aq shumë. Pjesë e arsyes është fakti se motori i brendshëm i ekonomisë po funksiononte mirë. Ajo që ka ndodhur me krizën globale është se ky dobësim ka influencuar në ekonominë e brendshme përfshi problemin e detyrimeve të prapambetura ku kontraktorët privatë dhe bizneset nuk janë paguar, që krijon një problem likuiditeti në ekonomi që ndikon në mundësinë e tyre për të bërë investime të tjera, të paguajnë huatë e marra në bankë. Pra pyetja juaj është me vend, ekonomia është e dobët, investimet e pakta, kreditë me probleme – këto të gjitha ndërlidhen. Nga pikëpamja jonë sot në Shqipëri ka rënë besimi që faktorët e brendshëm kanë në ekonomi. Nga ana tjetër eksportet shqiptare nuk kanë qënë keq, pra problemi kryesor është faktori i brendshëm. Pikërisht këtë duam të arrijmë përmes këtij programi që i vjen në ndihmë reformave që kërkon të ndërmarr qeveria dhe një element i rëndësishëm i kësaj është të ndryshohen rregullat e lojës përmes të cilave operon qeveria për të rivendosur besimin e sektorit privat.

Zëri i Amerikës: A mund të na jepni më shumë hollësi?

Nadeem Ilahi: Përsa i përket rivendosjes së besimit te sektori privat, mendoj se një element i rëndësishëm është rivendosja e kontratës që ekziston mes biznesit privat dhe qeverisë. Mendoj se këtu kemi të bëjmë me dy elementë: së pari, qeveria duhet të paguajë faturat, çdo faturë të së kaluarës dhe së dyti, sektori privat duhet të paguajë taksat. Mendoj se vetëm kur arrihet një situatë e tillë, atëherë do të ekzistojnë edhe stimujt që sektori privat të ecë përpara. Qeveria gjithashtu po përpiqet të përmirësojë disa gjëra përsa i përket mjedisit të biznesit. Në Shqipëria ka një debat lidhur me çështjen se taksat janë rritur si rrjedhojë e procesit të përshtatjes që ka ndërmarrë qeveria shqiptare. Është e vërtetë që taksat janë rritur, por po të shikosh paketën e reformave në tërësinë e saj, qeveria po përpiqet ta përmirësojë administrimin e taksave. Ideja është që të ketë transparencë, të ketë norma të përcaktuara taksash dhe që biznesi të respektojë këto norma taksimi.

Zëri i Amerikës: Megjithatë taksat janë të larta për bizneset e vogla private. Në këto lloj situate, baza e ekonomisë që janë bizneset e vogla po goditen fort nga taksat. A mendoni se qeveria duhet të hedh një hap prapa dhe ta shoh edhe njëherë kodin e taksave?

Nadeem Ilahi: Mendoj se keni të drejtë që e ngrini këtë çështje, sepse bizneset dhe sipërmarrjet e vogla e të mesme janë motori i rritjes. Ne duhet të kemi parasysh rrethanat me të cilat përballen këto biznese dhe sipas pikëpamjes sonë, taksat janë njëri element i kostos së të bërit biznes. Të them të drejtën, në Shqipëri, nëse e krahason me shumë vende të tjera të botës, norma e taksës nuk ka pse të jetë ndër çështjet më të rëndësishme përsa i përket përparësive. Çështjet më të rëndësishme janë të tjera si, pasiguritë në politikën e taksave, apo bezdisjet e bizneseve nga zyrtarët e taksave. Prandaj mendoj se pikërisht në këtë aspekt është e nevojshme që Shqipëria të përmirësojë mjedisin e biznesit. Sigurisht, mundësia për t'u financuar është një çështje shumë e rëndësishme për këto biznese që ato të rriten, dhe nëse kreditë e këqia janë shumë dhe kreditimi i ekonomisë është i dobët, siç e përmendët edhe ju më parë, çështja është se si duhet ecur përpara. Pikëpamja jonë është se në sektorin financiar ka deformime që duhen rregulluar që të fillojë të zhbllokohet kreditimi. Mendoj se duhet të shikojmë tabllonë e përgjithshme se me çfarë problemesh përballen bizneset dhe taksat janë vetëm një pjesë e kësaj.

Zëri i Amerikës: Guvernatori Fullani ka ulur here pas here normat e interest e megjithatë duket se ka bllokim të kreditimit megjithëse normat e interest janë në nivele historike të ulta bizneset përballen me problem likuiditeti

Nadeem Ilahi: Keni shumë të drejtë. Kemi parë një episod të gjatë në të cilin Banka e Shqipërisë ka ulur normat e interesit. Do të ishte e pasaktë të thuhej që kjo nuk ka patur ndikim. Nëse shihni interesat e tregut në Shqipëri, ato janë ulur, pas një periudhe të gjatë. Pra, gjërat po lëvizin në drejtimin e duhur. Ajo që nuk po ndodh është se ulja e interesave nuk po çon në shtimin e kreditimit. Problemi këtu është se sistemi bankar përballet me një situatë në të cilët shumë kreditorë kanë borxhe të këqia dhe ata nuk duan të marrin përsipër rreziqe të tjera. Ata nuk janë të sigurtë nëse duhet të japin kredi të tjera. Kjo mendoj se është një çështje që duhet zgjidhur. Ulja e interesave po ndihmon, por mendoj se ekziston një problem thelbësor në bilancet e bankave që duhet zgjidhur. Në momentin kur qeveria të fillojë të paguajë borxhet e prapambetura, një pjesë e këtyre parave do të fillojë të hyjë përsëri nëpër banka dhe kjo do ta përmirësojë gjendjen.

