Lidhje

Zgjedhjet në Kosovë - Intervistë me Veton Surroin


Më 17 nëntor në Kosovë do të mbahen zgjedhjet e reja parlamentare dhe ato për pushtetin komunal, të cilat vlerësohen të rëndësishme edhe për shkak të periudhës politike në të cilën zhvillohen, kur Kosova është në prag të përmbylljes së procesit për zgjidhjen e statusit të saj politikë. Zëri Amerikës ka filluar një seri intervistash me udhëheqësit e disa prej partive politike. Në një intervistë për programin tonë, kryetari i Partisë reformiste Ora, Veton Surroi shpalos disa nga arsyet e pjesëmarrjes në këto zgjedhje. Në intervistën dhënë korrespondentit tonë në Prishtinë, Besim Abazi, zoti Surroi thotë se para krishtlindjeve, Parlamenti i Kosovës duhet të caktojë datën kur do të shpallet pavarësia e Kosovës.

Zëri i Amerikës: Zoti Surroi, jeni pjesë e procesit negociues për statusin politik të Kosovës dhe njëkohësisht kryetar i një partie që merr pjesë në zgjedhjet e 17 nëntorit. Si po i pajtoni këto dy procese dhe a po përplasen ato me njëri tjetrin?

Veton Surroi: Po duhet t’i pajtojmë, nuk janë të zakonshme, nuk është një gjendje e zakonshme. Megjithatë, në fushatë nuk merremi shumë me statusin, por po merremi me çështjen e pas statusit, e rregullimit të gjendjes në Kosovë pasi të pavarësohet Kosova. Ndërsa në procesin e përcaktimit të statusit nuk po i hapim hallet tona të ndërsjella, apo këndvështrimet tona të kundërta me partitë tjera që marrin pjesë në ekipin e unitetit por po fokusohemi ekskluzivisht në çështjen e statusit.

Zëri i Amerikës: Zoti Surroi thatë se do të angazhoheni për përmirësimin e gjendjes në Kosovë. Si do ta bëni këtë dhe pse duhet të votohet për ju, për partinë Ora?

Veton Surroi: Po ideja jonë është që Kosova po pavarësohet, Kosova po ndërtohet, mirëpo qytetarët e Kosovës nuk po kanë hise në këtë pavarësi dhe në këtë ndryshim. Prandaj ne duam që gjendja të ndryshojë në atë formë që qytetarët do të përjetojnë ndryshimin e ardhshëm. Kosova është pothuajse vendi i vetëm në regjion i cili stagnon në mënyrë të përhershme dhe ne duam ta ndryshojmë. Duam ta ndryshojmë në kuptimin e ekonomisë. Duam të krijojmë një nivel të ri të pjesëmarrjes së kapitalit, duam që qytetarët të kenë aksionet në ndërmarrjet publike, duam që të krijohet tregu i letrave me vlerë, duam që nga paratë publike të privatizimit dhe paratë tjera publike të krijohet fondi zhvillimor i Kosovës me të cilin do të financoheshin vendet e reja të punës, zhvillimi i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Duam ta ndryshojmë bujqësinë prej mënyrës së tanishme të mbijetesës në një formë të agrobiznesit. Pra duam ta vëmë Kosovën në një kontekst zhvillimi ekonomik brenda një konteksti evropian, fillimisht regjional po më pastaj evropian.

Zëri i Amerikës: Në fushatën tuaj keni shpalosur një program goxha pretendues. Si do të realizohet një program i tillë me mundësitë që ka Kosova, e dihet që mundësitë e saj janë relativisht të vogla?

Veton Surroi: Mungon vullneti politik dhe mungon njohuria për të zbatuar këtë se mundësitë janë ekzistuese. Nuk ka kurrfarë arsye pse paraja jonë publike duhet të shërbeje, po jap një ilustrim shumë të thjeshtë, paratë e trustit pensional, paratë e kursyera tonat, paratë e privatizimit, të gjitha gjendjen jashtë Kosovë, gjenden në fonde investive jashtë Kosovës. Ndërsa qytetari i Kosovës e paguan paranë më së shtrenjti, e paguan me kamatë të jashtëzakonshme, paguan me 14-15 për qind. Paraja jonë ndërkaq shërben si para investimesh në fonde holandeze a gjermane, fonde të shteteve të pasura. Nuk është e mundur që Kosova të jetë eksportues e parave të veta dhe importuese e mallrave.

Zëri i Amerikës: Zoti Surroi, t’i kthehemi sërish çështjes së statusit politik të Kosovës. Ku ndodhet aktualisht ky proces?

Veton Surroi: Tash jemi në fazën përfundimtare të negociatave të udhëhequra nga treshja. Na pret një periudhë intensive, besoj, e negociatave në tri katër javët që vijnë. Periudha më pastaj do të jetë po ashtu një periudhë intensive dhe e vështirë, në të cilën do krijuar pikat e përkrahjes së bashkësisë ndërkombëtare, në radhë të parë të perëndimit, për atë që do të jetë rekomandimi i presidentit Ahtisaari dhe eventualisht nëse ka ndonjë rekomandim ose ndonjë marrëveshje që del nga procesi i treshes. Por, është e qartë dhe këto janë garancat që kemi marrë nga perëndimi se tashmë ky proces duhet të përmbyllet dhe nuk ka më negociata pas dhjetë dhjetorit.

Zëri i Amerikës: Çfarë do të ndodhë pas dhjetë dhjetorit në Kosovë?

Veton Surroi: Pas dhjetë dhjetorit, kam frikë se ende do të merremi me konstituim të Parlamentit, sepse e kemi një ndërlikim në mënyrën e votimit, është pak më e komplikuar, kemi tri palë zgjedhjesh. Kam shpresë që natyrisht, i tërë ky proces do të kalojë qetë dhe me mundësinë e ndërtimit të një konsensusi. Atë çka duhet të bëjë Kuvendi i Kosovës i konstituuar në dhjetor është që të merret vesh fillimisht brenda vetes, që partitë politike shqiptare dhe të tjera të krijojnë një konsensus, të vendosin për hapat e ardhshëm. Dhe hapat e ardhshëm janë në një partneritet, janë deklarim i intencave, pra Kuvendi i Kosovës duhet të përcaktojë se kur e sheh Kosovën të pavarur. Duhet të dalë dhe botërisht dhe të thotë, ne mendojmë se me këtë datë Kosova duhet të jetë e pavarur, po informojmë bashkësinë ndërkombëtare se e kemi ndërmend ta shpallim në këtë datë dhe datën ta fiksojmë dhe kemi ndërmend të bëjmë këto hapa: ta aprovojmë kushtetutën, ligjet etj etj. Po ju informojmë se jemi në një proces partneriteti dhe me këtë fillon një intensitet i ri i përcaktimit të statusit sipas vullnetit të popullit dhe sipas partneritetit që e kemi me bashkësinë ndërkombëtare.

Zëri i Amerikës: Zoti Surroi, kur duhet të jetë kjo ditë sipas jush, sivjet apo vitin e ardhshëm?

Veton Surroi: Unë nuk mund ta paragjykojë, por unë mund të kërkoj që ne sivjet deri para kërshëndellave duhet të përcaktojë datën e pavarësisë së vendit.

XS
SM
MD
LG