Parlamenti i Malit të Zi, të enjten mbrëma shkarkoi ministrin e Drejtësisë dhe të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, Vladimir Leposaviç, për shkak të qëndrimit të tij mohues ndaj gjenocidit në Srebrenicë dhe dhe miratoi një rezolutë që ndalon mohimin e gjenocidit në atë qytet.
Shkarkimi i ministrit tij u bë me propozimin e kryeministrit malazez, Zdravko Krivokapiç. Për shkarkimin e tij votuan 43 nga 81 deputetet e parlamentit malazez, ndërsa 27 ishin kundër. Propozimi u mbështet edhe nga Partia Demokratike Socialiste e presidentit Milo Gjukanoviç, që është në opozitë.
Kryeministri Zdravko Krivokapiç, propozoi shkarkimin e ministrit Leposaviç, pasi që në një seancë parlamentare më 26 mars të këtij viti, ai tha se është i gatshëm të pranojë se në Srebrenicë ka ndodhur gjenocid “kur një gjë e tillë të vërtetohet përtej çdo dyshimi”.
Deklarata e tij shkaktoi reagime të ashpra në opinionin vendas e ndërkombëtar. Kritikët thanë se ministri Leposaviç sfidoi edhe legjitimitetin e Gjykatës së Hagës për krime lufte në ish-Jugosllavi, që ka konstatuar se në Srebrenicë ka ndodhur gjenocid.
Kryeministri Krivokapiç tha se Vladimir Leposaviç, si ministër ka qenë i detyruar që t’i përgjigjej pyetjes parlamentare rreth Srebrenicës në frymën e politikës së qeverisë, e jo në frymën e debatit akademik.
“I kam kërkuar dorëheqjen sepse është më mirë që me një akt personal, të tregojmë përgjegjësi”, tha kryeministri Krivokapiç.
Megjithatë, ministri Leposaviç nuk pranoi të ofrojë dorëheqje, pasi u mbështet edhe nga një shumicë e deputetëve proserb pjesë e partive në pushtet. Partia pro-ruse në Mal të Zi, Fronti Demokratik, e mbështeti ministrin duke vlerësuar se “Leposaviç nuk tha asgjë që nuk është pozicioni i çdo serbi në Mal të Zi”.
Pjesëtarët e kësaj partie paralajmëruan se shkarkimi i tij mund të çojë në rënien e qeverisë malazeze ditëve në vijim.
Parlamenti malazez po ashtu miratoi një rezolutë me të cilën ndalohet mohimi i gjenocidit ne Srebrenicë. Në mbështetje të rezolutës votuan 55 deputetë, 19 ishin kundër dhe 7 veta abstenuan.
Në korrik të vitit 1995, forcat e serbëve të Bosnjës pushtuan Srebrenicën, një qytetit që ishte shpallur zonë e sigurt nga Kombet e Bashkuara. Më shumë se 8 mijë burra e djem boshnjakë u ekzekutuan dhe trupat e tyre u hodhën në varreza masive në zonë. Ajo ishte ngjarja më e rëndë në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore dhe u shpall si gjenocid nga gjykatat e Kombeve të Bashkuara.
Në tekstin e rezolutës me tw cilin dënohet gjenocidi në Srebrenicë, mes tjerash ndalohet mohimi dhe minimizimi i gjenocidit, ndërsa 11 korriku shpallet ditë e përkujtimit të viktimave të Srebrenicës.
Facebook Forum