Zëri i Amerikës: Në tremujorin e tretë të vitit të kaluar ekonomia shqiptare shënoi një rritje negative. Opozita deklaron se vendi rrezikon recesionin. Cilat do të jenë sipas parashikimeve tuaja ritmet e rritjes këtë vit?

Nadeem Ilahi: Prej disa vitesh, ekonomia shqiptare ka qenë në rrugën e ngadalësimit. Kjo ka ardhur ngaqë besimi brenda vendit tek ekonomia ka ardhur duke rënë. Pra, ajo që ne e quajmë kërkesa agregate e brendshme ka qenë shumë e dobët. Çështja është se ku jemi tani dhe ku po shkojmë. Kur kërkesa e brendshme është e dobët ajo duhet nxitur përmes masave që rrisin besimin. Kjo mund të bëhet në shumë mënyra. Njëra mënyrë shumë e rëndësishme është që bizneset të fillojnë të marrin pagesat që nuk i kanë marrë ende, në mënyrë që ato të fillojnë të marrin kredi. Këta faktorë janë pjesë e programit ekonomik qeveritar që unë mendoj se është mjaft mbresëlënës. Nëse ecet përpara me këtë program, ka një mundësi mjaft të madhe që rikthimi i besimit në sektorin privat të bëhet realitet. Për këtë vit, ne ende parashikojmë mundësinë e një rritjeje ekonomike prej 2 përqind. Arësyeja është se 2013-ta ishte një vit i pazakontë; ishte vit zgjedhjesh, të cilat sjellin pasiguri në mjedisin ekonomik në Shqipëri. Megjithatë, ne duhet të presim një farë rimëkëmbjeje për këtë vit dhe rritje akoma më të madhe në vitet pasardhës, nëse qeveria e vazhdon këtë program ekonomik.

Zëri i Amerikës: Ju përmendët shumë arsye për situatën ekonomike, taksat, mjedisin e biznesit, mungesën e besimit. Sa rol luan për një institucion si ju niveli i korrupsionit kur dihet se është një problem serioz. Sa ndikon ai në vendimet që merrni ju dhe në këshillat që I jepni qeverisë shqiptare?

Nadeem Ilahi: Korrupsioni, siç e dini, luan një rol të madh negativ në ecurinë ekonomike. Këshilla jonë për qeverinë shqiptare është që të forcohet mjedisi në të cilin vepron qeveria duhet të forcohet. Duhet të forcohet menaxhimi i financave publike. Në programin tonë, për të cilin sapo kemi rënë dakord me qeverinë shqiptare, kemi një mirëkuptim të qartë, për shembull, se si duhet vepruar me ripagimin e borxheve të prapambetura që ka qeveria. Ky është parashikuar si një proces transparent, me auditorë të huaj dhe vendës; informacioni do të publikohet rregullisht në faqen e internetit të ministrisë së Financave. Nga ana e saj, qeveria duhet të angazhohet vetëm për shpenzime për të cilat ajo i ka fondet dhe jo si ato që krijuan borxhet e papaguara. Të gjitha këto çështje mund të trajtohen duke forcuar institucionet që veprojnë në sferën ekonomiko-financiare. Ne po e ndihmojmë qeverinë brenda mandatit tonë që të forcojë këto institucione. Administrimi i taksave është një tjetër çështje, ku ka rreziqe për korrupsion. Këtu kërkohet transparencë dhe qeveria shqiptare, për shembull, do të ecë drejt deklarimit të taksave në formë elektronike, gjë që në vetvete e eliminon në mënyrë të ndjeshme korrupsionin. Pra, shumë nga këto hapa do t'i eliminojnë ato çështje për të cilat ju flisni.

Zëri i Amerikës: Në Shqipëri është folur për nevojën e një modeli të ri ekonomik që nxit punësimin. Cilat mendoni ju se janë hapat që duhet të ndërmerren?

Nadeem Ilahi: Shtimi i vendeve të punës është një çështje kritike për Shqipërinë. Natyrisht, vendet e reja të punës nuk mund të vijnë nga sektori qeveritar, por nga ai privat. Pra, sektori privat duhet të jetë në gjendje të krijojë vende pune. Dhe problemi më i madh këtu ka të bëjë me mjedisin e biznesit: taksat nuk grumbullohen si duhet, liçencat për biznesin kërkojnë një kohë të gjatë të nxirren, lejet e ndërtimit janë të vështira për t'u marrë. Këshilla jonë për qeverinë shqiptare është që të bëjë përmirësime në këto aspekte. Vetëm kështu do të shikojmë përmirësime në krijimin e vendeve të punës, sidomos për popullsinë e re që ka Shqipëria. Aq më tepër kjo ka rëndësi, sepse Shqipëria është mbështetur mjaft në paratë e dërguara nga ata që punojnë jashtë vendit. Nuk jemi të sigurtë se kjo do të vazhdojë. Kemi dëgjuar për raste punëtorësh që janë kthyer nga vendet fqinje. Pra kjo është një arsye më shumë që Shqipëria të krijojë vetë më tepër vende pune.