Zgjedhjet në Kosovë - Intervistë me ish kryeministrin Bajram Kosumi

Më 17 nëntor në Kosovë do të mbahen zgjedhjet e reja parlamentare dhe ato për pushtetin komunal, të cilat vlerësohen të rëndësishme edhe për shkak të periudhës politike në të cilën zhvillohen, kur Kosova është në prag të përmbylljes së procesit për zgjidhjen e statusit të saj politikë. Zëri Amerikës ka filluar një seri intervistash me udhëheqësit e disa prej partive politike. Në një intervistë për programin tonë, nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bajram Kosumi, shpalos disa nga arsyet e pjesëmarrjes në këto zgjedhje. Kjo parti hyn në zgjedhje pa praninë e kryetarit të saj Ramush Haradinaj. Në intervistën dhënë korrespondentit tonë në Prishtinë, Besim Abazi, zoti Kosumi thotë se Prishtina nuk duhet të vonohet me vendimin për shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

Zëri i Amerikës: Zoti Kosumi, përse keni vendosur të merrni pjesë në këto zgjedhje kur dihet që partia juaj nuk ishte shumë e entuziazmuar me vendimin për mbajtjen e tyre?

Bajram Kosumi: Ne nuk kemi qenë shumë të entuziazmuar me kohën kur mbahen këto zgjedhje, sepse kemi thënë gjithmonë se duhet ta përfundojmë statusin final të Kosovës dhe pastaj të mbajmë zgjedhjet pas statusit final. Por, meqenëse zgjedhjet u caktuan para statusit final, ne po dalim në zgjedhje që të marrim edhe jë mandat qeverisës në Kosovë dhe në shumicën e komunave të Kosovës. Dhe kemi krijuar një përvojë shumë të madhe në qeverisje dhe besoj se jemi një prej partive që kemi krijuar imazhin për të qeverisur dhe te qytetari i Kosovës identifikohemi në radhë të parë si njerëz të aftë për të qeverisë, prandaj ne po kërkojmë përkrahjen e popullit të Kosovës për të marrë edhe një mandat qeverisës, tashmë jo më me 11 deputetë por me më shumë deputetë për të pasë një ndikim të fuqishëm jo vetëm në qeverisje por edhe në Kuvendin e Kosovës dhe në të gjitha proceset politike.

Zëri i Amerikës: Por, çfarë i ofroni ju qytetarit të Kosovës, përse ai duhet të votojë por ju?

Bajram Kosumi: ne po ofrojmë përvec përvojës sonë të mirë dhe të madhe për qeverisjen e Kosovës edhe në zgjidhjen e të gjitha problemeve në Kosovë, ofrojmë edhe dy gjëra që janë themelore për çdo proces politik. Nën një ofrojmë një program, mund të them një ofertë më komplete për qytetarin e Kosovës. Një program ku në mënyrë laksative janë të thëna problemet ekzistuese dhe zgjidhjet e tyre. Një program që është mjaft realist për një mandat katërvjeçar të ri në qeverisje të Kosovës. E dyta, në ofrojmë njerëzit e vendosur që të punojnë, njerëz të vendosur që të punojnë, njerëz të vendosur që të merren me problemet e Kosovës dhe njerëz të vendosur për t’i zgjidhur problemet e Kosovës. Jo njerëz të etur për të krijuar emër, autoritet, famë ose diçka tjetër për vete, por njerëz të etur, njerëz që kanë krijuar procese në 15 vjetët e fundit dhe i kanë zgjidhur ato procese dhe njerëz që dëshirojnë ta përmbyllin procesin e bërjes së Kosovës shtet dhe të hapin perspektivat e zhvillimit ekonomik dhe perspektivën e re demokratike në Kosovë.

