I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë - Serbi, Miroslav Lajçak, tha të enjten pas takimit të grupeve të ekspertëve të të dyja palëve në Bruksel se ky ishte një hap i rëndësishëm në procesin e arritjes së një marrëveshjeje të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës e Beogradit.
Në një postim në rrjetin social twitter, zoti Lajçak tha pas takimit i cili zgjati shtatë orë se “puna do të vazhdojë në fund të gushtit”.
Bisedimet e së enjtes të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, përfshinë çështjet ekonomike si dhe çështjen e të zhvendosurve.
Bashkërenduesi shtetëror i Kosovës në këto bisedime, Skender Hyseni, tha se gjatë diskutimeve janë trajtuar kapituj të ndryshëm të marrëveshjes gjithëpërfshirëse, duke theksuar se nuk do të ketë marrëveshje të posaçme për secilin kapitull, por vetëm një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme.
“Po negociojmë elemente të një marrëveshje të përgjithshme e cila në fund do të jetë marrëveshje ligjërisht e obligueshme ndërkombëtarisht dhe që patjetër duhet të rezultojë në normalizim të plotë të marrëdhineve Kosovë - Serbi, që nënkupton pashmangshëm njohje reciproke”, u tha zoti Hyseni gazetarëve.
Your browser doesn’t support HTML5
Ndërkaq, udhëheqësi i delegacionit të Serbisë, Marko Gjuriq, tha se “pati pajtim për vazhdimin e bisedimeve”, që ai i cilësoi po ashtu “të vështira”, ndërsa theksoi se “nuk ka bisedime për njohje të pavarësisë së Kosovës”.
Më herët gjatë ditës zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha se bisedimet janë proces i hapur, dhe pajtimi për të gjitha çështjet duhet t’i paraprijë një marrëveshjeje përfundimtare.
“Marrëveshja do të bëhet dhe do të jetë gati për nënshkrim kur të dyja palët pajtohen për të gjitha çështjet e hapura dhe pajtohen se normalizimi mund të çohet përpara në formë të marrëveshjes së nënshkruar”, tha ai.
Një javë më parë delegacioni i Kosovës i udhëhequr nga bashkërenduesi shtetëror për bisedimet, Skender Hyseni, dhe ai i Serbisë i udhëhequr nga shefi i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, diskutuan për çështjen e personave të zhdukur gjatë luftës.
Emërimi i zotit Hyseni dhe vet fillimi i takimeve të tilla ka nxitur debate e kritika në Kosovë ku thuhet se me Serbinë duhet të diskutohet vetëm për njohje dhe duhet shmangur çdo mundësi që procesi të stërzgjatet me diskutime teknike.
Kryeministri Hoti thotë se Kosova ka hyrë në bisedime për ta përmbyllur procesin me njohje të ndërsjellë, ndërsa Beogradi ndërkaq hedh poshtë çdo mundësi për njohjen e Kosovës, por normalizimi i marrëdhënieve është kusht për integrimet evropiane që aspirohen nga të dyja palët.
Analistët në Kosovë thonë se procesi i bisedimeve në Bruksel po zhvillohet pa transparencën e duhur dhe pa një plan të qartë.
“Këto tema janë të ripërsëritura që nga 2011-ta, kemi një rikthimin në tema, në mënyrë të diskutimit dhe në format. Prandaj mendojmë që ky proces duhet të koordinohet më mirë dhe duhet të ketë një lloj strategjie, të dihet se nga po shkon dhe të caktohen disa korniza se për çfarë duhet të dialogohet”, thotë Arbër Fetahu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike.
“Kjo çfarë po ndodhë tani në Bruksel është më shumë përmbushje e atij boshllëku që u krijua nga një lloj i çuditshëm i intervenimit të Gjykatës Speciale. Kjo që po ndodhë ma thotë mendja se është ad-hoc, një përgatitje e atypëratyshme e procesit që nuk po i shihet fundi, nuk po i shihet qëllimi sepse nuk e kanë të qartë as ata vet në Bruksel”, thotë analisti Faton Abdullahu.
Arbër Fetahu nga Grupi për Studime Juridike e Politike, i tha Zërit të Amerikës se problem tjetër në procesin e bisedimeve është mungesa e unitetit të brendshëm në Kosovë.
“Më e rëndësishmja që duhet thënë është se kur ti shkon në dialog përballë Serbisë dhe nuk ke një unitet të brendshëm e një kohezion shoqëror politik, ai proces është i predestinuar të dështoj, apo nuk mund të implementohet”, thotë ai.
Ndërkaq analisti Faton Abdullahu, thotë se mungesa e përfshirjes së mjaftueshme të Shteteve të Bashkuara në këtë proces, e bën atë më pak të besueshëm.
“Tani përsipër u morr një projekt tjetër do ta quaja, e quaj projekt tjetër të dialogimit sepse nuk e shoh që në dialogun që po bëhet në Bruksel është i angazhuar sa e si duhet Washingtoni zyrtar. Vet fakti se nuk kemi angazhim të mirëfilltë të madh e konstruktiv të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, më bën të dyshoj se ky dialog mund të sjellë gjëra konstruktive për Kosovën”, thotë zoti Abdullahu.
Analistët vlerësojnë se kalimi i bisedimeve në nivel ekspertësh dhe mungesa e përfshirjes së Shteteve të Bashkuara, e largon Kosovën nga qëllimi përfundimtar.