Përfaqësuesi i lartë ndërkombëtar në Bosnje e Hercegovinë, Valentin Inzko, shpalli të premten vendimin me të cilin ndalon mohimin e gjenocidit, duke iu kundërvënë përpjekjeve të serbëve të Bosnjës për të mohuar masakrën e vitit 1995 në Srebrenicë, gjenocidi i vetëm në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore.
Vrasjet e më shumë se 8 mijë boshnjakëve nga forcat serbe të Bosnjës në Srebrenicë në korrik të vitit 1995, u shpall gjenocid nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dhe Gjykata Ndërkombëtare për krime lufte në ish Jugosllavi. Por zyrtarët serbë të Bosnjës dhe ata në Serbinë fqinje, kanë refuzuar ta pranojnë këtë.
Lexoni edhe këtë Bosnja shënon përvjetorin e gjenocidit në SrebrenicëValentin Inzko, shefi në largim i Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë për Bosnjën (OHR), vendosi të premten për ndryshime në ligjin penal të vendit, duke përfshirë në të dënime me heqje lirie deri në pesë vjet për mohuesit e gjenocidit dhe për çdo madhërim të kriminelëve të luftës, përfshirë emërtimin e rrugëve ose institucioneve publike me emrat e tyre.
Si organi më i lartë ndërkombëtar që mbikëqyrë zbatimin e marrëveshjes së paqes që i dha fund luftës së Bosnjës të viteve 1992-1995, OHR-ja ka autoritetin të imponojë vendime ose të shkarkojë zyrtarë që dëmtojnë ekuilibrin etnik të pasluftës dhe përpjekjet për pajtimin midis boshnjakëve myslimanë, serbëve dhe kroatëve të Bosnjës.
I përshëndetur nga politikanët boshnjakë dhe të familjarët e viktimave, vendimi i zotit Inzko u refuzua me shpejtësi nga udhëheqësi serb Milorad Dodik, i cili është anëtar i presidencës shumetnike të Bosnjës dhe politikani i lartë në njësinë serbe të quajtur Republika Sërpska. Milorad Dodik kërcënoi të niste një proces të "shpërbërjes" së Bosnjës.
"Republika Sërpska e refuzon këtë. Gjenocidi nuk ka ndodhur. Serbët nuk duhet ta pranojnë kurrë këtë”, tha ai të premten.
"Kjo është gozhda e fundit në arkivolin e Bosnjës", tha ai, duke nënvizuar se "Republika Sërpska nuk ka rrugë tjetër përveç të fillojë shpërbërjen e Bosnjës”.
Milorad Dodik e ka kritikuar vazhdimisht Zyrën e Përfaqësuesit Ndërkombëtar dhe perëndimin për qëndrim të njëanshëm kundër serbëve në Bosnjë. Një rezolutë e paraqitur nga aleatët e Serbisë, Rusia dhe Kina që do të kishte hequr menjëherë kompetencat e OHR-së në Bosnjë u refuzua të enjten në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Gjenocidi në Srebrenicë u krye pasi serbët e Bosnjës morën kontrollin mbi enklavën lindore në korrik të vitit 1995, ndonëse ishte shpallur zonë e mbrojtur nga Kombet e Bashkuara. Ata ekzekutuan burrat dhe djemtë boshnjakë dhe hodhën trupat e tyre në varre masive të cilat më vonë u hapën dhe trupat u rivarrosën në pjesë të ndryshme për të mbuluar krimin. Edhe më tej vazhdon procesi i zhvarrimit dhe identifikimit të viktimave.
Serbët e Bosnjës dhe Serbia e kanë quajtur masakrën një krim, por kanë refuzuar ta njohin atë si gjenocid.
Lexoni edhe këtë Ratko Mladiç – përjetësisht në burgSerbët e Bosnjës nderojnë udhëheqësin e tyre të kohës së luftës, Radovan Karaxhiç dhe komandantin ushtarak Ratko Mlladiç si heronj, ndonëse të dy janë shpallur fajtorë për gjenocid dhe janë dënuar me burgim të përjetshëm nga gjykata e Hagës. Muralet që shfaqin Mlladiçin dhe Karaxhiçin mund të shihen në shumë qytete në Republika Sërpska.
Ambasada Amerikane në Bosnjë tha të premten se "mohimi i gjenocidit dhe madhërimi i kriminelëve të luftës, janë të papranueshme dhe dëmtojnë besimin e ndërsjellë".
"Ne duhet të theksojmë se gjenocidi në Srebrenicë nuk është një çështje debati, por e një fakti historik”, thuhet në deklaratë. “Është koha që me të vërtetë të kthehemi nga e ardhmja e mbështetur në paqe dhe besim të ndërsjellë".
Kada Hotiç, nga grupi Nënat e Srebrenicës, që mbledh të afërmit e viktimave, tha se një ligj i tillë duhej të ishte miratuar më herët.
"Sidoqoftë unë e mirëpres vendimin", tha ajo. "Pa pranim nuk ka falje dhe nuk do të falë derisa dikush të kërkojë falje".
Në Sarajevë, zyra e prokurorit tha se do të monitorojë çdo deklaratë nga individë ose grupe dhe do të veprojë në përputhje me ndryshimet e reja.
Valentin Inzko, një diplomat austriak, largohet nga posti me 1 gusht, pas dorëheqjes së tij në muajin maj pas 12 vitesh në detyrë. Ai do të pasohet nga diplomati gjerman Christian Schmidt.
*Mbështetur në agjencitë e lajmeve Associated Press dhe Reuters