Në Tiranë, Banka e Shqipërisë u kërkoi bankave private që të mbështesin më fort zhvillimin e vendit, duke lëshuar më shumë kredi për firmat prodhuese. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, zhvilloi një takim me drejtuesit e bankave vendase. Ai theksoi se tani që qeveria po u kthen firmave borxhet e vjetra është koha që bankat t'i përdorin këto fonde për të mbështetur planet e reja të biznesit. Zoti Fullani tha se në marrëveshje me FMN dhe Bankën Botërore Shqipëria do të pastrojë bilancet me kreditë e këqija pa asnjë pasojë mbi sistemin bankar dhe financiar. Kjo është edhe një nxitje shtesë që ato të lehtësojnë kriteret e kredidhënies.
Banka e Shqipërisë u bëri thirrje bankave private që të marrin pjesë në zhvillimin e ekonomisë së vendit, duke mbështetur me sa më shumë kredi projektet e biznesit për investime dhe zgjerim prodhimi. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, deklaroi në një takim vjetor me përfaqësues të gjithë bankave në vend se gjallërimi i kredisë do të përmirësojë ekonominë, duke lënë pas kreditë me probleme. Ai tha se bankat nuk po shfrytëzojnë sa duhet masat nxitëse për të zgjeruar kredidhënien. Sipas tij, bankat duhet të ulin çmimin e kredive të reja dhe të ristrukturojnë kreditë e vjetra. Zoti Fullani tha se sfida e ekonomive rajonale është pastrimi i bilanceve negative dhe se çdo kredi me probleme duhet parë si një mundësi e re.
Banka qendrore shprehu optimizmin se rritja ekonomike këtë vit do të jetë më e qëndrueshme. sepse qeveria e re po u kthen firmave private borxhet e prapambetura nga qeveria e mëparshme, duke lehtësuar gjendjen e tyre financiare. Zoti Fullani tha se ky është një çast i përshtatshëm për bankat, për të rigjallëruar kreditimin. Banka e Shqipërisë beson se kthimi i borxheve të vjetra të qeverisë ndaj firmave private do të sjellë një zinxhir përmirësimesh tek bankat, tek vetë kompanitë private dhe tek rindërtimi i gjithë planeve të tyre të punës dhe të investimeve. Firmat kanë projektuar shtimin e punës dhe po kërkojnë financime nga bankat, dhe kështu hallkat e ekonomisë pritet të kthehen në normalitet, parashikoi banka qendrore.
Në ndryshim nga vendet e tjera të rajonit Shqipëria ka këmbëngulur që kreditë me probleme të mos fshihen nga tabelat dhe bankave t'u rikthehet cdo vlerë sado e vogël. Këto qëndrime vlerësohet se kanë shërbyer për qëndrueshmërinë e sistemit bankar dhe për sigurinë e depozitave. Shqipëria së fundi ka rënë dakord me FMN dhe Bankën Botërore që të pastrohet bilanci i bankave nga kreditë e humbura dhe pa shpresë arkëtimi. Ky pastrim i bilanceve do të bëhet pa asnjë efekt financiar në sistemin bankar shqiptar, dhe për këtë është hartuar një projekt-ligj, i cili pritet të miratohet së shpejti nga parlamenti.