Zëri i Amerikës: Zoti Kosumi, ju keni qenë njëri nga tre kryeministrat e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në tri vjet të qeverisjes suaj. A është ky ndërrim i shpeshtë një pengesë për ju? Bajram Kosumi: Është hera e parë që në Kosovë krijohen marrëdhëniet pozite-opozitë, prandaj nëse për herë të parë krijon diçka të re, mos prit që gjithmonë ka me shkue gjithçka shumë në rregull. Ndërrimet e shpeshta të kryeministrave nuk kanë qenë të mirëpritura as për partinë tonë, por as për proceset ekonomike në Kosovë. Por ndërrimi i parë ka qenë një ndërhyrje nga jashtë, një ndërhyrje, unë besoj edhe sot gati se një ndërhyrje politike ka qenë nga jashtë në rastin e zotit Haradinaj. Në rastin tim po ashtu mendoj ka qenë një kompleks, nje gërshetim i interesave të grupeve të ndryshme politike brenda ose jashtë, ose që të dyja, për të ngadalësuar procesin e bërjes së Kosovës shtet dhe për të pasë ndikimin edhe në proceset e brendshme politike. Por mund të them se po, ka qenë njëfarë pengese, por njerëzit tanë dhe unë personalisht jemi ballafaque me këto probleme, i kemi pritur si të tilla dhe përkundër kësaj ne kemi punue shumë. Mund të marrim cilindo shembull, në fushën e buxhetit ose nëse doni në fushën e ligjeve. Për shembull, në tri vjetët e qeverisjes së parë, të koalicionit të gjerë, qeverisja Rexhepi, për tri vjet qeveria e Kosovës ka hartuar 84 ligje. Vetëm në vitin 2005, do të thotë në kohën kur unë kam udhëheqë qeverinë e Kosovës, qeveria e Kosovës ka dorëzuar në Kuvendin e Kosovës 79 ligje. Do të thotë një punë prej një vjeti të qeverisë sime barazohet me punën prej tri vjetëve të qeverisë së parë pas luftës në Kosovë. Po edhe në fushën e buxhetit të arriturat janë të tilla, të mëdhaja.

Zëri i Amerikës: Zoti Kosumi, zgjedhjet po mbahen në një periudhë të ndjeshme të zhvillimit të procesit për zgjidhjen e statusit të Kosovës. Sipas jush, ku ndodhet ky proces dhe kah po shkon ai?

Bajram Kosumi: Mund të them se fatkeqësisht ne kemi përjetuar këta gjashtë muajt e fundit, një periudhë të degradimit të procesit të statusit të Kosovës. Prej momentit kur Këshilli i Sigurimit ka dështu të miratojë Rezolutën e re për Kosovën, procesi i bërjes së Kosovës shtet është në degradim dhe fatkeqësisht jemi në pozitat kur njerëzit tashmë kanë filluar të humbin besimin se mund, kjo rrugë mund të çojë në të vërtetë te shteti i Kosovës. Po ashtu edhe disa shtete të tjera evropiane që para gjashtë muajsh kanë mundur të jenë më unike, më të vendosura në pranimin e dokumentit të Ahtisaarit, tash kanë shfaqë disa skepsa, dyshime dhe kanë filluar të bëjnë rirreshtime të reja. Por unë besoj se është momenti i fundit kur klasa politike e Kosovës duhet ta stopojë këtë proces të degradimit të vendimit për statusin final. Kjo do të thotë, klasa politike e Kosovës duhet të marrë përgjegjësitë që i takojnë për ta bërë shtetin e Kosovës. Dihet shumë mirë se shteti i Kosovës sikurse çdo shtet tjetër, nuk bëhet me deklarata, nuk bëhet me letra, me fjalë, por duhet të merren përgjegjësitë konkrete në teren dhe në bashkëpunim me shtetet, me qendrat ndërkombëtare si SHBA, Anglia dhe Bashkimi Evropian ne të shpallim shtetin tonë dhe të kërkojmë njohjen ndërkombëtare të shtetit tonë.

Zëri i Amerikës: Por kur duhet të bëhet dhe kur do të bëhet kjo sipas jush?

Bajram Kosumi: Kur do të bëhet, nuk e di se si do të shkojë procesi, por unë mendoj se duhet të bëhet një ditë e më herët. Dhe po të fitojë Aleanca dhe po të kemi një rol vendimtar në procesin e bërjes shtet në do ta bëjmë një ditë e më përpara këtë punë. Çdo ditë që shtyhet, është një minus për Kosovën. Çdo ditë që shtyhet më tutje është një humbje për Kosovën dhe unë besoj jo vetëm qendrat ndërkombëtare, jo vetëm Rusia por edhe klasa politike e Kosovës e ka një pjesë të fajit për këtë shtyrje gjashtë muaj etj.//rd//