Shtëpia e parë e gjelbër në brigjet lindore të Shteteve të Bashkuara

  • Rebecca Ward

Shtëpia e parë e gjelbër në brigjet lindore të Shteteve të Bashkuara

Një shtëpi mesatare në Shtetet e Bashkuara çliron më shumë se 7 ton gaz karbonik në vit vetëm nga energjia elektrike që përdor. Kjo sasi bën pjesë në 17 përqind të dioksidit të karbonit që çlirohet gjithsej në Shtetet e Bashkuara. Por në kuadrin e fushatës së gjelbër për të mbajtur nën kontroll çlirimin e gazit karbonik, një familje në periferi të Uashingtonit ka një shtëpi sa luksoze aq edhe miqësore për mjedisin.

Ndërtuesi i kësaj shtëpie, West Group, ka shënuar sukses në të dy drejtimet. Mark Lowham është zyrtar i kësaj kompanie dhe kryetar i komisionit për “shtëpinë e gjelbër”.

"Shtëpia duhet të ketë mjaft energji elektrike për të plotësuar nevojat e familjes. Në ditët që familja konsumon më shumë energji se sa prodhon, ne e blejmë atë nga një prodhues lokal që përdor burime të rigjenerueshme energjie. Por në ditët me mjaft diell, shtëpia prodhon më shumë energji nga sa i duhet, pa patur nevojë të blejë nga rrjeti lokal”.

Në ndërtimin e kësaj shtëpie u vlerësua edhe çlirimi i gazit karbonik, krahas materialeve të riciklueshme si guri i përdorur për themelet. Rrugëza prej tulle shërben për të ruajtur bimët në shtratet e tyre.

"Trotuari është prodhuar nga kompania Belguard, pikërisht këtu në Gainesville të Virginia. Materiali është 100 përqind kullues. Ne kemi përdorur dru të stazhionuar për veshjen e ndërtesës. Mes tri seksioneve të shtëpisë janë vendosur dy çati të gjelbra. Gjithë lënda e drurit të përdorur për shtëpinë, dollapët e kuzhinës dhe kudo gjetkë në kosntruksion, është pa kimikate”.

Shtëpia konsiderohet si ndërtesa e parë “pa gaz karbonik” në brigjet lindore të Shteteve të Bashkuara. Edhe pse ka një kuzhinë tepër moderne, shtëpia prodhon zakonisht më shumë energji elektrike nga sa përdor. Energjia për për këtë ndërtese prej 1200 metrash katrore sigurohet nga panelet diellore dhe turbinat e erës. Një sistem gjeotermal shërben për ngrohje dhe ajër të kondicionuar, sid he për instalimit hidraulike.

Por të gjitha këto elemente kanë një çmim jo të ulët. Shtëpia është vënë në shitje për më shumë se dy milion dollarë. Por Mark Lowham thotë se të gjithë pronarët e shtëpive mund të ulin ndjeshëm çlirimin e gazit karbonik duke bërë disa ndryshime në shtëpi.

"Ndoshta unë do të investoja në një sistem diellor për ngrohjen e ujit. Është mjat efiçient dhe me një kosto shumë të ulët”.

Kjo shtëpi e gjelbër në Virginia ndihmon edhe për të mbledhur fonde për disa organizata bamirësie në zonë nga pagesa për vizitat në mjediset e saj të brendëshme.